EDI RAMA
Një intervistë deshëm t’i merrnim këtë javë zotit Edi Rama. Një intervistë vetëm si kryetar i Partisë Socialiste. Sepse, e keni vënë re që ai rrallë jep intervista të tilla për punët e partisë që drejton? Pse ndodh kështu? Mos nuk i ka qejf shumë këto lloj punësh zoti Rama? Mos ka lidhje me këtë edhe fakti se ai e zëvendëson, sa herë që mundet, emrin e PS-së me fjalën “Rilindje”? Nejse, ne më konkretisht deshëm ta pyesnim atë për problemin e zgjedhjeve në PS. Pse nuk zbaton statutin e Partisë ai kur vjen puna për mandatin e kryetarit të partisë?! Pse nuk pranon zgjedhje në PS ai?! Pse justifikohet me faktin që, derisa është fitues në zgjedhjet e përgjithshme, nuk ka pse zgjidhet në Parti? Ka frikë nga zgjedhjet, apo e bën këtë për mendjemadhësi? Ja, këto deshëm t’i pyesnim zotit Rama, por nuk mundëm këtë javë…

ERION VELIAJ
Deshëm t’i merrnim një intervistë këtë javë edhe kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, por nuk mundëm. Intervista do të ishte në vazhdim të asaj që zhvilluam javën e kaluar me modelen Ana Bano, ku ajo deklaroi se në ditëlindjen e saj mori pjesë vetë ai, një nga figurat kryesore të PS-së, ish-ministri, kryetari i Bashkisë më të madhe në vend. “A është normale që një kryetar bashkie, jo vetëm të shkojë në ditëlindjen e shoqes së shoqes së tij, të cilën nuk e kishte takuar kurrë, por edhe të luajë aty rolin e protagonistit duke i mbajtur asaj tortën me qirinjtë e festës?!”, deshëm ta pyesnim ne, zotin Veliaj?! Nuk duket pak e ekzagjeruar kjo? Nuk ka frikë ai se mos njerëzit e keqinterpretojnë këtë sjellje te kryetarit të bashkisë? Pastaj, “kaq kohë të lirë ka ky kryetari i bashkisë sonë, sa i del ajo, edhe për punën, edhe për partinë, edhe për familjen, edhe që të shkojë në ditëlindjet e topmodeleve?!”, deshëm ta pyesnim në vazhdim atë. Dhe, nëse ai na akuzonte se këto pyetje janë private dhe nuk na përgjigjej, ne deshëm ta pyesim për vendin ku u zhvillua ditëlindja, që nuk është komplet privat, pasi është edhe pronë e bashkisë, pra, e jona, e qytetarëve të Tiranës: A ka ndikuar ai që modeles t’i jepej stadiumi i Tiranës për të organizuar ditëlindjen? Sa pagoi modelja për këtë? A veproi ai për këtë njësoj si me kalanë e Gjirokastrës ku bëri dasmën e tij?
Dhe, së fundi, nuk mund të rrinim pa i drejtuar edhe një pyetje private zotit Veliaj, meqë ai, nën shembullin e liderëve botërorë, e ka bërë edhe gruan e tij person publik: Nuk u bë xheloze Ajola kur pa Eronin që i zgjaste tortën një modeleje shumë simpatike?

SAIMIR TAHIRI
Prapë vrasje këtë javë dhe, sipas shtypit, thuhet se këtë vit, janë bërë deri tani plot 19 vrasje. “Janë shumë, apo jo?”, deshëm të pyesnim këtë javë ministrin e Rendit, Sajmir Tahiri. Ai me siguri do të na përgjigjej se policia nuk është përgjegjëse për vrasjet që ndodhin nëse dikush nuk gjen nuse, pret një plep, apo se është i sëmurë mendor, siç tha para dy javësh. Jemi dakord me të, policia nuk është përgjegjëse për vrasjet, por ka përgjegjësi, ka faj, sepse nuk parandalon krimet, ka faj sepse lejon armët e krimit nëpër duart e njerëzve. Pse nuk ka ende asnjë plan për çarmatimin, deshëm të pyesnim zotin Tahiri? Pse bazohet lufta kundër armëve vetëm kur kapet ndonjë rastësisht gjatë kontrollit të shoferëve për dokumente a për alkool?! Pse nuk i thuhet popullit se kur do të jetojë i qetë, pa pasur frikë mos ha ndonjë plumb qorr ndërsa pi kafe, apo shëtit rrugëve?! “Kur do të ndryshojë rendi, zoti ministër, rendi, siguria jonë dhe e fëmijëve tanë?!”, deshëm ta pyesnim zotin Tahiri. Është gjë e lehtë të ndryshosh njerëzit, shefat e policisë, ngjyrat e uniformave, fasadën e ministrisë, motorrët e makinat, e lehtë e ndofta, edhe fitimprurëse, por është e vështirë të ndryshosh sistemin dhe mënyrën e punës. Dhe ministri është pikërisht për këtë e jo për tendera motoçikletash e uniformash apo turli koncesionesh. Sidomos ministrat e suksesshëm, siç ke qejf të të quajnë…

PANDELI MAJKO
Nuk takuam dot këtë javë as Pandeli Majkon, deputetin e PS-së dhe ish-kryeministrin e vendit. E ndoqëm Pandin në një intervistë në Top Channel dhe na ngeli merak ajo përgjigjja e tij se “Blushi ka të drejtë, por unë jam me Ramën”. Qëkur Pandi ka vendosur të jetë me ata që nuk kanë të drejtë? Apo ç’rëndësi ka e drejta, rëndësi ka qenia me kryetarin e Partisë dhe servilizmi ndaj tij?! Ai të jep karrigen e deputetit e ndonjë gjë më tepër, nuk ta jep Partia. Prandaj në djall të shkojë e drejta, demokratizimi i partisë, të rrojë kryetari! Apo jo, zoti Majko?

ARBEN AHMETAJ
Nuk takuam dot këtë javë as zotin Arben Ahmetaj, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Deshëm ta pyesim nëse e lexoi ai lajmin e publikuar këtë javë në shtyp se në Zelandën e Re, një femër, në shenjë proteste ka goditur me penis artificial ministrin e Ekonomisë në Zelandën e Re, Steven Xhojs, sepse, sipas saj, ai po përdhunon vendin duke shitur lirinë dhe të drejtat tona”. Kështu i bërtiti zonja atij dhe i hodhi në fytyrë vibratorin. Shkak për këtë dhe për protesta të shumta në Zelandën e Re ishte një koncension që e ka dhënë qeveria pa informuar publikun. Lexoni me kujdes, të dashur lexues: ka qenë fjala vetëm për një koncesion. Po te ne që janë dhënë me dhjetëra e priten të jepen edhe të tjerë? Ndaj deshëm ta pyesnim zotin Ahmetaj nëse i ka shkaktuar frikë ky lajm. Apo është i qetë, se te ne lodrat e seksit nuk janë shumë të përhapura?!

(Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista”. Atë mund ta blini në të gjitha pikat e shitjes në Shqipëri si edhe në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *