Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju
– Anglisht apo rusisht t’ia bëj urimin “Nadjezhe”, apo “Svetllae”, apo “Ljuba”, kësaj gruas ukrainase, që i bie 3 herë me vrap itenerarit: diga e liqenit, shkolla “VVillson”. O Zot, çfarë trupi! E “hathshme”, thonë shkrimtarët në kësi rastesh. Pa pikë dhjami. E gjatë, me ata sy sa të zgjuar dhe të bukur. Pa le kur del me karrocë me bebin. Atëherë, po! Atëherë, ajo ndalon dhe flasim. I dëgjoj si ulërijnë të shkretat ndjenja poshtë kapakut prej hekuri që lexon: “63 vjeç”. Ah, sa i dëgjoj… Po goja dhe pena, më thotë vetëm “Gëzuar 8 Marsin, moj gocë Ukraine!”
– Me tufën prej 10 gazetash “Intervista” nën sqetull, po ngjitesha nga liqeni. Atë që bëj përditë. Mirëpo, mëngjesi i asaj të shtune, më “dhuroi” një “derr” shiu, që unë e di. U struka diku aty te garda dhe thashë “Ëhë, iku kjo ditë pa fizkulturë!”. Mirëpo Zoti, Zoti i madh, me pruri pranë një plak kuksian, mbi 70 vjeç. E njihja, por emrin nuk ia dija. Më ngeci me zor çadrën e tij dhe vetë u fut tek e Dashos, shokut. Epo, ç‘të them unë për ty o Bashkim Peposhi?! E tha një tjetër në fakt: “Se ka të tillë njerëz, jeta ia vlen të jetohet”. Të përqafoj fort. Ke fituar një mik që nuk të tradhton kurrë. Quhet Flamur Bërdëllima! Aferim.
– Ti, i dashur Naçi (Stefan Pinguli) gjithnjë ke qenë aktiv në prononcimet mediatike dhe sinqerisht gjithnjë sjell një “produkt” sa të pjekur në ide, aq edhe të pëlqyeshëm intelektualisht nga një masë e madhe njerëzish. Dhe ajo që të dallon: Nuk ke mllefe, ke sugjerime për shokun dhe partnerin shtet. Pra, nuk e konsideron kundërshtar e aq më pak armik. Me një gjuhë miqësore, argumentuese. Të uroj për të gjitha këto, miku im i vjetër Naçi!
– Eris quhet vajza e njërit prej miqve të mi më të ndershëm, Arqile Dhamo. Ky 7 Mars që iku, e gjeti Erisin, pedagogun e Fakultetit të Sociologjisë në UT, me titullin Doktore e Shkencave. Dhe çfarë teme! Atë për moshat e treta, që janë dobësia ime. Me vajzen e saj të vogël, takohemi më shpesh, se Arqileja dhe bashkëshortja e tij (edhe ajo ish-mësuese) nuk e ndajnë nga vetja. Nuk më harrohet tufa e saj me lule në ditëlindjen time. Po që të kthehem te ti, Bris: Bëja “bam” edhe me një fëmijë tjetër, që do të thotë lumturi tjeër, ti o Doktore e Shkencave! Urime nga zemra.
– Ka kohë dhe kohë që “festa e Veres” nuk festohet më vetëm në Elbasan. Si një promovim i ri i përtëritjes së jetës, ajo është brenda çdo individi dhe komuniteti. Në këtë kontekst, urimet e mia më të thella shkojnë edhe për ty, i dashur Fran Frrokaj, njeri fisnik, gjithnjë i palodhur, në krye të punëve, aty në Lezhen e shenjtë të shqiptarëve. Të përqafoj fort! Begati dhe lumturi në familje. Urime edhe Denisës, për një bebe të bukur!
– Përjashtimisht fushave ku operoni (ndërtim, media, etj.) unë them, i dashur Adi, se thelbi i imazhit tuaj si vëllezër është Qytetaria. Në dukje, një fjalë e lehtë. Në fakt, më e rëndë në peshën e një karakteri njerëzor. Shfrytëzoj afrimin e festës së pranverës t’ju uroj ta përcillni fort këtë sjellje qytetare, edhe te fëmijët tuaj. Flas për Adin, Tanin, Gencin, patjetër. Ju uroj fort nga zemra: Gjithë të mirat Dulakë të mrekullueshëm!
– Ah, ju “pleq të Liqenit” që do ma hani zemrën! Jeni 5 apo 10 vjet më të mëdhenj se unë, jeni profesorë, dotkorë, ish-oficerë, ish-mësues, që dilni, dilni dhe prapë dilni, aty ku kemi prezent atë, mikun e madh, që e keni dhe pa lekë dhe që quhet oksigjen. Po të bëj lojëra fjalësh me këtë oksigjenin, unë e di se ku e nxjerr po sot po them: Gëzuar Ditën e Verës, ju miqtë e mi pleq të liqenit. Ah, sa të mençur që jeni dhe sa fort e duam njëri-tjetrin! Gëzofshi edhe 100 festa të tjera vere, ishallah!
– I dashur Niko! Siç thotë një mësues i vjetër mirditor Dod Laza (babai i kryetarit të kombëtares të futbollit): “Kapidanë nxjerr Mirdita, se do pranverën të jetë e lirë”. Pra, e do pranverën. Do edhe lirinë. Lirinë e mendimit, të përditësuar nga ky apo ai… Se brenda këtij konteksti të shoh, miku im i mrekullueshëm, Nikolin Jaka. Të uroj fort në këtë atmosferë pagane, po kaq njerëzore të Ditës së Verës. Të përqafoj!
– Jo me dhjetëra, po me qindra dhe jo vetëm në Tepelenë, Gjirokastër, Durrës e Shijak, edhe në Shkodër, Vau i Dejës, Pukë, Elbasan, Përmet, Vlorë, etj. etj. më kanë thënë “Aaa Agron Duka, djalë flori”, çun i buzëqeshur. I qesh shpirti, etj. të ngjashme, që mua më kujtojnë praktikën dhe milionat e krahasimeve të saj, me çeljen e jetës, me buzëqeshjen e saj. Epo, atëherë jam në linjë, shoku im i shtrenjtë Agron. “Gëzuar familjarisht” Ditën e Verës. Përqafime të veçanta, djalit aq të edukuar. Urime!
– Kur të takoj ty, miku im, Agron Aranitasi them me vete: “Sa i fortë që i kalon ankthet e përkohshme të jetës… që kanë qenë kaq të mjegullta, po të tmerrshme”. Gjithsesi, ti u ktheve në Tiranë, me një forcë të mahnitshme kontrasti. Në fakt, unë të flisja frengjisht, edhe atje, ku të tjerët kishin frikë të rrinin me ty. Në Fushë Arrëz, pra. Të flas edhe tani që je kryeinxhinier i RTSH-së. Oh, sa kënaqem me çiltërsinë tënde dhe për faktin që nuk do t’i dorëzohesh një pleqërie të amullt, pa bërë 5-6 kilometra në ditë ecje të shpejtë. Të uroj pranverë në shpirt, ty gjysh i mrekullueshëm, inxhinier Agron Aranitasi.
– Sa herë vij të takoj mikun tim Bujar Leskaj, po aq herë (pothuaj) të takoj edhe ty Gëzim Zilja. Mik i vjetër, njeri fisnik. Vlonjat me kokon plot dhe zemrën plot. Dhe pena-penë! Siç të thashë, Bujarin e dua fort, se është aq i kompletuar, por në Tabelën e Mendelejevit duhen të gjithë elementet, i dashur Gëzim, që shpirti im ka vend (si tabela) për të gjithë njerëzit e mirë. Madje, ka edhe vende bosh në pritje të të rinjve. Sidoqoftë, të përqafoj fort, Gëzim! Gëzuar festen e pranverës! Jetë të gjatë dhe të lumtur!
– Bashkim quhet ky kuksian i mrekullueshëm dhe mbiemrin e ka “Peposhi”, aq i përkryer në atë zonë. Nuk më njihte, po donte të më mbronte nga shiu. Dhe mu aty te shesh-pushimi para Gardës më dha çadrën e tij, ndërsa vetë u fut tek e shokut, me të cilin bën çdo ditë sport nga Liqeni. Një gjest i vogël në dukje, por një fisnikëri e madhe në thelb. U bëfsh 100 vjeç, Bashkim Peposhi. Dhe vetëm gëzime paç në jetë!
– Te dyqani ku blej përditë ushqimet, me datë 6/03/2016 pashë një alamet tufe me trëndafila flakë të kuq. Në fakt ishin fiks 60. Sepse Meri, shitësja mbushte 60 vjeç. Duhet të qe dhuratë nga fëmijët, që realisht, i ka shumë të edukuar. Unë po e uroj përmes rubrikës tashmë aq të ngrohtë “Urime”. Edhe 100, Meri!
– Vjen tjetra nga Amerika. Shpejt e shpejt përgatit dhe promovon librin “Flirtoj me Universin”. Bën edhe një promovim dinjitoz. Dhe largohet se vërtet puna në Amerikë nuk të fal. Shyqyr që i dhashë një tufë lule, kësaj të panjohure për mua, po shumë të njohur në boten e poezive. Quhet Reshida Çoba, kjo kaliforniane me origjinë nga Korça. Aty mora edhe librin tjetër të mikut tim Dr. Izet Çulli “Portrete me diell”. Epo, diell paç përherë në shpirt të dy, ju poetë dhe gjyshër! Bukur, vërtet!
– E shkrova dikur veç emrin tënd i dashur Ilir Adili, për ta patur pak veç si ajo glikoja e mirë që ruajmë për miqtë. Në këtë festë të pranverës (14 Mars), nuk gaboj po të bëhem pak djalë i ri dhe të them: “Po, Ilir, në sytë e tu ke gjithnjë dlirësi që do të thotë “Pranverë”. Të uroj që kurrë të mos ketë vjeshtë në ata sy, dimër, jo e jo. Të përqafoj fort njeri fisnik. Ilir Adili!

Gëzuar 8 Marsin festën e gruas kur thua grua ke thene jete dhe jeta eshtë gjeja me e shtrenjte. Lumturi fat dhe dashuri. Me respekt, nga Dora Vl.
Përshëndes zemrën time Nardin që e dua shumë. Nga Xhelozja e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *