Tendenca më e re e jetës në çift: Gruaja më e madhe se burri


“Të dashur gazetarë të faqes intime. Unë që po ju shkruaj jam një vajzë tetëmbëdhjetë vjeçare që dua të mbetem anonime. Një ditë, po diskutonim me shoqet se cila është mosha më e mirë për t’u martuar dhe sa diferencë duhet të kenë partnerët me njëri-tjetrin. Unë vetë nuk kam ndërmend të martohem tani shpejt se dua të vazhdoj shkollën e lartë, por megjithatë, mendoj se më mirë është që partnerët të jenë moshatarë. Njëra nga shoqet e mia këmbëngulte se martesat më të mira janë ato kur mashkulli është disa vjet më i madh se femra, të paktën, pesë vjet, ndërsa një tjetër u hodh e tha diçka të çuditshme: “S’ka martesa më të mira sesa ato, kur mashkulli është më i vogël në moshë sesa bashkëshortja e tij”. Ne, sigurisht, e kundërshtuam, por mua këto fjalë më futën në mendime, pasi m’u kujtua një e njohura ime, që e ka burrin tre vjet më të vogël dhe shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin. Pastaj, këto martesa janë shtuar edhe mes personave VIP… A është e vërtetë që këto martesa janë të sukseshme? Cilat janë pluset dhe minuset e tyre? Me respekt, Ana”

E nderuar lexuese, po e themi që në fillim se, sipas mendimit të përgjithshëm, jo vetëm të specialistëve, por edhe të shumicës së njerëzve të thjeshtë, martesat më të mira janë ato kur midis dy partnerëve ka pika të përbashkëta (duke përfshirë këtu edhe moshën) dhe nuk ka ose ka sa më pak minuse, madje edhe pluse, në të dy krahët. Pra, martesë më e mbarë është ajo kur partnerët i përshtaten njëri-tjetrit, janë dy gjysma të barabarta dhe krijojnë një të tërë unike… Historia e institucionit të martesës në evolucionin e tij shekullor, si në vendin tonë, ashtu edhe në vende të tjera, ka njohur edhe martesat me diferencë të madhe moshe, kur vajza të reja, si të thuash, pa u rritur mirë, martoheshin me burra të thinjur dhe, si rregull, mbeteshin vejusha në periudhën më të bukur të jetës së tyre… Ishte një kohë kur lotët e vajzave të mitura nuk ngjallnin asnjë keqardhje apo protestë as në rrethin familjar apo shoqëror. Për inerci, edhe në shoqërinë tonë, shpesh mbahet një qëndrim indiferent kur burri mund të jetë edhe 20 vjet më i madh në moshë se nusja e re (megjithëse pas krahëve do të përfliten shkaqet, që janë në të shumtën e rasteve të natyrës materiale apo të pozitës së lartë në shoqëri të burrave të pjekur). Krejt ndryshe është reaguar, për shembull, kur ka ndodhur dhe ndodh e kundërta, kur një grua e kaluar nga mosha ose një grua “e pjekur”, martohet me një djalë tepër të ri. Në këtë rast, s’mbetet njeri pa folur: “Ama gjeti nuse! Po ajo ka qenë në një klasë me të ëmën!”, “Pika gruas, po ajo edhe si gjyshe është e madhe për të e jo më si grua”. “Eh, ç’bën paraja!”. Dhe, për çudinë e të gjithëve, janë pikërisht gratë ato që i dënojnë më shumë këto lloj martesash, megjithëse ato, në rastet konkrete, dalin më të fituara…

Psikologu francez Laurentij P., është i mendimit se për femrën, për shëndetin dhe gjendjen e saj shpirtërore, martesa me një të ri është shumë më e dobishme dhe më e këndshme sesa martesa me një moshatar apo me një mashkull më të madh në moshë. Seksologët dhe psikologët e tjerë nënvizojnë të paktën tri pluse të këtyre martesave të grave më të mëdha në moshë, me djem të rinj.

Pluset

1. Marrëdhëniet seksuale

Tanimë është pranuar shkencërisht se jeta e vërtetë seksuale për një grua, fillon pas të tridhjetave, ndërsa mashkulli e arrin pikun shumë kohë më parë, që andej nga mosha 25-vjeçare dhe, pas pikut, aktiviteti i tij në këtë fushë fillon të bjerë… Pikërisht për këtë arsye, bashkimi i një gruaje në moshë të thyer me një djalë të ri, është shumë harmonik; të dy partnerët kërkojnë afërsi, janë të gatshëm të eksperimentojnë dhe t’i kalojnë netët me lojëra seksuale, duke ndjekur moton: “Sa më shumë, aq më mirë”… Kjo është diçka shumë pozitive, sepse asgjë më shumë sesa pasionet seksuale nuk mund të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve në çift. Prej tyre, rrjedh si ujët e burimit edhe gjendja e mirë shpirtërore, edhe energjia jetësore. Një grua e lumtur nga pikëpamja seksuale mund të përmbysë malet për burrin e saj të dashur, të ri dhe të fortë…

2. Shëndeti

Krahas kënaqësisë që marrin nga jeta, këto gra arrijnë edhe qetësinë dhe harmoninë shpirtërore. Dhe, kur shpirti është i lumtur, nuk bëhet fjalë për depresione dhe pagjumësi. Organizmi mbushet me hormone të reja dhe gruaja e ndjen veten më të re nga ç’është. Shpesh, në rastet kur burri është vetëm dhjetë vjet më i ri, diferenca zhduket dhe gruaja e rinuar duket si vërsnike. Veç gjithë këtyre, gruaja e ripërtërirë fillon një jetë më aktive, frekuenton palestrën, pishinat, plazhet, bën udhëtime turistike, madje edhe më këmbë nëpër male…

3. Aktiviteti shoqëror

Gjendja e mirë shpirtërore dhe shëndetësore, sjell pa asnjë dyshim një aktivizim më të madh të gruas në jetën dhe veprimtarinë shoqërore. Sipas statistikave, këto gra kujdesen jo vetëm për karrierën e tyre, por edhe për karrierën e burrave të tyre të rinj. Ato shpërthejnë në ide origjinale, përpilojnë projektet që mund të realizojnë të dy, për të zhvilluar talentin e bashkëshortit. Ajo s’lë lidhje fisnore e miqësore pa shfrytëzuar për t’i siguruar të shoqit vendin që meriton në shoqërinë më të lartë. Në tërësi, asnjëri prej të dyve nuk e pëson nga ky riaktivizim, përkundrazi, përfitojnë të dy. Të dy janë të lumtur dhe të kënaqur.

Minuset

1. Marrëdhëniet që lindin nga paratë

Kuptohet vetvetiu se gruaja, kur martohet në atë moshë, ka përshkuar një distancë të mirë të rrugës së jetës dhe ka fituar diçka, pa përjashtuar këtu edhe përvojën jetësore dhe profesionale; ka arritur, pra, të fitojë disa para, ndërsa djali, sapo hyn në jetën familjare dhe në jetën në përgjithësi, fiton pak, me një fjalë, gruas i duhet ta mbajë burrin me të ngrënë e me të pirë, me të mbathur e me të veshur. Por, ka miliona gra në botë, të cilat, edhe pse i kanë burrat moshatarë apo më të mëdhenj në moshë, për arsye të ndryshme, bëjnë të njëjtën gjë. Kjo mund të sjellë ndonjë fërkim dhe disharmoni të vogël, të cilën gruaja e pjekur dhe e mençur mund ta kapërcejë lehtë. Siç dihet, qëllimet dhe synimet e njëjta i bashkojnë njerëzit.

2. Xhelozia

Ky është një rrezik me të vërtetë real. Zor të gjesh ndonjë grua në këtë botë që të mos bëhet xheloze kur i shoqi i saj (sidomos kur është më i ri se ajo, kur është i bukur dhe simpatik) ka një rreth të gjerë të njohurash, siç kanë djemtë në atë moshë në universitet, në punë, në shoqëri. Ajo, në subkoshiencë, por edhe realisht, e sheh secilën prej tyre si një rrezik real që i kërcënon lumturinë dhe, sado që ta mbajë veten, do të vijë një ditë që do të shpërthejë. Pikërisht ky shpërthim i xhelozisë mund të bëhet shkak për keqkuptime, grindje, madje edhe ndarje. Ndjenja e xhelozisë, edhe po nuk arriti deri këtu, përsëri do ta torturojë vazhdimisht gruan e pjekur… Të gjitha këshillat e psikologëve reduktohen shpesh në një: Mos i privoni bashkëshortët tuaj nga mundësia për të lëvizur lirisht në hapësirat e jetës personale, mos ua kontrolloni kurrë xhepat, mos ua lexoni mesazhet në celularë, mos u bëni atyre kurrë pyetje për marrëdhëniet me shoqet, mikeshat dhe të njohurat. Shtypeni sa të nxjerrë krye ndjenjën e xhelozisë që ju cyt në veprime të tilla. Këto këshilla, që janë të domosdoshme për të gjitha gratë, u shkojnë për shtat më shumë grave që i kanë bashkëshortët më të rinj se veten. Eshtë e njohur aksioma: Xhelozia e gërryen përbrenda dashurinë, miqësinë dhe harmoninë bashkëshortore, si krimbi drurin e vjetër.

3. Kush do të jetë kryefamiljari?

Martesa, kur partnerët kanë të njëjtën moshë, por sidomos kur burri është më i vogël, ka më në fund edhe një problem tjetër delikat. Ky problem ka të bëjë me faktin se kush do të jetë kryefamiljar. Si rregull, në familjet ku gruaja është e pjekur dhe me përvojë jete, ndërsa burri është i ri, pa përvojë, gjithë ekonomia dhe mbarëvajtja e familjes përqendrohet në duart e gruas. Ajo merr pothuajse gjithmonë iniciativën për të blerë këtë apo atë orendi, etj. Mirëpo, me kalimin e kohës, gradualisht, duke u pjekur burri, ai fillon të ndërhyjë gjithmonë e më shpesh dhe vendos jo vetëm për shpenzimet ditore, por edhe për gjëra të tilla të rëndësishme dhe që kërkojnë shpenzime më të mëdha, si, bie fjala, se ku do t’i kalojnë pushimet vjetore, etj. Sigurisht, varet nga gruaja, por kjo shpesh e habit atë, madje edhe e nxeh, e irriton. “Epo, filloi edhe ai të na diktojë tani, ai s’ka pikë përvoje, ai i ka ende buzët me qumësht”. Që kjo gjë të mos bëhet burim grindjesh dhe mosmarrëveshjesh, gruaja e urtë dhe e mençur lëshon pe. Mashkulli, për vetë natyrën e tij, kërkon “pushtet”, kërkon “të sundojë”, prandaj gruaja s’ka pse ta vrasë mendjen shumë. Në rast se do të jetojë në harmoni me burrin e saj të ri, le t’i thotë: “Shiko, këtu nuk ka vend për të diskutuar: Ti je burrë, pra, ti je kryefamiljari!”.

Sidoqoftë, pavarësisht nga fakti se cili nga partnerët duhet të jetë më i madh në moshë, pavarësisht nga fakti se secili rast ka minuset dhe pluset e veta, duhet mbajtur parasysh diçka e rëndësishme: Secila nga martesat ka karakter individual dhe, përveç atyre që përmendëm ne, mund të ndeshen fenomene negative dhe pozitive nga më të ndryshmet. Për mendimin tonë, nga të gjitha vështirësitë që mund të ketë jeta familjare, nga të gjitha minuset dhe pluset që duhen patur parasysh kur e krijojmë atë, vetëm njëra është vendimtare: Mungesa e ndjenjave reciproke. Të gjitha të tjerat, përfshi edhe moshën, janë paragjykime shoqërore që diktohen shpesh vetëm nga ligësia apo zilia e të tjerëve. Prandaj, kur të vendosni për të krijuar familjen tuaj, dëgjoni sa më pak se ç’thuhet përreth dhe sa më me vëmendje mendjen dhe zemrën tuaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *