Related image

Ka ligje të shtetit që pasqyrohen në Kushtetutë

e në vendimet e dekretet e organeve më të larta të pushtetit dhe shkelësit e të cilave, dënohen nga gjykatat.

Këto ligje, zakonisht, respektohen nga frika e dënimit, megjithëse shumëkush edhe mund të mos jetë dakord me to. Por, ka edhe ligje morale, të cilat njerëzit i zbatojnë për të zgjidhur problemet që lindin gjatë përplasjes së interesave, karaktereve apo temperamenteve të tyre, në mënyrë që të jetojnë në harmoni pranë njëri-tjetrit. Këto ligje, natyrisht, nuk kanë qenë dhe nuk janë të përkryera, prandaj njerëzit, krahas respektimit, përpiqen t’i përmirësojnë vazhdimisht ato, duke ëndërruar krijimin e një njeriu të përsosur, ideal… Sipas një filozofi të ditëve tona, e vetmja rrugë që i lejon njeriut të kohës të jetojë në të ardhmen, është të kuptojë dhe t’i bëjë të vetat që tani ligjet e të qenit njeri i vërtetë… që ta quash veten dhe botën që të rrethon si një organizëm të gjallë, unik dhe të pandarë, që të veprosh vetëm ashtu sikurse të urdhëron zemra jote! Natyrshëm, lind pyetja: “Po a ka tanimë rregulla ose këshilla që na mësojnë se si të bëhemi njerëz?” Sigurisht që ka. Ja disa prej tyre, të zgjedhura nga mendimet më të mira të sociologëve dhe psikologëve të kohës sonë:

1. Pranoni se edhe ju nxeheni, zemëroheni dhe irritoheni, si gjithë të tjerët. Ky pohim do të jetë hapi juaj i parë drejt ekuilibrimit të ndjenjave dhe emocioneve tuaja.

2. Kuptoni më në fund se irritimi dhe agresiviteti i tepërt janë pasojë e drejtpërdrejtë e paaftësisë për të shfaqur mendimet dhe ndjenjat tuaja.

3. Mësoni të reagoni ndaj ngacmimeve shpejt, por mos i shprehni emocionet tuaja menjëherë. Analizojini më mirë faktet dhe përpiquni të gjeni mënyrën sa më të përshtatshme për t’u përgjigjur. Kjo është e domosdoshme jo vetëm në shoqëri, por edhe në jetën familjare sepse nuk është e vështirë ta lëndosh një njeri; vështirë është të heqësh përshtypjen e keqe që lë ky lëndim.

4. Më në fund, sqarojuani të tjerëve se ç’dëshironi prej tyre, thjesht, njerëzisht, duke përdorur një mënyrë të shprehuri të qetë dhe jo agresive. Po të përdorësh, bie fjala, shprehjen: “unë do të dëshiroja”, “unë do t’ju isha shumë mirënjohës (apo mirënjohese)” ose “unë  do të preferoja”, etj. në çfarëdolloj rastesh, reagimi do të jetë shumë më i arsyeshëm. Ta zëmë se bashkëshorti (ose bashkëshortja) merr një vendim pa të pyetur fare, pa të përfillur. Natyrisht, kjo të indinjon, por ti përmbahu dhe drejtoju atij në këtë mënyrë: “Nuk e di sa kam të drejtë, por kohët e fundit, po më krijohet përshtypja sikur ty nuk të intereson fare mendimi im për këtë çështje. Unë, natyrisht, do të dëshiroja t’i rrihnim këto probleme bashkarisht me të gjithë pjesëtarët e familjes, sepse secili ka dëshirat dhe mendimet e veta”.

5. Në rast se jeni shumë i acaruar dhe zemëroheni për hiçmosgjë, kërkoni te vetja juaj shkaqet e vërteta të këtij acarimi, sepse shpesh ndodh që prapa pakënaqësisë ndaj të tjerëve, fshihet pakënaqësia ndaj vetes, ndaj jetës sonë, fshihet mosbesimi dhe frika jonë.

6. Mënyra e jetesës në kushtet e një tensioni dhe aktiviteti të lartë në jetë ndikon patjetër te njeriu që ai të jetë i acaruar dhe i gatshëm për të reaguar në mënyrë agresive. Ky tension dhe acarim vjen si pasojë e ndeshjes së reagimit tonë me sjellje jo adekuate të njerëzve që na rrethojnë, kur na takon të ndeshemi me agresivitet, mungesë takti, mungesë mirëdashjeje etj. Po kështu, shpesh na irriton edhe lumi i negativiteteve që sjellin mjetet e informacionit masiv. Për të shpëtuar nga kjo, duhet të mos jemi shumë të dhënë pas lajmeve sensacionale mbi katastrofat dhe ngjarjet e ndryshme dramatike dhe tragjike. Këto lajme, na “kurdisin” keq. Përderisa kemi interes të lexojmë gjëra të atilla, ne, dashur padashur, me forcën e energjisë sonë,  ndihmojmë që ato të vazhdojnë, që rrjedha e emocioneve negative të mos reshtë. Një mijë herë më mirë është të mendojmë për gjëra të mira dhe çdo mbrëmje të mos e mbyllim ditën me krime e katastrofa, por me “lajme të mira”.

7. Përvetësoni disa teknika vetekuilibrimi, të cilat ju ndihmojnë jo vetëm të evitoni irritimin, por dhe të vendosni në vetvete, në shpirtin tuaj, një balancim harmonik. Joga, gjimnastika e organeve të frymëmarrjes dhe praktikat çlodhëse orientale janë mjet i fuqishëm për ta arritur këtë qëllim.

8. Në rast se dikush ose diçka ju irriton, shfrytëzoni të ashtuquajturën “teknikë mirënjohjeje”. Ç’është kjo? Ajo është një teknikë që në vështrimin e parë duket naive, por që është shumë efikase dhe i jep rezultatet shpejt, madje shumë shpejt. Sapo të ndjeni se po irritoheni, përpiquni ta falënderoni me mendje bashkëbiseduesin tuaj për gjërat pozitive që kishte ndërmend të thoshte. Faleni atë. Faleni veten tuaj për mendimet, fjalët që thoni dhe emocionet që provoni ndaj tij.

Shembull: Ju jeni zemëruar me shitësen sepse në vend që t’ju tregoje cilësinë e mallit që ju kërkoni, ju përgjigjet ashpër, madje edhe ju fyen. Pikërisht në këtë moment, ju mendoni: “Faleminderit që po më lë të kuptoj se në këtë dyqan nuk ia vlen barra qiranë të blesh ndonjë mall. Unë u nxeha, po ti me fal për ato që mendova dhe ndjeva për ty. Unë të fal ty, fal edhe veten time që u irritova”. Kjo teknikë është ndërtuar në bazën e parimit  se çdo sjellje niset nga qëllime të mira. Në rast se ju do të kërkoni në çdo ngjarje pikërisht diçka pozitive, atëhere shumë shpejt do të çliroheni nga irritimi, do të rifitoni qetësinë dhe do të mësoni të kënaqeni me të gjitha shfaqjet e jetës…

Ja pra, këto ishin disa nga ligjet që na mësojnë të bëhemi njerëz, të vendosim në shoqëri dhe, sidomos në familjet tona, ekuilibrin shpirtëror, të mbetemi të kënaqur nga njëri-tjetri dhe ta gëzojmë jetën së bashku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *