Tiri është fituesi i madh i “The Voice of Albania 5” dhe pjesëmarrja në këtë kompeticion talentesh muzikore, i shtoi akoma më shumë vlera sepse ai e tregoi që pasioni dhe talenti, tek ai janë me doza të larta. Ai ishte “nxënësi” i mjeshtrit Sidrit Bejleri, një nga trajnerët e këtij spektakli. Si u ndje Tiri kur dëgjoi emrin e tij për çmimin e madh, nga kush e mori urimin më të bukur e më të ndier dhe çfarë do kemi në vazhdim nga ai, Tiri e thotë në intervistën e mëposhtme…

Fabjola Kuburi: – Përshëndetje Tiri, si je?
Tiri Gjoci: – Jam mirë, ndihem shumë i lumtur dhe po shijoj momentin, edhe pse ende nuk jam ndërgjegjësuar plotësisht për atë çfarë ka ndodhur.
– Si ka ndryshuar jeta jote profesionale pas pjesëmarrjes në “The Voice”?
– “The Voice” më bëri më të fortë. Ka qenë një luftë e fortë psikologjike, më mësoi me sfidat e gjithashtu, më bëri të kuptoja se sa shumë punë kam për të bërë! (Buzëqesh)
– Mendo sa do ndryshojë tani, pas fitores!
– Mendoj se tani jam një shkallë më sipër, por njëkohësisht, di që kam edhe shumë të tjera për të ngjitur.
– A ndihesh VIP tani?
– Ndihem i vlerësuar! Shqiptarët më zgjodhën mua, zërin e tyre të vitit. E ku ka më bukur sesa të vlerësohesh, pas gjithë asaj pune të madhe?
– Kur kalon rrugëve, njerëzit të njohin dhe të përshëndesin. Të bezdis ky fakt, apo je mësuar?
– Për mua, nuk ka ndjesi më të bukur sesa vlerësimi.
– Çfarë do të kujtosh gjithmonë nga kjo eksperiencë?
– Ishte një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë. Emocionohem kur mendoj se sa shumë ishim dhe sa gallata bënim. Deri më tani, ka qenë, sigurisht, eksperienca më e bukur e jetës sime. Jam njohur me njerëz të mirë, me këngëtarë të mirë dhe pata fatin e madh të punoja me një trajner dhe njeri të mrekullueshëm si Sidrit Bejleri.
– E mendoje të vështirë këtë eksperiencë?
– Patjetër, askush nuk tha që do të ishte e lehtë. Isha impenjuar shumë dhe e pata marrë me shumë përgjegjësi.
– Cilat ishin pritshmëritë e tua? Synoje për çmim të parë?
– U bëra pjese e “The Voice” si pa kuptuar. Duhet të theksoj që nuk kam qenë kurrë tipi i kompeticioneve të tilla, mirëpo këtë vit diçka brenda meje më bënte të kuptoja që duhet të shkoja. Vëllai im kishte që vitin e kaluar që më thoshte që duhet të merrja pjesë. Këtë vit shkova bashkë me të për t’u informuar rreth “The Voice” në Top Channel dhe aty nisi gjithçka. Pastaj, të futesh në fushë dhe të mos e mendosh fitoren, është dobësi.
– Prandaj në intervista të ndryshme ke thënë se fitoren ia dedikon vëllait?
– Që në fillimet e mija, ai ka ndikuar shumë tek unë. Ai më orientoi te rrymat muzikore të cilat unë sot dëgjoj dhe luaj. Ai ka qenë pranë meje kudo ku angazhohesha dhe në fund, po ai ishte që më tha “ti duhet të shkosh te “The Voice”!”.
– Mesazhi më i bukur që të erdhi pas performancës finale?
– Ka pasur aq shumë mesazhe të bukura sa nuk mund të veçoj një të vetëm. I falënderoj të gjithë për mesazhet, meqë jemi këtu. Nuk mund të lë pa përmendur momentin kur babai më telefonoi dhe më uroi. U emocionova shumë! Emocione kam patur gjithë kohën, por u mundova t’i ktheja në emocione pozitive që edhe të mund t’i transmetoja. Më pas, në momentin final të çmimit, mund të them që ishte një “black out” total…
– Nga të gjitha këngët që ke performuar, cila ka qenë ajo që nuk do ta harrosh kurrë?
– Pa dyshim, balada e fundit, “Sound of Silence”. Ishte dashuri me dëgjim të parë ajo këngë kur ma tregoi Sidriti dhe bëra çmos që ta këndoja. Sidriti ishte në mëdyshje sepse kënga ishte tepër e vështirë.
– Po ajo tek e cila edhe ti vetë je ndjerë pak më dobët?
– Jam munduar që të gjitha këngët t’i sjell në stilin tim, pasi disa nga ato nuk ishin në karakterin tim dhe besoj se ia kam dalë mbanë. Ka pasur javë në të cilat nuk kam qenë në gjendje të mirë shëndetësore, por gjithsesi, deri në pikën e fundit, ia dola.
– Dimë që kërkesat për ty, pas “The Voice”-t, kanë qenë të shumta…
– Patjetër, kam pasur shumë kërkesa për të performuar në koncerte dhe për të kënduar live në lokale të ndryshme të kryeqytetit dhe jashtë.
– Preferon të këndosh vetëm live?
– Pse, si këndohet ndryshe? (Buzëqesh) Që në moshë të vogël, jam angazhuar me muzikë live nëpër lokale të ndryshme nëpër Shqipëri, kështu që përgjigjja ime është po, absolutisht po.
– A është shtuar suksesi me vajzat tani?
– (Qesh) Nuk mund të them jo. Më duhet t’i falënderoj për mbështetjen që më kanë dhënë gjatë gjithë këtyre javëve!
– Cila është rryma muzikore që të pëlqen më shumë?
– Ka disa: post grunge, alternative rock, pop rock…
– Do të të shikojmë së shpejti me ndonjë këngë të re?
– Patjetër që po, jam duke punuar për këtë. Shumë shpejt do publikohet kënga bashkë me klipin. Më pas, projekte të tjera na presin, “just stay tuned” (vetëm më ndiqni)!
– Ti ke një bashkëpunim shumë të bukur me të ndjerin Dr Flori. Sa more nga ai bashkëpunim?
– Të jesh i ftuar për bashkëpunim nga një ikonë e muzikës shqiptare si Dr. Flori, pa dyshim është privilegj! Ishte një arritje e madhe për karrierën time artistike.
– Cili është bashkëpunimi që e ke ëndërruar gjithmonë?
– Ka disa artistë shqiptarë të cilët më pëlqejnë shumë dhe sigurisht që do të doja të bëja një bashkëpunim me ta. Mendoj se ëndrrat realizohen dhe unë preferoj të mos tregoj emra, ama jam në tratativa për një bashkëpunim të radhës.
– Tiri, ne ndërkohë, nuk dimë asgjë për jetën tënde private… Je singëll apo çift?
– Unë besoj se një raport i shëndetshëm, do vëmendje dhe unë vëmendjen ia kushtova plotësisht “The Voice of Albania 5”.
– Je person që kur e fikson diçka në mendje, e bën medoemos?
– Unë nuk besoj te horoskopi, por gjithsesi, Akrepat shquhen për vendosmëri dhe ambicie…
– Zhgënjimet më të mëdha i ke marrë nga…
– Të gjithë besoj se jemi zhgënjyer një herë në jetë dhe të gjithë kemi kaluar periudha të jetës, për të cilat nuk duam të flasim.
– Premtimi i fundit që ke bërë?
– I kam premtuar aq shumë gjëra shoqërise në rast se fitoja “The Voice”, saqë nuk premtoj më, sa të kem jetën! (Buzëqesh)
– Cilat janë planet e tua për të ardhmen?
– Plani i parë është kënga e radhës e më pas do të punoj për albumin tim. Gjithashtu, një ndër projektet që kam ndërmend të realizoj është risjellja e këngëve të vjetra shqiptare në versionin “Tiri”, në një CD. Shpresoj që publiku të vlerësojë projektet e mia të radhës ashtu siç bëri te “The Voice”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *