Ajo që ka bërë më tepër përshtypie në konfliktin mes Izraelit dhe Hamas-it, në Rripin e Gazës, nuk është lufta mes tyre, por befasia me të cilën nisi ajo. Shteti i Izraelit ka lindur, është mbrojtur dhe zhvilluar përmes luftrave me shtetet e rajonit. Kjo nuk përbën ndonjë gjë të re. Ajo që ka tërhequr vëmendjen, është se si u realizua një befasi e plotë në nivelin taktik, operativo-strategjik, politik, diplomatik dhe teknologjik. Ishte një ndërthurje e të gjithë elementëve që përbëjnë befasinë: mashtrimi, diversioni, desinformimi, imazhet kontradiktore, etj. Mjetet e përdorura nga Hamas ishin sa klasike, aq edhe moderne, kur armatimi dhe teknologjia e luftës janë sofistikuar.

Përgjumja e Shërbimit të Zbulimit Ushtarak, ashtu edhe e MOSSAD-it, duket e pabesueshme. Ndoshta, sistemi i sigurisë së Izraelit mendonte më tepër për fundin e luftës, të imponuar nga kundërshtari i tij, se sa për fillimin e saj. Ata mendonin për një hartë dhe gjeopolitikë të re në rajon. Nuk e parashikuan si duhet të sotmen tragjike, por jetuan me mendimin tek e ardhmja, për një histori të re të Izraelit, sipas së cilës do t’i impononte armikut jo një zgjidhje të përkohëshme, por përfundimtare.

Siguria dhe mbrojtja e Izraelit janë vlerësuar ndër më të mirat në botë në pikpamje të teknologjisë moderne të luftës, organizimit ushtarak, përgatitjes së vendit për luftë, etj. Sistemi i mbrojtjes anti-raketë, i quajturi “Kupola e Hekurt”, i instaluar nga Izraeli rreth dhjetë vjet më parë, ishte pretenduar për siguri pothuajse absolute, e cila, sipas ekspertëve të fushës, shkon nga 90 deri në 96 përqind. Praktika e deri parafillimit të kësaj lufte, i vërtetonte tregues të tillë. 

Por ç’treguan zhvillimet operacionale të datës 7 Tetor? Sipas të dhënave afërsisht të sigurta, Hamas, në barrazhin fillestar prej 20 minutash, lëshoi rreth 5000 raketa. Brenda kësaj kohe, “Kupola e Hekurt” lëshoi 2500 kundër-raketa. Nuk mund të lëshonte më shumë, çka do të thotë se arriti masën e ngopjes pikërisht me këtë numër për këtë njësi kohe. Me sa duket, Hamas ka studjuar e vlerësuar pikërisht këtë handikap të “Kupolës së Hekurt”, prandaj sakrifikoi sasinë për të arritur efektivitetin. Kjo flet se “ustallarët” e Hamas e kishin hetuar këtë handikap, çka iu dha mundësinë për të arritur befasinë strategjike. Nga ana tjetër, edhe vetë “ustallarët” e Izraelit e kishin pikasur këtë kufizim të “Kupolës së Hekurt”, prandaj prej dy vjetësh po eksperimentonin kalimin nga sistemi kundër-raketë, në sistemin operacional me rreze lazer. Sigurisht që besohet se është e vetmja zgjidhje në kushtet kur Izraeli gjendet në rrethim të plotë zjarri nga të gjitha anët: Izraelin, në një rast hipotetik mund ta sulmojë me forca vetëm Egjipti, ndërsa Jordania, Siria, Libani, Irani, Hezbollahu, etj, mund ta sulmojnë vetëm me zjarr.

Por, atëherë, çfarë ngjau që forcat terroriste të Hamas penetruan disa kilometra në teritorin e shtetit izraelit pa asnjë pengesë?

Analiza e faktorit të befasisë strategjike, apo taktiko-operative, edhe në luftën e ditëve të fundit, mes Izraelit dhe Hamasit, bëhet më mirë nëse do të rikujtojmë të gjitha luftërat Izraelito-Arabe. Dhe ato nuk janë pak, duke nisur nga “Lufta e Izraelit me pesë shtete Arabe në vitin 1948”, “Lufta e Yon Kipurit”, “Lufta e Tetorit”, “Lufta Izraelito-Arabe” në vitin 1973 dhe “Lufta e katërt Arabe”, në të cilat mashtrimi strategjik ka arritur nivelet më të larta, të krahasuara me mashtrimin strategjik në “Operacionin Barbarossa” në vitin 1941, kur ushtria gjermane sulmoi Bashkimin Sovjetik, apo Operacioni Aleat i Zbarkimit në Normandi.

Në luftrat e mësipërme Izraelito-Arabe, mashtrimi strategjik, nga mënyra e organizimit, paraqiti tipare dhe veçori nga njëra luftë në tjetrën. Por, në përmbajtje, mashtrimi strategjik është sintezë e bashkërendimit dhe bashkëveprimit të të gjithë faktorëve shtetërorë, doktrinave dhe strategjisë së luftës, diplomacisë, elementëve të sigurisë, shkallës së përgatitjes së popullit, ushtrisë, ekonomisë dhe terrenit për luftë. Nëse këto elementë nuk funksionojnë në bllok, kundërshtari e siguron befasinë strategjike duke depërtuar në pikën më të dobët, atje ku ekuilibrat në shtetin kundërshtar janë të prishura.

Befasia strategjike në Luftën e vitit 1973, mes Egjiptit dhe aleatëve të tij kundër Izraelit, u arrit për shkak të analizës së gabuar të shtabeve ushtarake dhe qeveritare izraelite: fuqia ajrore e kundërshtarit ishte vlerësuar e pamjaftueshme për të nisur luftën. Një analizë e tillë ishte kthyer në dogmë srtategjike. Sipas llogarive të izraelitëve, ushtria egjiptiane nuk kishte numurin e duhur të aeroplanëve dhe të pilotëve për të realizuar sulmin. Sipas llogaritjeve të thata të Izraelit, Egjipti do mund të bëhej gati për luftë vetëm në vitin 1975! Me këtë logjikë, llogaritë e tyre ishin të sakta, por i pasaktë ishte fakti se egjiptianët i siguruan me përparësi avionët dhe pilotët dy vjet më përpara, pra, në vitin 1973 dhe pikërisht atëherë ata filluan luftën ndaj Izraelit, duke e gjetur atë në befasi.

Mbështetja e suksesit vetëm në shmangien e befasisë së kundërshtarit në momentet e para, pra, vetëm te një faktor i luftës, është e gabuar, aq më tepër kur ky faktor hiperbolizohet, duke u kthyer në një nocion strategjik të pashoqëruar me elementë të tjerë bashkëplotësues. Mbivlerësimi nga izraelitët, i vijës mbrojtëse “Bar-Lev” në Kanalin e Suezit, si një fiksacion strategjik, ndikoi në mënyrë drastike në vendimmarrjen politike dhe ushtarake. Vlerësimi i komandave ushtarake se në këtë vijë do të arrihej të ndalej sulmi i kundërshtarit për një kohë të mjaftueshme që do të mundësonte mobilizimin e përgjithshëm ushtarak të Izraelit, nuk doli me shumë sukses, duke e vendosur ushtrinë izraelite në kushte të disfavorshme që në fillimin e luftës.

Befasia strategjike në Luftën e Vëndeve Arabe kundër Izraelit në vitin 1967, ka disa tipare të tjera. Këto lidhen me mosnjohjen si duhet të nivelit ekonomik të shtetit kundërshtar, të reformave ushtarake që ata kishin bërë, si në organizim, në strategji dhe mënyrat e të luftuarit, duke menduar se kundërshtarët e tyre kishin mbetur te format e luftës guerrilie, ndërkohë që ata zbatonin teoritë e luftës moderne.

Humbja e befasisë strategjike në luftën e tanishme mes Izraelit dhe terroristëve të Hamasit, mund të shpjegohet edhe në një plan më të gjerë. Në kushtet kur Ushtria e Izraelit zotëron teknologji dhe armatime të sofistikuara dhe organizim të përsosur ushtarak, ku sensorët dhe kamerat e vëzhgimit kanë arritur të jenë pjesë e kompletit të luftëtarit, kur ekzistojnë breza mbrojtjeje të mirëfortifikuara, etj., atëherë shkaqet e kapjes në befasi strategjike duhen kërkuar më së shumti te faktori subjektiv, te lidershipi shtetëror e ushtarak. Fakt është që, mënyra e qeverisjes, politika, diplomacia, sistemi i sigurisë dhe i mbrojtjes i Izraelit, në vitet e fundit, kanë pasqyruar problematika, të cilat u shfrytëzuan nga kundërshtari për të siguruar befasinë e luftës. Qeverisja me frymë autoritare, prirjet pacifiste, një farë mëndjemadhësie dhe nënvleftësimi i armikut, e të tjera, dukej se kohët e fundit po merrnin me tepër terren.

Diplomacia izraelite duket se nuk iu ka shpëtuar këtyre ndikimeve. Ajo, duke mos lexuar mirë ndikimin e vatrave të tjera të luftës në botë, u gjend papritur brenda mjegullës së armiqve të Izraelit, të interesuar për të hapur fronte të reja konfliktesh. Kështu, shërbimi diplomatik izraelit duket se nuk pati vëmëndjen e duhur ndaj disa zhvillime të kohëve të fundit, si për shembull, ndaj deklaratës së Presidentit rus Putin, i cili dy ditë më parë se të shpërthente lufta e Hamas kundër Izraelit, pohoi: “Ukraina nuk mund të mbijetonte për më shumë se një javë, pa ndihmën ushtarake dhe financiare perëndimore.” A nuk duhet të ishte ky një sinjal i fortë edhe për diplomacinë e Izraelit për të kuptuar se një konflikt i ri ka synim ta dobësojë ndihmën e perëndimit ndaj shteteve demokratike të përfshira në luftë, siç ka qenë vetë Izraeli historikisht? Gjithashtu, diplomacia izraelite, në vitet e fundit, duket se ka vlerësuar vetëm anën e ndritëshme në marrëdhëniet më disa shtete Arabe, si Bahrenin, Marokun, Sudanin, Emiratet e Bashkuara Arabe e deri me Arabinë Saudite, duke ulur, ndoshta, vigjilencën, ndaj shteteve si Irani, Jemeni, Siria dhe Iraku, historikisht armiq të Izraelit. Qëllimet e këtyre shteteve dhe lidhja e tyre me organizatat terroriste, të cilat qëndrojnë në këmbë vetëm për veprime ushtarake kundër Izraelit, nuk flasin për shtensionim dhe paqe, por për luftë dhe terror. Ndërsimi i botës Arabe kundër Izraelit ka qënë synimi strategjik i këtyre vendeve dhe organizatave terroriste.

Po në pikëpamje ushtarake, a mund të pranohet nënvleftësimi i Hamasit nga ana e Izraelit? Pothuajse një muaj më parë nga sulmi terrorist i 7 tetorit, fraksionet e armatosura palestineze në Gaza kanë zhvilluar stërvitjen e koduar “Këndi i Fortë Nr.4”. Ideja e stërvitjes përmbante pushtimin e Jaffës, Naifëzit dhe Jeruzalemit. Për shpërthimin e “Murit të Hekurt” dhe depërtimin në territorin e Izraelit, bëheshin prova me përdorim dinamiti, me angazhin e fuqisë së zjarrit të të gjitha llojeve të armëve, me përdorimin e mjeteve të rënda si zetorë, traktorë, etj. Disa nga skenarët e kësaj stërvitjeje u zbatuan me saktësi në luftën e 7 tetorit. Bazat ku stërviteshin terroristët ishin rreth 350 metra nga vija e kufirit me Izraelin dhe, nuk ishte një, por gjashtë të tilla, ku strehoheshin njësitë luftarake, armatimi dhe mjetet e luftës! Përdorimi i droneve ishin një dukuri e zakonëshme nga forcat ushtarake të Hamasit. Filmime nga stërvitje të tilla thuhet se janë dhënë edhe në kanalin televiziv amerikan NBC. Një video-mesazh për këtë stërvitje e ka shpërndarë edhe vetë Hamasi, ku demonstronte forcën dhe paralajmëronte katastrofë.

Faktet që tregonin përgatitjen e Hamasit për luftë e terror janë të shumta. Nga ana tjetër, tanimë është fakt që kundërveprimi nga organet e sigurisë e të mbrojtjes së Izraelit çaloi. U kapën në befasi strategjike, që është e vështirë të pranohet, apo se këto struktura përpunonin dhe hartonin plane e kurthe të tjera ndaj armikut të tyre? Këto lënë hapësirë për diskutim. Aktualisht, po shohim se Izraeli po zbaton një skenar “fshirjeje” nga faqja e dheut. Ndoshta, ideja strategjike për t’i larë hesapet me terroristët njëherë e mirë është e motivuar, por kurrsesi me një kosto të tillë njerëzore.

Ndëshkimi i plotë i terroristëve të Hamasit, por edhe i çdo terrorizmi tjetër, është i justifikuar. Sidoqoftë, tejkalimi i të drejtës, veçanërisht në kohë lufte, ka rrezik të të çojë në shkeljen e vetë të drejtës, domethënë të ligjeve të luftës dhe të drejtave të njeriut. Një populli të shumëvuajtur nga pogromet e nazizmit dhe terrorit, nuk i shkon hakmarrja e verbër pa dallim. Populli i Izraelit, aq i pasur me kulturë, histori dhe legjenda, me siguri se do të mbajë parasysh çka thoshte Eskili, se teprimi i mbrojtjes të së drejtës tënde mund të çojë në padrejtësi ose në transferimin e së drejtës tek armiku yt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *