– Dua të di, sa vjetërsi pune më duhet për të përfituar një pension me këto të dhëna që kam: Jam e datëlindjes 1960 dhe kam vjetërsi pune 13 vjet e tre muaj. Jam shkëputur nga puna në vitin 1992. Nuk kam as librezë pune dhe nuk di si ta gjej vjetërsinë e punës. Theksoj që jam në Itali.
ISSH (Insituti i Sigurimeve Shoqërore): – Në vijim të pyetjeve tuaja, sqarojmë si më poshtë: Sigurimi vullnetar mund të kryhet për periudhat pas datës 01.10.1993, kohë kur ka hyrë në fuqi skema e sigurimit vullnetar. Për të marrë një pension të pjesshëm duhet një vjetërsi pune prej 15 vitesh. Meqenëse keni 13 vjet e 3 muaj, atëherë ju duhet edhe 1 vit e 9 muaj të bëni sigurim vullnetar, për të përfituar pension të pjesshëm. Nëse dëshironi të plotësoni vitet për pension të plotë pleqërie, atëherë ju duhen edhe 21 vite e 9 muaj për të siguruar.
– Duke qenë se nuk keni librezë pune, ju duhet të drejtoheni pranë zyrave të arkivës në DRSSH, ku ju keni gjendjen civile, për të marrë prej andej dokumentin e duhur. Në pamundësi për t’u paraqitur, mund t’u drejtoheni Patronateve si Acli apo Inas, që veprojnë në Itali, me një kërkesë ku pasqyron vitet dhe sektorët ku keni punuar. Brenda një kohe shumë të shkurtër bëhet i mundur verifikimi i periudhave kontributive.
– Për të marrë pension të pjesshëm, nëse do të mbulojë periudha të kaluara me sigurim vullnetar, ju duhet të paguani me masën aktuale të sigurimit vullnetar, që është në fuqi 4,752 lekë për një muaj, kështu që 21 muaj * 4,752 lekë /muaj = 99,792 lekë gjithsej.
Nëse dëshironi të plotësoni 35 vite, për një pension të plotë pleqërie, atëherë keni të drejtë të mbuloni me sigurim vullnetar me masën aktuale nga 01.10.1993, të gjitha vitet derisa të plotësoni vjetërsinë e nevojshme. Vazhdimi i sigurimit mund të bëhet duke parapaguar për vitin aktual, duke përfituar kështu edhe zbritjet përkatëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *