Dritare të mbyllura

– Kam parë një ëndërr e cila më ka trembur dhe jo një, por disa herë.  E shoh shpesh veten sikur jam në një dhomë me dritare të mbyllura. Mbrëmë pashë sikur kisha dalë para dritares që ishte e mbyllur dhe shikoja se si të dilja sepse më merrej fryma. Nuk e hapja dot. Shikoja se mos më ndihmonte ndokush, por askush s’e bëri. Jam bërë kurioze të mësoj se çfarë është.

– Ëndrra juaj është shumë domethënëse. Nuk e di nëse jeni femër apo mashkull, por një ëndërr e tillë tregon se ju ndiheni si i burgosur në jetën që bëni. Ju pëlqen jeta e të tjerëve dhe asgjë e juaja. Ju duket sikur jeni shumë të mbyllur në vetvete dhe njerëzit që ju rrethojnë nuk ju ofrojnë atë çfarë dëshironi ju. Keni nevojë të çliroheni nga kjo lloj monotonie në të cilën keni rënë. Sado të kërkoni ndihmë, vetëm ju mund ta nxirrni veten nga kjo gjendje. Nëse keni rënë thjeshtë në rutinë, dilni nga rutina. Ka plot alternativa për ta jetuar dhe për ta mbushur jetën. E keni vetë në dorë.

 

Fallxhore

– Ç’do të thotë të shikosh sikur një parashikuese të shikon dorën dhe më pas të vizaton shenjën e horoskopit, që ngjante me një pëllumb shumë të bukur? Pastaj, në fund, më tha: “Jeni një person me shumë fat”.

– Ëndrra juaj parashikon një të ardhme me ngjarje pozitive. Në jetën tuaj do të ketë ndryshime dhe ato do të jenë thelbësore. Do të keni fat si në punë, ashtu edhe në jetën private. Pëllumbi i bardhë tregon ardhjen e një lajmi të mirë, si për punë edhe për jetën personale, ndaj gëzojuni ëndrrës.

 

Duke pirë cigare

– Kam parë në ëndërr sikur unë me shoqen e ngushtë po pinim cigare. Çfarë kuptimi ka?

– Një ëndërr e tillë tregon që ju dhe shoqja e ngushtë po kaloni një periudhë të vështirë e të mërzitshme dhe nuk dini si të veproni. Gjendeni në një udhëkryq dhe për momentin nuk dini se çfarë të bëni, por mos u shqetësoni. Është ëndërr afatshkurtër, që do të thotë se flet për ngjarje kalimtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *