Është pjesë e gazetës “Intervista” prej mëse një viti por lidhjen e tij me sportin e ka nisur që herët. Skerdi Pasha, instruktori që jep këshillat aq të vlefshmë çdo javë në gazetën tonë, këtë herë tregon ndryshimet që kanë pësuar njerëzit që i janë nënshtruar sportit dhe shumë e shumë sekrete të tjera të cilat duhet t’i zbuloni në intervistën që kemi realizuar me të!

 

– Skerdi, ti je pjesë e gazetës “Intervista” prej më shumë se një viti. E ke të vështirë të gjesh mënyrën e duhur që të përgjigjesh për lexuesit?
– Për mua është një eksperiencë e bukur dhe për këtë falenderoj gazetën “Intervista” që më dha mundësinë ku unë mund të transmetoj informacionin në lidhje me fitness-in. Në lidhje me pyetjen, do thoja që çdo përgjigje është e vështirë, sepse përpiqem që të jem sa më afër së vërtetës. Shkenca e fitness-it klasifikohet tek shkencat shoqërore, jo ekzakte, ku informacioni evoluon me një dinamikë të llahtarshme.
– Si arrin të kuptosh se për çfarë ka nevoje letërshkruesi?

– Duke pasur 10 vite që merrem me këtë punë, e njoh mjaft mirë problematikën që ekziston me një klient apo ushtrues. Çdokush e ka zgjidhjen brenda tij, dhe unë me përgjigjet e mia iu bëj të qartë që të shikojnë dritën brenda vetes për të marrë forcë dhe për t’u përmirësuar fizikisht.

-Ti vetë si i hyre rrugës së sportit apo më saktë trajnimit të atyre që duan të stërviten dhe të arrijnë një trup të bukur por edhe të shëndetshëm?

Unë jam marrë me futboll deri në moshën 22-vjeçare. Për arsye dëmtimi, hoqa dorë nga dashuria ime e parë. Duke qenë se adhuroj të qëndroj brenda botës së sportit, vura re që fitness-i më vetëaktualizonte dhe më plotësonte në këtë drejtim. Vetëm dashuria për profesionin është burimi i shërbimit dhe i kujdesjes ndaj ushtruesve të tu.

– Na trego pak më shumë për punën tënde, sepse di që je trajner për të gjithë moshat, por edhe vetë merresh me sport apo jo?

Kur fillova punë para disa vitesh, ardhja e femrave në palestër ishte tabu dhe arrinte deri në nivel paragjykimi. Ndërsa për moshën mbi 50 vjeç as që bëhej fjalë. Mendimi për fitness-in ishte i cekët. Njerëzit nuk kishin informacion. Sot shikoj një gjithëpërfshirje në fitness, ku marrin pjesë njerëz të të gjithë moshave, dhe është popullarizuar shumë edhe nga gjinia femërore. Gjithëpërfshirja është një tregues shumë i mirë, dhe për këtë ndihem i lumtur. Unë vetë stërvitem më shumë, krahas faktit që e kam pasion, sepse çdo masë muskulare të shtuar në trupin tim e konsideroj investim profesional tek vetja.

– Cilat janë kushtet që gjen kur vjen në palestrën tuaj?

Palestra jonë “Royal Fitness Club” ofron kushtet maksimale për ushtruesit e saj. Denis Hidri, pronari i palestrës, përpara se të bënte investimin, është konsultuar me mua për të marrë opinionin e një specialiste në lidhje me kushtet që duhen. Nga bashkëpunimi i trinomit “investitor-specialist-arkitekt” doli një projekt super i suksesshëm! “Royal Fitness Club” ofron programe fitness-i të personalizuara, aerobi, zumba, sauna dhe joga.

– Kur dikush vjen tek ty dhe të tregon se çfarë do të arrijë, e ke të lehtë të dallosh nëse do ia arrijë apo çfarë i mungon realisht atij/asaj që ke përballë?

Çdo njeri kërkon të arrijë maksimumin, por të gjithë ne jemi të limituar dhe s’mund të dalim nga kapaciteti ynë. I bëj të ndërgjegjshëm që të njohin limitet e tyre fizike, e më pas të ndërtojnë objektivat. Ashtu si thashë dhe më lart, çelësi i suksesit është brenda tyre.

-Ndërkohë unë kam disa foto të transformimit të trupit të disa njerëzve që janë trajnuar nga ty dhe shoh që ka rezultate të jashtëzakonshme. Si arrihen këto rezultate?
Në foto do të thoja që aty mishërohet apo konkretizohet dija e çdo trajneri personal. Individët në foto janë klientët e mi personalë, dhe unë ndihem shumë i lumtur për rezultatet që ata kanë arritur. Aftësia e një trajneri personal është të psikologjisë klientin e tij, të kuptojë se çfarë do ai dhe të përdorë mekanizma të përshtatshëm e të personalizuar për secilin individ. Çdo klient është një makineri më vete. Secili ka kodin e tij gjenetik. Reagimi i organizmit është unik tek gjithësecili. “Cili është sekreti?”- do thoni ju. Sekreti është të ruajmë sa më shumë muskujt kur asgjesojmë dhjamë, dhe kjo arrihet duke llogaritur kaloritë dhe masën proteinike dhe karbohidrate tek ushtruesit e mi. Tek fotot ku janë reklamuar këta ushtrues, midis tyre jam dhe unë. Dijet e mia i implementova tek trupi im, duke dhënë shembullin tim personal. Në këtë mënyrë, mora besimin e klientëve të mi.

-A të ka ndihmuar ky sport në afirmimin tënd personal por edhe të atyre që po trajnon?

Sigurisht që më ka ndihmuar, jo vetëm në satisfaksion material por edhe moral. Disa prej ushtruesve të mi iu ka ndryshuar jeta 100% për mirë. Kanë pasur rendiment në punë dhe në jetën e tyre sociale. Ku ka më mirë se të bëhesh i dëshirueshëm dhe i pëlqyeshëm fizikisht nga seksi i kundërt?

-Sa i kërkuar është trajtimi sportiv i palestrës? Sa interes ka?

Interesi është i madh, por njerëzit duhet të kuptojnë që nëse duan rezultate të mira, duhet të punojnë së paku dy muaj me një trajner privat, ku për një orë, trajneri të jetë 100% i përqëndruar tek klienti i tij.

Ka pasur raste kur je ndjerë i lodhur dhe ke menduar të heqësh dorë?

Kurrë s’kam menduar të heq dorë. E adhuroj këtë profesion.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kete shkrim mund ta lexoni te plote ne gazeten Intervista qe e gjeni në të gjitha kioskat e Shqipërisë dhe të Greqisë. Mund t’ua dergojme edhe në adresën tuaj te emailit për vetëm 99 cent në muaj. Kontaktoni me ne në inbox!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *