“The Voice Kids” është një nga spektaklet më të ndjekur në Shqipëri për momentin. Midis shumë fëmijëve që vijnë dhe shfaqin talentin e tyre në të kënduar, aty ka spikatur një vajzë plot gjallëri dhe potencë. Bëhet fjalë për Vivian Biagioni, e cila me këngën “Love so soft” nga Kelly Clarkson, mahniti të gjithë anëtarët e jurisë, duke marrë aprovimin e tyre. Gjatë performancës së saj, Vivian spikati me interpretimin e saj të fuqishëm, si dhe komente nga juria, që e cilësuan atë si “të sigurtë”, me aftësi të padiskutueshme të kontrollit të vokalit. Formati i The Voice botërisht nuk përqëndrohet në zbulimin e talenteve të rinj, por thjesht në kërkim të “zërit”. Edhe Vivian nuk është një amatore në fushën e muzikës dhe artit. Sa i përket muzikës, ajo ka arritur të prekë skenën e Sanremos, në evenimentin “Junior Sanremo” në vitin 2017. Gjithashtu ka qenë konkurrentë në Junior Fest, organizim i TVSH, me një krijim të kompozitorit Sokol Marsi. Biagioni gjithashtu ka lëvruar dhe në fushën e kinematografisë, ku ka qenë pjesë e kastit të filmit “Elvisi Kthehet në Shtëpi” (Elvis Walks Home) krah emrave të mirënjohur si Romir Zalla apo Amos Zaharia, si dhe në filmin “Warrior Road”, gjithashtu një produksion i freskët. Për Vivian, kënga nuk shihet thjesht si një profesion apo mënyrë jetese në të ardhmen. Është më shumë një pasion, një dashuri dhe një shprehi ndjenjash. Vivian këndon kudo, dhe muzikën e ka shoqe të ngushtë. Tashmë, ajo është pjesë e ekipit të Aleksandër dhe Renis Gjokës, dy vokaleve të fuqishëm të muzikës rock dhe të lehtë shqiptare. Është i pamohueshëm fakti që një zë kaq i formuar tashmë si ai i Vivian, udhëzuar mjeshtërisht nga dy profesionistë të skenës dhe artit, premton suksese të mëdha në vijueshmëri. E ardhmja i përket brezit të ri, dhe Vivian është një ambasadore e denjë e muzikës shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve. Ne i urojmë shumë suksese, me siguri të plotë se do të dëgjojmë shumë prej saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *