– Përshëndetje instruktor. Jam 23 vjeç, por jam shumë i dobët dhe nuk e kuptoj arsyen se pse. Kam trupin e një 16 vjeçari. Ju lutem, më thoni çfarë mund të bëj unë, si të shtoj në peshë? Si e shpjegoni ju këtë gjë tek unë?
Mario, instruktor: – I nderuar 23 vjeçar, së pari ju duhet të bëni një vizitë mjekësore për të përjashtuar probleme të tilla siç është tiroidja, apo probleme të tjera gjenetike të cilat kanë ndikuar në moszhvillimin tuaj. Pasi të bindeni se nuk keni asnjë problem shëndetësor atëherë duhet shikuar dhe gjetur një metodë nëpërmjet të ushqyerit dhe stërvitjes, që të arrini peshën e duhur dhe të zhvilloheni fizikisht. Jeni ende në kohë për t’u zhvilluar, ndaj nuk duhet të mërziteni. Ashtu si mbipesha, edhe nënpesha konsiderohet një problem serioz, ndaj duhet trajtuar me kujdes. Gjithsesi, unë vetë si instruktor do t’ju rekomandoja të mos përdorni stimulantë oreksi siç janë ilaçet, sepse me atë organizëm të brishtë që keni ju, duke dashur të rregulloni peshën, mund të dëmtoni zhvillimin tuaj. Ka shumë ushqime që hapin oreksin. Për shembull, nëse në ushqimet tuaja përdorni gjithmonë hudhrën, do t’ju hapet oreksi. Vitaminat duhet t’i merrni nëpërmjet ushqimeve. Ju keni fatin e mirë që mund të konsumoni çdo lloj ushqimi qoftë edhe kalorik, pa patur frikën se mund të shëndosheni, ndaj përfitoni nga kjo. Shtimi në peshë ama duhet të vijë në mënyrë graduale, jo i menjëhershëm, sepse stomaku juaj tashmë është i vogël dhe nuk përballon mbingopje. Pra, filloni të konsumoni me synimin që të shtoni të paktën 1 kilogram në javë. Mënyra më e mirë është që të konsumoni produkte të tilla si: gjalpi, ajka e qumështit, gjalpi i kikirikut, vaji i ullirit sepse është dhe i shëndetshëm, salcat, majoneza, farat dhe arrat, veza, mishi i viçit, filetot e pulës, makaronat, bizelet, lakrat, patatja, të gjitha perimet, ushqimet që ofron deti, peshku, frutat e detit. Mundësisht konsumoni ngjalat, si dhe 5 fruta (mundësisht të ndryshme) në ditë.
– Nëse nuk keni fare oreks, do t’ju sugjeroja të regjistroheni në një palestër dhe të filloni pak stërvitjen. Duke bërë stërvitje, do t’ju vijë oreksi menjëherë. Sapo të dilni nga palestra, konsumoni një banane dhe një çokollatë snikers, që ju japin kalori. Ndërkohë, stërvitja do t’ju ndihmojë edhe të zhvilloheni fizikisht. Do t’ju sugjeroja ushtrime kardio, por me ecje të lehtë dhe ushtrime me vegla që kanë të bëjnë me zgjatjen e muskujve. Nëse nuk shkoni në palestër, bëni ecje në natyrë dhe ushtrohuni me ushtrime të tilla që kanë ngjashmëri me paralelet, në mënyrë që muskujt të fillojnë të zgjaten dhe të forcohen. Gjithsesi, në palestër çdo instruktor jep programin e caktuar duke u bazuar te nevojat fizike dhe kërkesat e çdonjërit prej nesh. Ju do t’i kërkoni një program shtimi në peshë dhe zhvillimi fizik. Në këtë mënyrë, edhe do t’ju hapet oreksi, edhe do të keni zhvillim fizik. Duhet patjetër të ndiqni këtë program, edhe nëse ju mungon vullneti. Çdo gjë është e arritshme. Rëndësi ka të mos keni probleme shëndetësore, pasi të tjerat rregullohen.