Nga Fabjola Kuburi

-Anxhela të njohim si psikologe mjaft të suksesshme, si një shkrimtare e apasionuar pas letërsisë me libra të botuar, dhe tanimë do të njohim edhe në një tjetër dimension si nënë. Si e prite lajmin e ëmbël, çfarë ndjesish u krijuan tek ty?

-Unë dhe im shoq kishim kohë që dëshironim një fëmijë, por lajmi erdhi në një moment tepër të vështirë për mua. Pas 40-të ditësh që unë kisha humbur nënën time, testi i shtatzanisë rezultoi pozitiv. E konsiderova si shpërblimin e një humbje kaq të thellë sa nuk kam ende një përcaktim. Gojëdhënat thonë se kur largohet nga jeta njeriu që ti do më shumë, thotë një dëshirë për ty. Ky lajm ishte burim drite brenda shpirtit tim.

-Po me bashkëshortin si i ke krijuar raportet? A mbetet ai mbështetje e madhe në çdo hap tëndin?

-Kam parimin se; një çift nëse nuk ka si qëllim respektin dhe mbështetjen  ndaj njeri–tjetrit nuk mund të ketë vazhdimësi me të tjera parime apo ndjenja më të rëndësishëm.

-Puna, familja, pasioni për të shkruar, si bashkërenditen këto hallka tek ti?

-Kur je beqare prioritet ke vetëm veten, ëndrrat e tua përpiqesh ti realizosh. Lodhesh vetëm në emër të vetes. Kur ndryshon status të qënit bashkëshorte, nënë, do përpiqesh të vendosësh standarte më të larta. Vetë jeta merr tjetër kuptim kur ke familje. Nuk është çështje detyrimi, apo të të brejë ndërgjegjia. Është dashuri, dëshirë për të qënë pranë familjes. Puna ime si psikologe është më shumë se një profesion apo të qënit një profesion i bukur. Të të besojë njeriu thelbin e vetes, shpirtin, mendjen, traumën, elemente të cilat klienti apo pacienti as vetvetes nuk ja thotë me zë. Është privilegj i madh. Përgjegjësi sublime e konsideroj. Brenda këtyre dy të fundit do thoja që ka një lum cilësish të nivelit të lartë, për të përvetsuar dhe bërë punën si duhet. Letërsia për mua është çlodhja e gjithshkaje. Më freskon, më përmbush më shumë. Ndjej të them është si ylli me xixa në majën e piramindës.

Si e ke skalitur në mendje mëmësinë?

-Ndoshta është herët për të thënë një përfundim mendoj se unë dhe fëmija im do rritemi sëbashku. Dhe ai do më mësojë mua shumë gjëra. Në mendje kam mëmësinë e time mëje. Të trajtuarit fëmijën me personalitet, t’i falësh mbështjetje, të jetësh aty për të për ta dëgjuar në çdo gjë që thotë pa i konsideruar ato si të parëndësishme. Fëmiija kur të rritet do ti mbeten kujtimet. Nuk ka pasuri më të madhe se kjo, të kesh kokën dhe zemrën plot me ngjarje të ngrohta. Fëmijëria është pothuajse gjithë jeta, brenda psikikës së njeriut.

-Ti nuk do jesh nga ato nëna që do doje t’a kishe fëmijën para syve të tu gjithë kohës apo jo?

-Secila nënë ka formën e saj të prindërimit. Qëllimi im do të jetë ta bëj atë të pavarur e të mos ketë nevojën e dikujt për t’ja dalë mbanë. Mendoj se do e kem gjithë kohës nën vëzhgim. Por jo e të qënit e fiksuar apo merak i panevojshëm për të. Kjo do e bëntë fëmijën të ndiheshe disi i pazoti.

– Çfarë është fëmija që po prisni djalë apo vajzë? A pati rëndësi gjinia e bebes për ty dhe bashkëshortin, cili ishte reagimi juaj?

-Im shoq ka një debulesë për fëmijët. Ne kishim dëshirë për të patur fëmijë. Nuk kishte rëndësi gjinia për ne. Me këtë shtatzani kam rikonfirmuar edhe njëherë shoqërinë tonë se sa maskiliste është. Dhe të vjen keq që dhe vetë gratë kanë një frymë maskiliste të theksuar. Më parë njerëzit janë gëzuar për gjininë që është djalë sesa për ardhjen në jetë të një fëmije. Këtë e kam konstatuar tek shumë njerëz të afërm e të largët, të njohur e të panjohur. Saqë shpesh herë kam qeshur me reagimet e tyre. Përse ata ndjenin gëzim për djalin tim. Fëmija është marrëdhënie, lidhja që krijohet me të, nuk ka të bëjë gjinia. Dashuria për të duhet të jetë pa kushte, jo me përzgjedhje gjinore. Nuk dua të mendoj për një grua se e ndjen më pak apo më shumë mëmësinë në gjininë e fëmijës.

-Keni menduar një emër për fëmijën?

-Po, im bir do të quhet ANDREI. Emrin e ka menduar babai i tij. Bashkoi emrat tanë, është gjithashtu dhe emri i një futbollisti të madh Andrei Shevchenko. Pasi ai vetë ka qënë futbollist. Shën Andrei është apostulli i parë që thirri Jezu Krishti. Im shoq është ortodoks përkon dhe me fenë që i përket. Të dy e deshëm shumë këtë emër. Besoj se e pëlqen dhe fëmija sa herë e thërrasim në emër reagon me lëvizjet karakteristike brenda në bark.

-Një psikologe shkrimtare, ku e gjen lidhjen letërsia me psikologjinë, ku e kanë pikën e takimit?

-Mendoj se asnjëra nuk bën dot pa njëra tjetrën. Në një intervistë tjetër jam përgjigjur se çdo shkrimtar është pak psikolog. Për të krijuar një libër me ngjarje, dhe historinë e saj, personazhet dhe dinamikat që mund të përmbajë vepra kërkon njohjen e thellë të qënies njerëzore. Talenti dhe puna bën më pas veprën e mirë. Sigurisht të qënit shkrimtar është fjalë e madhe, shumë të tillë ja dedikojnë jetën vetëm shkrimit dhe profesioni i tyre i përditshëm është pikërisht ky. Në një të ardhme e shikoj veten ku pjesën më të madhe të kohës ja dedikoj shkrimit.

-Unë përshembull shkruaj shumë natën, e gjej frymëzuese, çlodhëse. Po ti vetë, a e ke magjinë e natës edhe magjinë e të shkruarit?

-Në fillore kam spikatur për shkrimet, dhe mësueset e mia aso kohe e vini në dukje këtë. Kështu në periudha të ndryshme zhvillimi mendor dhe personal frymëzimin e gjeja tek e përditshmja. Libri im i parë ka qënë me poezi në 2008, kam guxuar herët për të botuar. Më pas frymëzimi dhe pjekuria për letërsinë frymëzimin e kanë kthyer dhe në punë. E shpeshherë dhe në vullnet për t’i çuar gjërat deri në fund. Për frymëzimin mund të them gjithashtu se ka patur periudha para se të flija, në ato valët e para të gjumit më vinin shumë mendime, dhe i hidhja në letrën mbi komodinë sepse e dija që të nesërmen do ti harroja.  

-A ke krijuar një poezi për birin, si dhuratë të parë shpirtërore?

-Ende jo, kam krijuar ninullë për të. Të cilën ja këndoj herë pas here.

-Çfarë parimesh didaktike ndjek kur shkruan? Ku e merr burimin për të krijuar poezitë e bukura?

-Autori ka veçantinë e tij se ku ngacmohet dhe gjen muzën e frymëzimit. Varet çfarë pëlqen dhe dëshiron ta sjellë atë nëpërmjet gjuhës së letrave. Poezisë kam kohë të cilës nuk i dedikoj aq shumë vëmendje si më parë. Edhe pse dy librat e mi të parë kanë qënë me poezi. Kam shumë të tilla të pabotuara ende nuk e di kur do ti nxjerr në dritë. Po punoj në romane tani prej vitesh. Po gjendem mirë këtu.

– Ti je një nga personazhet më të kompletuar, e arrirë, e suksesshme, a duhet të besojmë se gjithë çfarë ti ke arritur është gjithashtu si rezultat i një fëmijërie të bukur e të mbarë ?

Jo domosdoshmërisht. Nuk kam mendim të tillë, sepse fëmijëria për këdo mund të ketë mesazh specifik ose jo. Mund të jetë një fëmijëri e hidhur dhe shumë shkrimtar të botës e kanë sjellë atë nëpërmjet veprës së tyre. Fëmijëria është e rëndësishme për shëndetin mendor të njeriut. Ato kujtime dhe ngjarje në vegjëli kanë vendosur themelet e personalitetit. Në librat e mi, ka elementë të fëmijërisë, apo të jetës sime, si çdo shkrimtar apo njeri të letrave.

– Gjatë kësaj kohe i ke ndërprerë angazhimet profesionale apo ke vazhduar njëtrajtshmërisht?

-Po vazhdoj të punoj deri në ditën që do të lind, në zyrën time sigurisht. Kam klientë të cilëve nuk mund t’ju ndërpresë seancat pa mbaruar me ta. Pushimet do i marr kur të vijë bebi në jetë. Dëshiroj ti dedikoj kohë cilësore.

 – Çfarë do kujtosh dhe s’do harrosh asnjëherë nga kjo pritje e ëmbël?

-Mënyrën se si njerëzit janë sjellë me mua.

– Çfarë zë tani 100%të kohës tënde?

-Tani do thoja puna, dhe përjetimi i marrëdhënies me fëmijën tim edhe pse në shtatzani. Është magjike, bekim i madh dy njerëz brenda një trupi, dy shpirtra, dy zemra, ti i flet ai reagon, ky sinkron nuk ka çmim e as fjalë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *