Këshilla të dobishme

Kur zemra rreh si e çmendur sapo dëgjon tingujt e parë të zërit të tij, kur trupi të dridhet dhe të mbushet me mornica sapo buzët e tij të ngrohta prekin buzët e tua të thara nga ankthi i pritjes, sytë errësohen, botën e sheh vetëm rozë dhe logjika mefshtësohet. Janë ato momente kur çdo vajzë kujton se gjeti gjysmën e vet. Asaj i duket se me këtë njeri do ta kalojë jetën në lumturi deri në pleqërinë e thellë. Në të vërtetë, mund të mos ndodhë kështu dhe të gjitha këto të jenë vetëm një iluzion. Kjo ndodh sepse njeriu (sidomos vajzat e reja), për vetë natyrën e tij, i marrin shpesh ndjenjat e para pasionante, sidomos tërheqjen fizike, si garanci, si parathënie se e gjetën njeriun e përshtatshëm për të lidhur jetën me të. Kuptohet se simpatia dhe tërheqja fizike janë shenja të mira, por për të mos u gabuar, duhen llogaritur edhe disa faktorë të tjerë. Kërkimet e reja shkencore tregojnë se te mashkulli ka edhe disa veti të tjera të cilat mund të sigurojnë jetëgjatësinë e marrëdhënieve tuaja, lumturinë dhe harmoninë tuaj në jetë. Por cilat janë ato?

1. Ai duhet ta ketë përcaktuar çfarë qëllimesh ka dhe çfarë do të arrijë së bashku me ju në jetë

Çdo mashkull, me të cilin ju dëshironi të keni marrëdhënie serioze, në përgjithësi, e di se çfarë kërkon në jetë dhe është në gjendje të të tregojë për qëllimet dhe dëshirat e tij, por kur vjen puna për të ardhmen e tij personale konkrete e aq më tepër, të përbashkët me ju, ai është konfuz. Pothuajse në të gjitha gjyqet për ndarje, del se shkaku i ndarjes është fakti që si burri, ashtu edhe gruaja, e kanë kuptuar më në fund se nuk janë për njëri-tjetrin, pasi kanë patur synime të ndryshme dhe kanë kërkuar nga jeta e përbashkët, gjëra të ndryshme… Për këtë arsye, ata duan të ndahen sa më parë, për të krijuar një familje tjetër, në të cilën t’i përshtaten më mirë njëri-tjetrit. Pikërisht për të parandaluar situata të tilla, është e nevojshme të dish që më parë se ç’kërkon të arrijë në jetë së bashku me ju i dashuri juaj, çfarë qëllimesh ka dhe si mendon ta kaloni bashkarisht rrugën e gjatë të jetës.    

2. Ai duhet të jetë optimist

Të dhënat e fundit shkencore pohojnë se ato gra, partnerët e të cilave janë optimistë, i dalin jetës me gjoks përpara, janë të gjalla dhe e kanë të zhvilluar ndjenjën e humorit, janë më të kënaqura nga marrëdhëniet martesore dhe jeta e përbashkët familjare. Përveç kësaj, shkencëtarët kanë vënë re se sa më me optimizëm ta shikojë jetën mashkulli, aq më tepër zgjatin marrëdhëniet martesore që lidh ai me një femër. Me një fjalë, gratë duan të kenë në krah një burrë optimist, që t’u dalë për zot asaj e fëmijëve dhe të përballojë vështirësitë e jetës. Konfliktet e vogla që janë të paevitueshme në jetën e përbashkët familjare, njeriu optimist dhe zemërgjerë i zgjidh më lehtë. Prandaj, kur të zgjidhni njeriun e jetës, mbajeni parasysh edhe këtë këshillë.

3. Të jetë gati për të ndryshuar për hir tuaj dhe të jetës suaj të përbashkët

Gruaja nuk është kurrë në gjendje të ndryshojë karakterin e një mashkulli, por burri, ama, mundet dhe është në gjendje të ndryshojë për hir të një gruaje. Prandaj, qëkur jeni në fillim të jetës suaj të përbashkët, në rast se e vlerësoni në tërësi një mashkull, por shikoni se ai ka diçka për të ndrequr, thuajani hapur e me sinqeritet dëshirën tuaj dhe keni për t’ia arritur qëllimit. Meshkujt seriozë i vlerësojnë marrëdhëniet serioze dhe dinë t’u përshtaten atyre apo të paktën, përpiqen. Ai, pasi t’ju dëgjojë juve, do të mendohet, do të analizojë situatën dhe do të nxjerrë përfundimet e duhura, por për këtë, duhet të jetë i predispozuar, prandaj, para se të merrni vendimin përfundimtar për t’u lidhur përjetësisht me një mashkull, shikoni nëse ai është gati të ndryshojë për hir tuaj dhe të jetës suaj të përbashkët, pra, nëse do që të jetë i arsyeshëm, i lakueshëm, fleksibël. Në një çift, partnerët, kohë pas kohe, korrigjojnë diçka te vetja…

4. Ai duhet të mbetet gjithmonë pak enigmatik për ju

Fillimi i marrëdhënieve është një moment shumë interesant dhe emocionues sepse ju sapo filloni ta njihni njëri-tjetrin, por megjithëse çdo virtyt që zbuloni tek ai ju gëzon, prapë është mirë që mashkulli të mbetet pak enigmatik për ju. Pavarësisht nga afërsia dhe afiniteti që lind në marrëdhëniet midis dy sekseve, pavarësisht faktit që mashkulli t’jua hapë zemrën për çdo gjë, është mirë që në karakterin dhe temperamentin e tij, diçka të mbetet e paqartë, diçka që ta shfaqë në një rrethanë të caktuar. Përndryshe, ai nuk do të vazhdojë t’ju intrigojë dhe, nga një dashnor romantik, do të shndërrohet në një mik e shok të vjetër që “ia keni pirë lëngun” , që “i njihni dhëmbë e dhëmballë” dhe s’keni ç’të zbuloni më tek ai.

5. Të ketë ndjenjën e përgjegjësisë ekonomike dhe të dijë të kursejë paratë

Fakti se si i harxhon një mashkull edhe një femër paratë, flet shumë për karakterin e tyre. Psikologët mendojnë se meshkujt që nuk dinë të llogarisin shpenzimet e tyre dhe nuk duan t’ia dinë për paratë, nuk dinë të kontrollojnë veprimet e tyre, shkojnë kuturu në rrugën e jetës, janë liberalë dhe u mungon durimi për të zgjidhur problemet e ndërlikuara të jetës. E keqja është se duke mos qenë shumë konseguentë, ata nuk janë të qëndrueshëm dhe mund ta tradhtojnë bashkëshorten e tyre.

Ja, këto janë disa anë të karakterit të mashkullit që çdo vajzë duhet t’i mësojë në fillimet e marrëdhënieve intime, në momentet kur zemra rreh si e çmendur sapo dëgjon tingujt e parë të zërit të tij, kur trupi të dridhet dhe të mbushet me mornica sapo buzët e tij të ngrohta prekin buzët e tua të thara nga ankthi i pritjes, sytë errësohen dhe e sheh botën vetëm rozë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *