Në intervistën e radhës, do të sjell zotin Pandeli Majko. E sjell, sepse e meriton. Ju betohem që as më futi mik që ta intervistoj. Thjesht e pëlqej, madje e kam zili. Është nga ata njerëz që pa punuar një ditë të vetme, u bë Kryeministër. Zotin Majko nuk e kisha të vështirë ta gjeja. Sa mora vesh që në Bulevard kishin ndaluar disa helikopterë, u nisa për atje dhe e gjeta duke mërmëritur.

Kaso Kosa: – Zoti Majko, përshëndetje! Nuk më gaboi intuita që do t’ju gjeja këtu.
Pandeli Majko: – Përshëndetje Kaso! E ku tjetër mund të më gjeje, sigurisht?! Ti e di që ku ka armë e municion, aty jam unë.
– Përse po mërmërisnit qëparë?
– Po numëroja helikopterët Kaso.
– Po i numëronit?! Po këtu vetëm dy helikopterë janë, o zoti Majko.
– Dy janë vërtet Kaso, por në imagjinatën time ata janë pa fund.
– Të kujt janë këto helikopterë?
– Të forcave tona të paarmatosura, Kaso.
– Si të paarmatosura?!
– Them të paarmatosura, sepse vërtet forcat tona ushtarake i kemi të paarmatosura. Vetëm ndonjë gavetë e lugë u ka mbetur.
– Si ju lindi dashuria për armët, zoti Majko?
– Unë vij nga familje ushtarake dhe rrjedhimisht, jam rritur me to. Që i vogël, mbaj mend që qëlloja me pistoletë.
– Po më habisni! Si e siguronit pistoletën?
– Meqë babai kishte pistoletë, i kërkova të më jepte edhe mua një. Një ditë ma solli.
– Pistoletë të vërtetë?
– Jo, o Kaso, ishte pistoletë me ujë.
– Ç’bënit me të?
– Ç’nuk bëja, thuaj Kaso! Isha trazovaç i madh. E mbushja me ujë dhe qëlloja bustin e Enverit në shtëpi. E lagia aq shumë, sa Enveri bëhej si pulë e lagur.
– Po kur vinte babai në shtëpi nuk e shikonte “pulën e lagur”, zoti Majko?
– Kishte raste që e shikonte, Kaso, por unë e gënjeja. I thosha: “E kam pastruar me ujë, ndaj është lagur”. “Të lumtë!”, më thoshte babai. “Enverin ta duash edhe kur ta hedhin nga pushteti. Edhe kur të tjerët të votojnë atë parti që shan Enverin, ti mos e voto bir”. Dhe unë siç e kam thënë, ia dëgjova llafin babait. Kur shumica e të rinjve votoi PD-në, unë votova PPSH-në.
– Po, po, e mbaj mend këtë fakt. E keni thënë…
– Mbaj mend njëherë kur isha i vogël Kaso, doja të mbushja pistoletën time me ujë. Rashë në legen. Nuk rashë vetë, në fakt. Më shtyu një shok legen, në legen.
– Si ju shtyu?
– Ai më tha që më shtyu pa dashje, por unë e kuptova që ma bëri kastile. Lëre, lëre, se u bëra qull fare. Maskarai, më tha: “Zhvishi rrobat e thahu në ballkon Pandi!”.
– Dhe ju u zhveshët?
– Po, Kaso! Kthenin kokat gjithë komshinjtë e më shikonin mua. Por atëherë isha i vogël e komshinjtë nuk më shikonin ndonjë gjë të madhe. Eeeehhh, mo, Kaso! Shoku ta fut më shumë se armiku. Tamam si tani…
– Nuk ju kuptova…
– Po edhe tani shokët ma fusin mua, Kaso. Nuk duan të më bëjnë President. Nuk e kuptoj përse nuk duan. Unë më shumë se çdokush tjetër e meritoj atë post. Kush më shumë se unë është i thinjur? Asnjë!
– Për hir të së vërtetës, nëse thinjat merrnin për bazë për t’u vënë President, ju duhet të viheshit që në rini, zoti Majko.
– E, mo, Kaso që nuk kupton fare. Po në rini, unë i lyeja vetë flokët me bojë të bardhë.
– Si?
– I lyeja pra, se doja të dukesha më i vjetër dhe të mendonin shokët e partisë dhe populli se unë isha një njeri i pjekur. Ndryshe, s’do më vendosnin kryeministër.
– Mora vesh që keni kërkuar zgjedhje të parakohshme. A është e vërtetë, zoti Majko.
– E vërtetë është. E bëra për presion për Ramën, që ta kuptojë që, nëse nuk më zgjedh mua President, do ta zërë belaja nga unë. Dhe këtë që të them, s’e luan topi. Leqë ne topa s’kemi fare, meqë ra llafi te topat. I shita për një copë bukë, kur isha Kryeministër.
– Përse i shitët?
– E përse t’i mbanim kot, Kaso?! Ua kishin hequr gjilpërat në 97-ën. Me gjilpërat e topave, njerëzit qepnin thasët për miell. Tani të më falësh, Kaso, se do t’i hipi helikopterit e do të shëtis nëpër Shqipëri. Si President i ardhshëm i Republikës, e meritoj. Do shkoj të kontrolloj ushtrinë tonë, nga veriu në jug.
– Faleminderit për intervistën, zoti Majko! Uroj që helikopteri të ketë karburant.

Zoti Majko iu drejtua helikopterit më të afërt. Bëri të hipte, por piloti nuk e lejoi. Mes tyre filloi debati. Unë u largova, se jam tip që nuk e përballoj dot sherrin…

Bisedoi me shaka KASO KOSA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *