Nëse kërkoni Ryva Kajtazin, tre janë vendet ku mund ta gjeni: Në dyqanin e saj me fustane gala “Ryva dresses”, në koncerte dhe mbrëmje muzikore, ose në skenën e teatrit, ku së fundmi, ka bërë ca mungesa. Këngëtarja me diplomë në aktrim dhe prirje për biznes, e ndan kohën e saj mes këtyre tre pasioneve, ndërsa me ne ndan mendime për klipet e saj më të fundit, stilin e jetesës dhe mënyrën se si e përjeton gjithçka ndodh rreth saj…

Mia Buci: – Ryva, na trego të lutem dy fjalë për prurjet e tua të reja në muzikë…
Ryva Kajtazi: – Si gjithmonë, edhe këtë herë kam punuar me shumë dëshirë dhe pasion në dy këngët e mia të reja. Videoklipi i përshtatet mirë secilit tingull. Kënga e parë titullohet “Mos harro” dhe është një baladë e ndier. Kënga e dytë është “Pa ty”, një këngë e ëmbël, që tashmë e ka bërë për vete dëgjuesin.
– Çfarë është më me rëndësi për ty në sjelljen e një projekti të ri?
– Që brenda tij të ketë frymë timen, si në këngë, ashtu edhe në videoklip. Asnjëherë nuk tentoj të ndryshoj në thelb vetëm për hir të tendencave.
– Sa aktive je aktualisht me koncertet?
– Jam prej vitesh në skenë dhe motiv për mua ka qenë interesimi i publikut për të më parë në mbrëmje muzikore, koncerte e ahengje. Jam e kënaqur që jam kaq e zënë.
– Cila ka qenë kënga e parë me të cilën je shfaqur para publikut?
– Kënga ime e parë është “Paqanga”. Për atë kohë, ishte një këngë ndryshe me të cilën isha mysafire në festivalin “Polifest”. Me këtë këngë nisi edhe rrugëtimi im në botën e muzikës.
– Nëse do të flasim për matësin e suksesit të një artisti, cili do të ishte ai?
– Jetojmë në kohën e një morie barometrash, por unë them se publiku është fjala e fundit.
– Ku ndahen dhe ku takohen muzika, biznesi dhe aktrimi, për të cilin je diplomuar?
– Kudo duhet art, shije, finesë dhe shpirt.
– Në aktrim apo në këngë i ke patur duartrokitjet më të fuqishme?
– Duartrokitjet e fundit mbesin në kujtesë. Pra, janë ato të skenës së muzikës. Edhe në aktrim jam duartrokitur e do të duartrokitesha besoj edhe më shumë nëse do të aktivizohesha sërish.
– Më trego një nga rregullat e artë në biznes…
– Bëj më të mirën, edhe nëse të duket sikur nuk po e merr më të mirën.
– Eventi apo koncerti më i veçantë, që e kujton me nostalgji?
– Ka shumë dhe mirë që ende nuk jam në fazën që më duhet të bëhem nostalgjike për koncerte. Sigurisht, mbrëmjet e Diasporës janë gjithmonë shumë të bukura, sepse aty ka zjarr.
– Sakrificat që ke bërë në emër të profesionit…
– Ndonjëherë duhet të dalësh nga vetja, gjë që mua nuk më pëlqen. Por, ky profesion ka raste kur të nxjerr nga vetja jote. Më besoni, është sakrificë.
– Cila është kënga që do ta veçoje për mesazhin dhe emocionin që përcjell?
– Ka këngë të bukura e me mesazhe, edhe të forta. Kënga ime e fundit është emocionale dhe prek në tel…
– Cilat janë fjalët e duhura për të të përshkruar?
– E papërshkrueshme!
– Cila është gjëja së cilës i përkushtohesh më tepër?
– Familjes, muzikës, shëndetit.
– Ç’lloj propozimi do ta merrje seriozisht në konsideratë?
– Një rol në Hollivud. Pse jo?
– Kur mendon se është koha e duhur për të nisur një familje?
– Shumë shpejt.
– Do të adoptoje një fëmijë?
– Është gjest i bukur dhe human.
– Çfarë mendon kur dëgjon për çifte që bashkohen dhe ndahen sot?
– Jeta ka të mirat dhe të këqijat e saj. Asgjë nuk është kopësht me lule; as dashuria.
– Dashurinë dhe urrejtjen një fill i ndan…
– Mua më duket se i ndan një botë e tërë, sepse ato janë dy botë të kundërta.
– Ke thyer ndonjë rregull deri më sot apo ke ecur gjithnjë konform rregullave?
– Nuk jam robot, andaj ka raste kur me ose pa dashje thyej ndonjë rregull. Pastaj, çdo rregull ka përjashtim.
– Cila është një pyetje që ia bën shpesh vetes?
– Ku je?
– Çfarë e bën një njeri interesant?
– Karakteri.
– Me kë të thonë se ngjan?
– Nuk para më thonë se ngjaj me dikë.
– Syri yt kritik, çfarë të thotë për veten?
– E kam mbyllur me flokë atë sy… Nuk sheh prej kohësh. Nuk jam perfekte, por jam mësuar ta dua dhe ta respektoj veten.
– Me apo pa çfarë bota do të ishte një vend më i mirë?
– Me më shumë paqe, me më pak urrejtje, dhunë…
– Më shumë muzikë, do të thotë më pak çfarë?
– Më pak seriale.
– Çfarë gjendet me shumicë në shoubiz sot?
– Strategji.
– Çelësi për të mbetur sa më gjatë në vëmendje…
– Të qenit aktive dhe t’u përshtatesh preferencave të publikut.
– Cili është kufiri mes të mundurës dhe të pamundurës?
– Paraja.
– Cila është arma jote e fortë?
– Unë.
– Kur do të jenë projektet e tua të reja?
– Së shpejti…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *