Ajo quhet Feith Xhonson, është vetëm 17 vjeçe dhe, edhe pse ngjan një vajzë tipike amerikane nga lagjet e Bonksit, nisur edhe nga lloji muzikës që pëlqen dhe kërcen, është nga Irlanda. E veçanta e Feithit nuk është që ka pasion kërcimin, por që në videot që hedh në faqen e saj në Instagram, e shikon të kërcejë edhe me këngë të këngëtarëve shqiptarë. Dhurata Dora, Zajmina, Noizy… këta janë disa nga këngëtarët këngët e të cilëve Feithi i ka i ka kërcyer, duke postuar edhe klipe në faqen e saj në Instagram. Si është njohur ajo me muzikën tonë dhe çfarë e lidh me Shqipërinë? Unë u bëra kureshtare dhe e kontaktova për të realizuar me të një intervistë në të cilën do të mësoni shumë gjëra për Feithin, të cilën, pas kësaj interviste, ndoshta do të donit ta kishit shoqe…

Mia Buci: – Përshëndetje Feith! Shqiptarët e vetëm që të njohin ty, janë disa nga këngëtarët, këngët e të cilëve ti i kërcen. Në fakt, çfarë di ti për shqiptarët?
Faith Johnson: – Përshëndetje Mia! (Buzëqesh) Epo, në këto muajt e fundit kam marrë më së shumti dashuri nga shqiptarët, gjë që është shumë e këndshme… Kam marrë edhe pak urrejtje gjithashtu, por mendoj se shqiptarët janë njerëz të këndshëm dhe muzika e tyre është fantastike. Mund të thuash se është e ngjashme me çdo lloj muzike të huaj, qoftë ajo këngë e qetë apo rrep. I vetmi ndryshim është gjuha.
– Jam kurioze të di, cila nga këngët ka aftësinë të të “rrëmbejë” dhe të të detyrojë të ngjitesh në pistën e kërcimit?
– “Ti don” nga Dhurata Dora. Më pëlqen shumë ritmi në të dhe kjo është kënga e parë shqiptare me të cilën kam bërë një video duke kërcyer. Është kënga që startoi gjithë njohjen dhe vlerësimin që po marr aktualisht. (Buzëqesh)
– Dhurata Dora, Zaimina, Noizy janë disa nga artistët me këngët e të cilëve kërcen. Çfarë të tërheq më shumë tek ata?
– Muzika e tyre ngjan shumë me muzikën amerikane. Ashtu si muzika amerikane, edhe ajo shqiptare ka repera dhe Xhastin Bibera. (Buzëqesh) Ajo që i dallon është që flasin gjuhë të ndryshme.
– Si ka qenë reagimi i njerëzve pasi kanë parë videot e tua?
– Fantastik. Më bënin komplimente të tilla si “Je seksi” apo “Ke lëvizje mjaft të mira!”. (Buzëqesh)
– I ke zgjedhur këngët e radhës që do të shoqërojnë lëvizjet e tua apo ke nevojë për disa sugjerime?
– Zakonisht, e zgjedh këngën e radhës një javë përpara se të xhiroj, por ndonjëherë më pëlqen të marr edhe sugjerime nga fansat shqiptarë. Në fillim, dua gjithmonë të mësoj se me çfarë kënge do të donin të më shihnin duke kërcyer.
– Kur mori formë pasioni yt për muzikën?
– Lidhja ime me muzikën ka nisur qëkur isha 4 vjeçe. Mamaja ime e vuri re që unë vdisja të kërceja me çdo këngë hip ose R&B që dëgjoja. Do të isha gjithmonë në pistë duke kërcyer me miqtë e mi më të mirë sepse ne të gjithëve na pëlqente të kërcenim dhe të tundnim të pasmet. (Qesh) Deri tani, dashuria ime për muzikën nuk ka reshtur dhe nuk mendoj se do të ndodhë ndonjëherë.
– Me ç’lloj muzike je rritur?
– Unë jam një fëmijë i viteve ’90, kështu që jam rritur me muzikën R&B dhe Hip-Hop.
– A mund të më thuash të lutem 5 këngët më të mira tani për tani atje…
– 1.“Trap Queen” Fetty VVap. 2. “Can’t feel my face” VVeekend. 3. “VVatch me” Silento. 4. “Good for you” Selena Gomez. 5. “VVhat do you mean” Justin Bieber.
– Një vajzë shqiptare synon dy gjëra: Një edukim të mirë dhe një martesë të mirë. Cilat janë qëllimet e një vajze irlandeze?
– Unë mendoj se edukimi është i rëndësishëm bazuar në atë që ti do të bësh në të ardhmen. Nëse do të bëhesh avokat apo mësues, do të të duhet një shkollim për të, por nëse do të bëhesh një kërcimtar ose model, ato që të duhen janë aftësi të mira në kërcim dhe modeling, jo matematika apo historia. Megjithatë, besoj se çdo vajzë duhet të shkollohet. Unë gjithashtu besoj se një martesë e mirë është po ashtu e rëndësishme pasi një vajzë nuk do të dojë të shpenzojë jetën e saj me dikë që nuk e bën të lumtur apo nuk e trajton atë si duhet, por kjo nuk do të thotë që duhet të nxitohesh për t’u martuar. Merr kohën që të duhet për të shijuar jetën tënde përpara se t’ia kushtosh veten dikujt tjetër.
– Cili është stili yt i jetës?
– Stili im i jetës nuk mendoj se është si ai i shumë vajzave të tjera 16 vjeçare. Shumë njerëz, duke më parë, mendojnë se unë jam 18 vjeçe ose më shumë… Jeta ime e zakonshme? Shkoj në shkollë, në festa me miqtë e mi, bëj jetë nate, seanca fotosh, shopping me miqtë dhe, si çdo 16 vjeçare tjetër, kam nga ato ditët e plogështa, kur nuk dua të bëj asgjë tjetër përveçse të fle…
– Ke ndonjë mik shqiptar?
– Në fakt, kam vetëm miq amerikanë dhe anglezë. Nuk kam miq shqiptarë, nuk kam takuar ndonjëherë dikë nga Shqipëria, por do të më pëlqente, pse jo? (Buzëqesh)
– Nëse do të vije këtu, çfarë do të të pëlqente të vizitoje apo kë do të doje të takoje?
– (Buzëqesh) Po të vija në Shqipëri, do të doja të vizitoja Muzeun Historik Kombëtar për të mësuar më shumë për historinë e vendit dhe do të doja të vizitoja kalanë e Lëkurësit sepse duket një vend kaq i bukur dhe relaksues nëse do të bësh ca pushime në vendin tuaj…
– Cilat janë ambiciet e tua dhe çfarë po bën për t’i arritur ato?
– Do të doja të realizoja një karrierë në modeling. Modelingu është prioriteti im numër një tani dhe në të jam fokusuar më së shumti.
– Ke një personazh publik që ia vlen ta marrësh si shembull?
– Janë disa që më tërheqin apo frymëzojnë, por nuk kam ndonjë që ta marr si shembull.
– Çfarë tipi je?
– Veten do ta përshkruaja si një person të çmendur, por argëtues. Nuk jam shumë e shoqërueshme, ama mund të gjej gjithmonë mënyra për t’u argëtuar.
– Duke lënë mënjanë kërcimin, si të pëlqen ta shprehësh veten?
– Varet nga humori, por përgjithësisht, përmes muzikës. Nëse jam me humor të keq, mund të luaj një këngë agresive ose të trishtuar, por nëse jam e lumtur, mund të luaj një këngë që ka ritme të gëzueshme dhe që më vë në lëvizje.
– Ndjehesh e lirë për të bërë atë që do?
– Qëkur mbusha 16 vjeçe, jam ndjerë më e lirë se më parë. Nuk kam ecur gjithmonë sipas rregullave të vendosura nga mami. Jam e hapur me veten e trupin tim dhe tani që jam thuajse 17 vjeçe, do të kem shumë më shumë liri. Të jesh e lirë do të thotë të bësh gjërat që do, të jesh vetvetja…
– Si të bën të ndihesh dashuria?
– Në përgjithësi, mendoj se dashuria i bën njerëzit të ndihen sikur po pluskojnë mbi re, sikur nuk ka asnjë dhe asgjë përreth tyre. Gjithashtu, mendoj se dashuria mund të jetë e frikshme dhe thjesht ta shkatërrojë dikë sepse sapo ti dhe ai person jeni ndarë, gjëja më e vështirë është të përpiqesh të ecësh përpara dhe të harrosh lidhjen. Më e keqja është se ti do ta përjetosh këtë herë pas here derisa të gjesh të duhurin.
– Mendon se do të kishe rënë në dashuri me një djalë shqiptar?
– Nuk i dihet asnjëherë se çfarë mund të ndodhë. Nëse ndodh, le të ndodhë!
– Çfarë ke dëgjuar deri tani për ta? Ndonjë gjë të veçantë?
– Nuk kam dëgjuar ndonjë gjë të keqe për djemtë shqiptarë. Në fakt, nuk kam dëgjuar asgjë, por jam e sigurt që janë djem të mirë.
– Kush është personi që është shumë afër teje, tek i cili mund të mbështetesh në çdo kohë?
– Është mamaja ime, sigurisht. Jam vajza e mamit! (Qesh)
– Ke kërcyer ndonjëherë “Dirty dance” (kërcim të pistë) apo bën vetëm lëvizje “të pastra”?
– Unë kam kërcyer “dirty” më parë, por në videot që publikoj në faqen time në Instagram përpiqem ta mbaj “të pastër” kërcimin. Mund të filloj të shtoj pak lëvizje “dirty” thjesht për qejf… Kam shumë gjëra të reja që pres t’i publikoj në Instagram së shpejti dhe që kanë lidhje me kërcimin.
– Nëse do të kishe qenë protagonistja në filmin “Save the last dance”, çfarë do të kishte patur ndryshe në karakterin e Sarës?
– I vetmi ndryshim mes meje dhe Sarës do të ishte ndoshta baleti klasik. Nuk jam më e mira aty.
– Nëse nuk do të bëje këtë që bën tani, çfarë do të ishe duke bërë?
– Do të zgjidhja modelingun ose aktrimin, por kryesisht, modelingun.
– Cili është aktiviteti yt i preferuar, përveç kërcimit?
– Të këndoj.
– Cila është një gjë që njerëzit do të surprizoheshin po ta dinin për ty?
– Diçka që mund të surprizojë është se unë në fakt kam lindur në Holandë dhe kam jetuar atje deri 4 vjeçe. Gjuha ime e parë ka qenë gjermanishtja derisa lëviza në Irlandë, ku edhe mësova anglisht. Jam rritur në Irlandë, por shumë njerëz mendojnë se jam nga Amerika për shkak të mënyrës si flas dhe sillem. Duhet të them se jam ndikuar nga shumë gjëra amerikane, ja pse ngjaj si amerikane… (Qesh) Faktikisht, jam nga Irlanda dhe jetoj në Irlandë.
– Kënga e fundit që dëgjove sot?
– Marian Hill “One Time”.
– Motoja jote…
– Ji ti, pavarësisht gjithçkaje! Mos lër njeri të të vërë përfund sepse në fund të ditës, nuk ka më të mirë se ti!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *