– I nderuar doktor Islamaj! Një vit më parë jam shtruar urgjentisht në spitalin e Neuro-Kirurgjisë për Aneurizëm. Më thanë se ishte çarë një venë në tru, por nuk ndërhynë me operacion, sepse siç dëgjova, nuk kishte qenë venë kryesore. Më mbajtën shtrirë për 15 ditë, pa u çuar fare nga shtrati (as për të vajtur në banjo) dhe më mjekuan me Nimotop, çdo 4 orë nga 2 kokrra, ditën dhe natën. Pastaj më bënë daljen dhe vazhdova edhe ca, Nimotepin në shtëpi, duke e ulur gradualisht dozën, derisa kura mbaroi. Porosia kryesore e mjekëve ishte të mbaja nën monitorim dhe kontroll të vazhdueshëm nivelin e tensionit arterial, duke mos e lënë kurrë që të kapë nivele të larta. Marr Diovan 160 mg dy herë në ditë, më mëngjes dhe në darkë. Marr Lerkanil në drekë dhe Bisocor për ritmin e zemrës, ½ në mëngjes dhe ½ në darkë, por në raste të veçanta më është dashur të marr edhe 1 komplet. Ishit ju që më rekomanduat të bëja një Anxhioskanner dhe aty doli që kisha aneurizëm. Tani vij tek arsyeja kryesore e kësaj letre. Jam 81 vjeçe, kam zhurma në veshë si stuhi ere. Kam 26 vjet që bashkëjetoj me to, ditë e natë dhe tashmë jam mësuar e i kam pranuar. Kam dëgjuar që për zhurmat e veshëve, mjekët otojatër rekomandojnë Xingo Max (Bilboa). Unë e provova disa ditë nga 1 kapsulë në ditë dhe m’i uli dukshëm zhurmat. Mirëpo, lexova pastaj një rekomandim që ishte i shkruar te kutia ku thuhej: “Nëse merrni antikoagulantë, pyesni mjekun, para se ta merrni këtë preparat”. Unë marr çdo ditë Aspirinë protect, për të mos e lënë gjakun të trashet. Dikur merrja Sintrom 6 vjet me radhë, por për momentin që u konstatua aneurizma, mjekët në spital ma hoqën Sintromin. Gjithë kohën që ndenja shtruar atje, nuk mora asnjë hollues, pastaj kur dola, më thanë ta zëvendësoja Sintromin me Aspirinën. Tani unë dua mendimin tuaj, që ka shumë rëndësi për mua. Meqë Xingo Maxi (Biloba), ndikon në mikroqarkullimin e gjakut në tru, ju si thoni, a do të ndikonte për keq, në rastin tim, për aneurizmën? A do ta hollonte së tepërmi gjakun, ngaqë marr edhe aspirinë? Përse shkruan kutia: “Pyesni mjeku, para se ta përdorni këtë ilaç”? Ju lutem, më ktheni përgjigje. Me shumë respekt dhe faleminderit. Një 81 vjeçare nga Tirana.
Dr. Agron Islamaj, neurolog: – E nderuar 81 vjeçare, faleminderit për letrën tuaj! Aneurizmat janë formimi i disa qeseve në enët e gjakut të trurit. Ato, si pasojë e tensionit të lartë, ose streseve (situatave të vështira psikologjike), ose e përdorimit të disa barnave, mund të çahen e të japin hemorragji në tru. Është kjo arsyeja pse juve ju është rekomanduar heqja e sintromit dhe përdorimi i Aspirinës protekt (100 mgr) e cila në dozën që është, ka pak mundësi për të mos thënë fare që të japë pasoja, siç janë çarja e tyre e gjakderdhja në tru, prandaj ajo mund të përdoret si e tillë, por vetëm nën kontrollin e ne mjekëve specialistë.
Gjithashtu, duhet të përdorni dhe të mbani në kontroll të vazhdueshëm tensionin arterial, sepse ky është një shkaktar kryesor i pasojave në tru.
Për të shmangur çdo efekt të padëshirueshëm të preparatit gingo-max, do të këshilloja që të merrnit kryesisht vitaminë të grupit B (B1 e B6). Së fundmi, ju falënderoj për fjalët e mira dhe besimin që keni në adresën time.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *