Më Visjanin këtë herë kemi realizuar një intervistë të veçantë, ose më saktë kemi zhbiruar në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij vetëm nëpërmjet rubrikës tonë të “Alfabeti i personazhit” në të cilin Visjani është treguar më i vërtetë së kurrë. Shumë shpejt ai do bëhet baba dhe duket se këtë po e përjeton në mënyrë të jashtëzakonshme në pritje të madhështisë së krijesës që do ndricojë e ndryshojë të gjithë jetën e tij familjare. Po ashtu edhe “Duplex-i” o vjeshtës që do i gjejë në TV Klan bashkë më aktorët e tjerë me të cilët ai interpreton prej vitesh.

Fabjola Kuburi:- A për arritjen… Cilën konsideron arritjen më të madhe të jetës tënde?

Visjan Ukcenaj:-  Arritja është diçka relative. Varet se çfarë vlerëson nga jeta. Për mua, arritja më e madhe është personi që kam zgjedhur të kem në krah, me të cilin do ndaj arritjet e mia të tjera.

B për baba…je mësuar më këtë cilësim apo ende jo, duke qenë se shumë shpejt do jesh i tillë?

–  Të jesh një baba i mirë është tejet e vështirë. Do bëj të pamundurën të jem i tillë. Kam një ylber emocionesh tani, por do kem një galaksi me emocione, ku ta kem në duar tim bir.

C për cilësinë… Cila është cilësia më e domosdoshme për një aktor?

–  Një aktor që të merret në konsideratë, duhet të ketë patjetër konkretësinë. Mos të duket sikur po nxjerr tinguj të çuditshëm nga goja, por të jetë i vërtetë dhe i sinqertë.

D Duplex, çfarë është ky “Duplexi” i famshëm që po flitet kaq shumë këto kohë?

–  Duplex është upgrade i Apartamentit 2XL. Gjërat e rëndësishme nuk do ndryshojnë: spontaniteti, marrëdhënia e ngushtë me kolegët, dhe Turi si urdhërues; pra çdo gjë do mbetet njësoj, përveç sharmit dhe magjisë që do t’i shtojë skena dhe TV Klan.

– E për erosin… Atë e gjen ngado, edhe në klipe e në shfaqje teatrale. Pse ndodh kështu?

– Bota po ndikohet nga erotizmi dhe nudizmi. Po imponohen prej saj. E zhveshura shet, e zhveshura gjen punë. Kim Kardashian nuk ka asnjë talent. Ajo di vetëm të grimohet, dhe ja ku është, e të gjithë e dimë si arriti aty. Ne jemi të vegjël të ndryshojmë modele, por mjafton vetëm pak dinjitet dhe karakter për të bërë ndryshimin.

F për frikërat…Ke të tilla?

–  Frika është kundërshtari im më i madh. Ai s’ka besim tek unë. Gjithmonë më përndjek, për të mos më lënë të eci përpara. Por unë e marr me vete kudo, dhe i tregoj që ai është tepër i vogël për të më ndaluar mua. Ai ekziston vetëm në pasiguritë e mia, dhe unë bëhem çdo ditë dhe më i sigurt me veten.

– G për gazmor… a janë aktorët e humorit në përditshmëri po aq gazmorë sa edhe në skënë?

–  Të jesh aktor, nuk është e lehtë pikërisht për këtë arsye. Skena nuk është jetë reale, por ajo duhet të jetë e vërtetë. Në jetë jemi si gjithë të tjerët: të gëzuar, me humor, të acaruar, të lodhur, me nerva, shajmë në trafik, gabojmë, mërzitemi, lodhemi, heshtim, qajmë, luajmë, çmendemi. Tamam ajo që quhet jetë!

H për hutim… Je i bindur që do ta hutojë farë ky shoë juaj i ri publikun?  

–  Nuk dua të flas me rezultate. Dua të lë punën të flasë për ne. Por ne do bëjmë më të mirën tonë. Do jemi të freskët dhe modernë, të thjeshtë dhe popullorë. Do jemi të vërtetë!

I për inat… Je ndopak inatçor apo 5 minuta zgjat inati më i madh?

–  Inati është i dëmshëm. Kam shumë ambicie dhe sedër profesionale. Nuk më krijon inat asgjë përreth. Unë thjesht dua t’i arrij gjërat pa kopjuar dhe pa u shtirur, vetëm me meritë!

J për jetën… Pse është jeta kaq e shtrenjtë?

–  Jeta… jetë zeza, thuaj! Vetëm të zbresësh nga shtëpia, ke harxhuar para. As vetë s’e di se ku po shkon kjo botë e padrejtë. Jetë e shtrenjtë, njerëz super të varfër, dhe vetëm milionerë. Asgjë me balancë. Aspak e drejtë!

K për kalimtarin… Një tjetër aktor më ka thënë se i sheh kalimtarët me kujdes sepse kërkon të marrë prej tyre detaje që të mund t`i përdorë për personazhet e tij. Ndodh kështu edhe me ty?

–  Kalimtarët mbase më rrallë, por shoh çdo njeri me të cilin kam të bëj. Jeta reale është arti i vërtetë. Aktrimi është shëmbëlltyrë e zbukuruar apo e theksuar e realitetit.

Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *