Nëse fjala streçe ju kujton imazhin e viteve ’80, kur ato kombinoheshin me pulovra të fryra dhe flokë edhe më të fryra, ka ardhur momenti për të përditësuar imazhin tuaj. Kohët e fundit, streçet janë rikthyer fuqishëm në modë dhe duket se kanë për të qëndruar gjatë. Por, si ta përvetësoni këtë luk në garderobën tuaj, që t’ju shkojë dhe njëkohësisht të mos dukeni sikur po shkoni në palestër? Ja disa këshilla për të përdorur streçet:

Streçet, sot

Sot, ato nuk vishen si para 20 vjetëve, kur nganjëherë kapeshin me një rrip poshtë tabanit të këmbës për të qëndruar drejt. Edhe bluzat e gjera janë jashtë mode. Tani janë në modë streçet treçerekëshe, të holla, të kombinuara me bluza me rrip në mes. Streçet e reja mund t’u shkojnë shumë siluetave, me kusht që të ndiqen disa këshilla:

Me çfarë mund të kombinohen?

Me fustane: Në stinën e vjeshtës ato mund të kombinohen me fustane të trikotuara. Vër një rrip të trashë në bel që t’i japësh formë trupit.

Me bluza të gjata: Mund t’i veshësh streçet me bluza tip tunike, të holla dhe të gjata, ose me pulovra të gjata. Vëllimi që krijohet sipër, balancon linjën e hollë që krijojnë streçet. Vetëm sigurohuni që të mbuloni pjesën e të pasmeve, pasi streçet nuk mbulojnë ashtu si pantallonat!

Funde të shkurtra: Streçet opake nuk jua tregojnë lëkurën, kështu që mund të vishni një fund më të shkurtër, pa i treguar këmbët ose pa patur ftohtë. Përdorini streçet si veshje për të kaluar nga stina e nxehtë në atë të ftohtë dhe anasjelltas.

Këpucë balerina, me taka, ose çizme me qafë të shkurtër: Pothuajse të gjitha këpucët shkojnë me streçet. Këpucët balerina të japin pamjen e një vajze sportive ose bohemiane, takat të shtojnë sharmin, kurse çizmet të mbajnë ngrohtë në dimër.

Ç’mund dhe ç’nuk mund të bësh kur vesh streçe?

Kur vesh streçet ka disa gjërat që mund dhe që nuk mund t’i bësh. Këto janë gjërat që bëjnë dallimin mes një gruaje moderne dhe një viktime të modës, ndaj, ki kujdes!

Vishi streçet nën një bluzë të gjatë, sa të mbulojë të pasmet.

Mos i vish me bluzë të shkurtër. Mendoji streçet si geta të trasha dhe jo si pantallona.

Përdor streçe të thjeshta. Ngjyra e zezë është më elegantja dhe u shkon të gjitha bluzave që do të vishni sipër.

Mos përdor streçe me ngjyra të ndezura ose me stampime të çmendura, sepse do të dukesh si adoleshente. Tonalitetet neutrale janë më të sofistikuarat dhe të tregojnë bukur.

Zgjidh streçe me një gjatësi që të shkon. Sigurohu të blesh një palë që të shkojë deri në pjesën më të hollë të pulpës. Për shumë gra, streçet duhet të jenë relativisht të gjata.

Mos vish streçe që shkojnë deri në mes të pulpës. Kështu, këmbët do të duken më të shkurtra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *