Pasi doli në ekran si një ish-velinë, ajo vazhdoi një rrugë tjetër televizive, si prezantuese dhe moderatore, por më së shumti do të përmendej edhe për lidhjen e gjatë të dashurisë me Arjon Muçën. Sot, e ndjekim bukuroshen në edicionin e dytë të “Dance vvith me”, ku ajo dhe Drini përbëjnë një çift jo vetëm të bukur, por edhe interesant me performancat e tyre. Por, a janë Viola e Drini çift në jetë, ashtu si edhe në skenë? Emocioni që transmetojnë, të bëjnë ta dyshosh këtë, ndërsa vetë Viola, tregon…
Mia B.: – Viola, kërcimi nuk është diçka e re për ty, si ish-velinë që je, kështu që nuk besoj të jesh menduar dy herë para se ta pranoje ftesën për në programin që kryefjalë ka kërcimin… Të kishte munguar?
Viola Spiro: – E pranova me shumë dëshirë dhe kënaqësi ftesën e regjisores Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiut për të qenë pjesë e kastit të këtij viti, pas suksesit që pati vitin e kaluar. Edhe pse kam njëfarë eksperience në kërcim, ajo nuk krahasohet aspak me përgjegjësinë dhe vështirësinë në “Dance vvith me”. Janë kërcime të mirëfillta dhe mjaft komplekse të zhanreve të ndryshme. Megjithatë, unë po kënaqem pafund. Pa dyshim, kërcimi të lumturon.
– Me ç’ide i ke hyrë kësaj sfide, me atë për të fituar apo duke thënë se, “e rëndësishme është pjesëmarrja”?
– Është bërë klishe kjo thënia që rëndësi ka pjesëmarrja, por edhe me objektivin për të fituar apo me qëllim të vetëm këtë, nuk kam hyrë. E rëndësishme për mua është që ta shfrytëzoj këtë mundësi në favorin tim.
– Thuhet se kërcimi është një bisedë mes trupit dhe shpirtit. Çfarë “bisedash” janë bërë në këto dy javë?
– Janë ende biseda me trurin… (Qesh) Po përpiqemi të memorizojmë dhe gjithashtu, të forcojmë pak muskujt. Interpretimi dhe përjetimi do të vijnë pak më vonë.
– Viola dhe Drini, që në “Dance vvith me” janë cilësuar si kukulla Barbi dhe Kenti. Si sillet Kenti me Barbin?
– (Qesh) Drini sillet siç është; një xhentëllmen i vërtetë!
– Drini do të ishte një partner më i mirë në prezantim apo në kërcim?
– Sigurisht që në profesionin që ka investuar për vite, është më i miri. Në kërcim i duhet pak kohë, pasi është tip perfeksionist.
– Zakonisht, kërcen sikur askush nuk po të shikon apo sikur e gjithë vëmendja është mbi ty?
– Do të ishte perfekte t’i kishe të dyja, por unë me raste e kam, herë kështu, herë ashtu.
– Si është Viola në klub, për shmebull?
– (Qesh) Shkoj për të kërcyer dhe nuk ndaloj.
– Ajo që bie në sy mes teje dhe Drinit është kimia që keni me njëri-tjetrin. Nxitojmë nëse themi se mund të ishit një çift mjaft interesant apo ju jeni tashmë çift?
– (Qesh) Jemi çift në skenë dhe miq jashtë saj.
– Vajzat kërkojnë gjithnjë princin si nëpër përralla… Di të më thuash modelin e mashkullit që do të të bënte të ndiheshe një princeshë?
– Mashkulli i sigurt në vetvete dhe që më shikon në sy.
– Është mirë të mbetesh mik me ish-të dashurin? Beson ti në këtë lloj miqësie?
– Mund të ndodhë, por e mira është të jenë miq në largësi, të respektohen, por kurrsesi të takohen me njëri-tjetrin.
– Zgjat më shumë një dashuri apo një miqësi? Me ty, si ka ndodhur?
– Më shumë zgjat një dashuri. Unë s’kam shokë afatgjatë meshkuj.
– Sa e pranishme je në prova?
– Jemi përditë në prova; për pak, do flemë në palestër! (Qesh)
– Arrini të merreni vesh me Albin?
– Albi është ndër njerëzit më mirëkuptues dhe të talentuar që kam njohur.
– Nëse do të vinte një “urdhër” sipas të cilit partnerët duhen ndërruar, me cilin do ta ndërroje Drinin?
– Me asnjë! (Qesh) Jam shumë e favorizuar.
– Situatat e krijuara gjatë provave duhet të jenë më të bukurat. Mund të ndash me ne ndonjërën prej tyre?
– Një gjë është e sigurt, që humori nuk mungon kurrë. Po ja, ka padjeshka të deformuara dhe ndonjëherë, tension.
– Përgatitja përgjatë një jave është më tepër kënaqësi apo presion?
– Presion në fillim, sa fitojmë siguri mbi numrin.
– Ke refuzuar ndonjëherë ndonjë ftesë për të kërcyer?
– Nëse s’më ka pëlqyer ai që më ka ftuar, po! (Qesh)
– E mban mend me sa djem ke kërcyer në mbrëmjen e maturës?
– (Qesh) Me asnjë!
– Cila është kënga që të bën ta kërcesh sapo e dëgjon?
– Muzika latine.
– Deri tani, dyert të janë hapur njëra pas tjetërs. Ka patur ndonjë derë që nuk të është hapur?
– Po, nganjëherë më bllokohet dera e kuzhinës… (Qesh)
– Cila shpreson të jetë ajo e radhës që do të hapet për ty?
– Jam njeri me fat. Më e mira do të jetë.
– Si ishte vera që sapo kaloi për ty?
– Ndër më të mirat. Relaks dhe qejf pa fund.
– Jemi mësuar që nëpër kopertinat e revistave të shohim vajza me linja perfekte, të bukura. Ti, si një vajzë e bukur, nëse do të shihje në një kopertinë një femër të mbushur dhe jo atë tipiken e kopertinave, çfarë do të mendoje?
– Sa e bukur që është! (Qesh)
– Çfarë bën për t’u kujdesur për atë që të ka dhuruar nëna natyrë?
– Kujdesem për fytyrën, ha shëndetshëm në të shumtën e rasteve (buzëqesh) dhe nuk abuzoj me gjumin.
– Tashmë që je e angazhuar në “Dance vvith me”, cilave gjëra iu kushton shumë më pak kohë se më parë?
– Shoqërisë sime, por ata më mirëkuptojnë.
– Si nis dhe mbaron një ditë e jotja tani?
– Mëngjes, punë që duhen bërë, prova dhe çlodhje në shtëpi me muzikë e libra.
– Mendimi që të shoqëron sa herë sheh veten në ekran?
– Mundem më shumë!
– Cili është lloji i kërcimit të cilin mezi pret ta kërcesh?
– Ky i kësaj jave. Këtë javë kemi një kërcim ndër më të vështirët e baletit, paso doble.
– Kur realizon diçka të bukur, ke nevojë edhe për ndonjë kritikë që të prishë syrin e keq apo nuk i mirëpret kritikat?
– Gjëja më e keqe që mund të më thonë, është që të mos më thonë asgjë.
– Një talent i yti i fshehur…
– Piktura dhe sigurisht, sportet.
– Çfarë do të jesh duke bërë nesër?
– Prova për spektaklin.
– Ka diçka që do të ma thuash pa të pyetur?
– Jam e lumtur!