Nuk ke bërë asgjë të jashtëzakonshme, vetëm ke ndenjur ulur në zyrë duke u marrë me shkresurina… Atëhere, pse ndjehesh kaq e lodhur në fund të ditës? Kjo është e keqja e stresit: Të bën të ndjehesh mendërisht dhe fizikisht e këputur. Nëse ndjehesh aq e lodhur sa nuk ke kohë për t’u marrë me veten, shoqërinë, pasionet apo aktivitetet e tjera që të bëjnë të lumtur, ka ardhur koha të ndalesh dhe të rimarrësh situatën në dorë. Ja disa mënyra për të luftuar lodhjen, për të rifituar gjallërinë, për t’u relaksuar dhe fuqizuar…

1. Bëj fizkulturë!

Ti do të pyesësh: Si mund të bëj unë fizkulturë kur nuk kam fuqi? Në fakt, fizkultura është mënyra më e mirë për të luftuar lodhjen. Sa më shumë të lëvizësh, aq më shumë do të të rikthehen fuqitë. Fizkulturën mund ta bësh edhe në shtëpi. Mund të blesh një palë gira të thjeshta dhe të bësh ushtrime për krahët, ndërkohë që je duke parë televizor ose duke folur në telefon. Mund të blesh edhe një kasetë video me ushtrime aerobike dhe t’i vësh në zbatim në shtëpi, 20 minuta në mëngjes.

2. Fli rregullisht!

Sa herë në javë ngopesh me gjumë? Nëse e ke zakon të flesh natën vonë, ki parasysh se kështu, po i merr gjumit orë të çmuara. Cakto një orë për të fjetur dhe respektoje atë.

3. Ha shëndetshëm!

Ndiq një mënyrë të shëndetshme të ushqyeri. Është e vërtetë që kafeja dhe ushqimet me sheqer mund të të japin fuqi për një periudhë kohe menjëherë pasi i përdor, por më pas, ato të lënë më të pafuqishme se më parë. Çfarë mund të hash atëhere? Në vend të tyre, provo kajsi të thata me një grusht bajamesh. Me anë të tyre, mund të plotësosh 50% të nevojave ditore me vitaminë A dhe 20%, me hekur. Gjithashtu, mund të provosh kos me rrush të thatë ose një pjeshkë të freskët.

4. Maskë sysh freskuese!

Me të mund të dukesh pak qesharake, por mos u shqetëso shumë se si dukesh. Këto maska për sytë kanë një xhel ftohës. Mbaj nja dy në frigorifer dhe përdori në fund të ditës, kur sytë të dhembin nga shikimi i kompjuterit ose tensioni i punës.

5. Vër muzikë!

Fuqia e muzikës është e padiskutueshme; muzika e duhur mund të ngrejë edhe njeriun nga varri! Të kujtohet kur rrije gjithë kohën duke kërcyer me një palë kufje në vesh ose me zërin e magnetofonit në qiell? Ato ditë mund të të duken larg, por një disk me këngë ritmike mund të të japë energjinë e duhur për të bërë punët e shtëpisë.

6. Thuaju “jo” detyrimeve të shumta!

Je shumë e ngarkuar, kjo është e gjitha. Ndjehesh e lodhur sepse po mundohesh të bësh shumë punë njëkohësisht? Mbase ka ardhur momenti të thuash ndonjëherë “jo”. Nëse e ke të vështirë të thuash “jo”, atëherë thuaj “po” me diplomaci. Për shembull: “Po, mund ta realizoj këtë projekt, por jo këtë muaj. Sikur ta lëmë për muajin që vjen?”. Ose bëj një listë të punëve, duke klasifikuar cilat janë më urgjente dhe cilat jo, që mund të lihen për më vonë.

7. Bëj një banjë të nxehtë!

Largoje lodhjen duke u zhytur në një vaskë të mbushur me ujë të ngrohtë dhe shkumë. Uji i ngrohtë çliron muskujt e tensionuar, të ndihmon të çlodhesh dhe ta përballosh pjesën tjetër të mbrëmjes me më shumë fuqi.

8. Vizitohu!

Nëse lodhja që ke është e vazhdueshme dhe ke edhe simptoma të tjera, si: Probleme me gjumin, fle shumë, ke humbje të interesit në aktivitetet e tua të zakonshme, mbase duhet të shkosh te doktori. Këto simptoma mund të jenë shenja të depresionit.

9. Apliko maskë fytyre!

Ajo ndihmon në relaksimin dhe freskimin e fytyrës, pasi përmban ekstrakte bimësh, vajra esenciale, taninë për mbylljen e poreve, etj. Zgjidh maskën që bën për ty dhe provoje. Edhe nëse nuk çlodhesh, të paktën do të mbash erë të mirë dhe do të kesh lëkurë të pastër fytyre.

10. Bëj një shëtitje! Bëj një pushim në punë ose shtëpi. Pak ajër i freskët mund të të ndihmojë të qartësosh mendimet dhe të luftosh ndjesinë e mjegullnajës në tru. Një studim i fundit i një universiteti amerikan, ka zbuluar se një shëtitje e shkurtër 10 minutëshe mund të jetë e mjaftueshme që njerëzit me depresion të ndjehen më mirë. Studimi u zhvillua me një grup njerëzish në depresion, të moshës 50 vjeç dhe më shumë. Pas vetëm 8 minuta shëtitjeje, 82% e tyre thanë se e ndjenin më pak tensionin, lodhjen dhe zemërimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *