-E dashur psikologe, jam një gjimnaziste në vitin e parë. Dua t’ju drejtohem juve që të më ndihmoni se po shkatërrohem nga stresi që më ka krijuar njëra nga mësueset që kam, e cila gjithmonë më ha hakun. Ajo e thotë me paturpësi në klasë: “5-a është e juaja, 10-a është e imja. Do t’ju ngel te gjithëve në klasë” dhe godet tavolinën me unazat e saj floriri. Kur hyn ajo në klasë, më merret fryma, në shtëpi kam presion nga prindërit: “Pse në shtëpi e thua mësimin e atje jo?” dhe s’di si të veproj. Të  zihem me të? Nuk di si të veproj. Nuk di as si t’ia shpjegoj prindërve…! Jam në hall të madh!

Amarilda Garuli, psikologe, email ilda.garuli@gmail.com:-Përshëndetje ! Të falenderoj për pyetjen. Kjo është një temë aktuale dhe që përmban shumë elementë të cilët duhet t`i analizojmë për të kuptuar problematikën dhe shqetësimin tuaj. Vetëm në një prezencë të një bashkëpunimi dhe respekti reciprok midis mësuesit dhe nxënësit mund të zhvillohet më së miri proçesi akademik dhe proçesi i të nxënit pasi kjo është shumë e rëndësishme. Shpesh në shkollë janë të përhapura rastet e marrëdhënieve konfliktuale midis mësuesit dhe nxënësit, siç tregoni dhe ju. Kjo gjë në disa momente tregon për një marrëdhënie pushteti që ka mësuesi përballë nxënësit dhe nuk është e barabartë. Para së gjithash, një pushtet i qartë, duke pasur detyrën që t`i vlerësojë dhe që ka mundësinë të mari edhe ndonjë masë disiplinore. Nuk mund të harrojmë pushtetin që vjen nga dija, kompetencat dhe informacioni që ka mësuesi ndaj nxënësit por edhe roli, detyrat dhe përgjegjësitë e nxënësit. Të gjitha këto bëjnë që shpesh të krijohen situata në të cilat nxënësi në jo pak raste e gjen veten të lodhur psikologjikisht dhe kjo i vjedh energjinë dhe e çfokuson nga detyra kryesore që ai ka në rrugën e informimit dhe të dijes. Disa mësues kanë shumë autoritet dhe që e përdorin pushtetin që kanë për të mbajtur disiplinën në klasë dhe t`i imponojë nxënësit ritmin e studimit që do ai, apo presioni për notën që tregoni dhe ju. Përgjigjia për  këtë situatë shpesh e ndan klasën në dy grupe, ata nxënës që i nënshtrohen këtyre situatave dhe ata nxënës që i kundërshtojnë këto situata dhe rebelohen. Në një formë kjo është një mobbing në shkollë, një term që nënkupton një sjellje jo korrekte dhe të duhur ndaj nxënësit në këtë rast, për një kohë të gjatë që i krijon vështirësi dhe e pengon në integrimin dhe shfaqjen e aftësive në klasë, sepse një mësues që ka këtë sjellje dhe këtë përqasje nuk mund të krijojë një klimë edukimi në klasën e tij. Prandaj nuk duhet pranuar. Një mësues që shfaq në klasë sjelljen që ju tregoni dhe që e bazon menaxhimin e klasës te imponimi, princip që edhe në qoftë se përkrahet, nuk shkon në drejtimin për të formuar personalitete autonome tek nxënësit dhe të rinjtë. Ne gjithmonë kemi mundësinë të tregojmë vlerat dhe karakteristikat tona, edhe pse mësuesi mund të mendojë ndryshe për ne, sepse nxënësi përgjigjet pozitivisht kur një mësues është pozitiv dhe i pasionuar në punën që bën dhe kjo reflektohet. Ta ndash problemin me prindërit është shumë e rëndësishme, një nxënës në procesin e formimit të tij e ka të domosdoshëm komunikimin dhe shkëmbimin e ideve, ngjarjeve apo situatave të ndryshme që ndodhin sepse prindërit janë dëgjuesit dhe ndihmuesit tanë më të mëdhenj. Të mësosh të tregosh aftësitë, përgatitjen dhe studimin në klasë, pasi kjo është e drejta e çdo nxënësi të dëgjohet dhe të ndjehet i vlerësuar. Ta diskutosh problemin dhe të vendosësh marrëdhënie, sepse kjo merr kuptimin e bashkëveprimit të ndërsjelltë të mësuesit dhe nxënësit për harmonizimin e përpjekjeve të tyre për mbarëvajtjen dhe bashkëveprimin për arritjen e një rezultati në veprimtarinë e përbashkët. T`i japësh kohë  vetes të reflektosh mbi situatën. Të besosh dhe ta drejtosh mendimin në përmirësimin e situatës nëpërmjet punës dhe përmirësimit të vetes, do të na ndihmonte të kalonim situatën. Të jetë fokusi i punës, përgatitja dhe informimi është detyra e duhur dhe impenjimi më kuptimplotë për secilin nxënës. Ju uroj gjithë të mirat!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *