Ndalova përpara një shitësi misrash. Unë vdes për ta! Nxora lekët, pagova e mora një të tillë. I futa një kafshatë të madhe, kur pas meje dëgjova një britmë: “Ndaaaal!”. Më mbetën kokrrat e misrave nëpër dhëmbë. Më tepër kisha misra në gojë, sesa dhëmbë. Kthej kokën dhe shikoj Ministrin e Financave, zotin Shkëlqim Cani, që po shkëlqente nga kënaqësia…
Ndërkohë, nja pesë a gjashtë vetë m’u lëshuan e më kapën. Shtatë a tetë vetë të tjerë mbërthyen shitësin me “presh në dorë”, si i thonë llafit, megjithëse në vend të preshit, ai kishte misër. “Nxirri misrat, mos të të nxjerr dhëmbët këtu!”, bërtiti dikush. “Lëshojeni, lëshojeni!”, urdhëroi zoti Cani, me zërin e tij të qetë. Pesë a gjashtët që më kishin kapur, më lëshuan menjëherë.

Shkëlqim Cani: – Ti qenke, mo Kaso?! Po s’të vjen turp për këtë që bëre?
Kaso Kosa: – Lëre, lëre, e djallosa fare. S’ha njeriu në rrugë…
– More ti ha ku të të dojë qejfi, por e kam llafin që e djallose. Bleve misër dhe nuk more kuponin tatimor. Rëndë të të vijë, se të kemi edhe kalemxhi!
– Më falni zoti Ministër, por ky e ka fajin, që s’ka kasë!
– Merreni këtë pizeveng shitës dhe kryeni veprimet e mëtejshme (iu drejtua ministri njerëzve të tij). Kaso, po ta fal gjobën se njihemi qëkur kam qenë ministër, në vitin 1991, pa po të mos njiheshim, do ta haje një gjobë të mirë.
– Sa është gjoba zoti Cani?
– 1 mijë lekë, Kaso.
– 1 mijë lekë të vjetra për një kupon?
– 1 mijë lekë të reja, or ti. Mbete i vjetër dhe përherë flet me të vjetra ti Kaso.
– I tillë mbeta zoti Ministër, i vjetër. Shyqyr që ju kemi ju të ri, pavarësisht se keni qenë ministër edhe 24 vite më parë. Nejse! Si ju shkojnë punët, zoti Cani?
– Punët po shkojnë mirë. Janë shtuar kasat, Kaso.
– Urime zoti Ministër! Edhe kompanitë e naftës dhe kromit besoj se po vendosin kasa?
– Do vijë dekada të vendoset rregull Kaso edhe tek ata. Si fillim, e kemi nisur me këta maskarenjtë e vegjël.
– Mora vesh zoti ministër, që doganat nuk e realizuan planin…
– Po ç’pllan të realizonin, Kaso! Na i la financat gropë, Saliu. I la doganat pa tra fare. Trarët e doganave i kishin çuar për skrap. Dy vjet na u desh të vendosnim trarë të rinj.
– Dy vjet për të vendosur trarë në doganë! Nuk ju duket kohë e gjatë kjo, zoti Cani?
– Aspak, Kaso! Gjërat bëhen mirë kur nuk bëhen me nxitim.
– Edhe sa kohë do t’ju duhet të vendosni rregull në dogana, për shembull?
– Do na duhen edhe ca vite, Kaso. Është proces tepër delikat. Kërkon përqendrim dhe dije. Akoma ka doganierë që nuk dinë të shtypin butonat. Në vend të shtypin butonin “Mbyll”, shtypin atë “Hap!”.
– Përse nuk i largoni këtë doganierë, zoti ministër?
– Nuk ma mban, Kaso! Janë doganierë që i ka vendosur PD-ja kur kishte pushtetin, por para zgjedhjeve kaluan me LSI-në. Edhe ajo më duhet, Kaso; po të heq ata, më fluturon Ilir Meta nga qeveria.
– Po kjo puna e kasave fiskale, si po pritet në popull, zoti Cani?
– Tregtarët nuk dinë t’i përdorin, që thua ti, Kaso. Vetëm për vajosjen e tyre në dogana kanë hyrë me mijëra litra vaj, që t’i rrëshqasë kollaj, se ishin ndryskur fare.
– Po konsumatorët, si e pritën?
– Lëre, Kaso, aman, se kemi patur probleme. Po shtohet numri i divorceve…
– Më falni, zoti ministër, po ç’lidhje kanë kasat me divorcet?
– E, mo Kaso, që mbete aguridhe! Ja, ta shpjegoj unë këtë, me një rast. Shkon pensionistja Qazime të blejë një sallator në dyqan. I fut shitësi sallatorin Qazimes në qese. I futi edhe kuponin tatimor. Shkon Qazimja në shtëpi dhe lë sallatorin mbi tavolinë.
– Po, e pastaj?
– Duro Kaso, pra! Hap qesen Qazimi, se kështu quhej burri i Qazimes, shikon kuponin tatimor. Kuptohet, aty ishte shkruar emri i shitësit, adresa e tij dhe numri i telefonit. Bëhet bishë Qazimi se kujtoi se ia dridhte Qazimja: “Kush është ky Hajdari që të ka lënë numrin e telefonit?”, i ulërinte Qazimes. Qazimja e shkretë s’dinte ç’të thoshte. As Qazimi, as Qazimja nuk kishin parë ndonjëherë kupon tatimor. E mos ta zgjas, Kaso… Tani, Qazua me Qazen janë divorcuar dhe si puna e tyre ka plot. Ika tani Kaso dhe kujdes! Merr kupon tatimor kur blen misra!

Bisedoi me shaka: KASO KOSA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *