EDI RAMA

A e dëgjuat këtë javë në televizion kur kryeministri ynë tha se “Unë do të iki si Kryeministër shpejt, shumë më shpejt se ju e mendoni?! Do të iki kur shqiptarët të bezdisen nga unë, madje ka mundësi, dhe kështu do të ndodhë, që unë do të largohem shumë më shpejt se qytetarët të bezdisen nga unë”. Nuk e kishim dëgjuar ndonjëherë kryministrin tonë të përmendte ikjen këto kohë! Ç’ka ndodhur vallë?! Çfarë do të thotë kjo “shpejt”? Është çështje ditësh, apo muajsh? Pse ka ndryshuar mendje? Nuk do të ikë pasi të vendosë shtetin në Shqipëri, siç ka thënë?! Apo mendon se në Shqipëri nuk do të “bëhet dot shtet”?! Apo ikja ka të bëjë me atë që thotë opozita se “ai do ikë vetëm pasi të bëjë 1 milionë euro”?! Pse është i sigurt zoti Rama që shqiptarët do të bezdisen nga ai? Mos po ndjen gjë ai? Mos ka të bëjë me bezdisjen edhe fakti që shqiptarët po ikin nga sytë këmbët?! Një studim i fondacionit gjerman “Friedrich Ebert”, publikoi këtë javë faktin tronditës se 60% e të rinjve shqiptarë duan të emigrojnë jashtë vendit. Te jenë këta nga “të bezdisurit”?!

 

BUJAR NISHANI

Na mbeti merak që nuk intervistuam këtë javë Presidentin tonë, Bujar Nishani. Deshëm ta pyesnim për deklaratën e tij, tashmë të përsëritur, se ai ka fakte se përgjohet nga administrata e qeverisë dhe se do të fillojë hetimet për këtë çështje në një kohë tjetër, që sipas tij, do të jetë më e përshtatshme. Kush e ka përgjuar zotin President? Pse nuk e thotë hapur ai? Institucionet përgjuese të autorizuara në vend, dihen. Janë Prokuroria, SHISH-i e disa zyra të policisë kriminale dhe të gjitha përgjimet e këtyre institucioneve janë të rregjistruara në serverin e prokurorisë. Pse nuk kërkon ai fillimin e hetimeve?! Pse nuk ka besim zoti Nishani te shteti, në krye të së cilit është vetë ai?! Si mund të kenë besim qytetarët kur ai, qytetari numër një, nuk ka besim? Për këtë deshëm ta pyesnim atë, por, veç kësaj, nuk ka frikë ai se prokuroria mund të hapë një hetim për këtë gjë që përbën skandal shtetëror?! Apo ai, ashtu si Berisha, nuk do të pranojë të shkojë të deponojë në prokurori? Apo ai me atë deklaratë ia ka futur kot, ka hedhur një bombë tymi që të bëhet objekt i mediave duke dashur të hapë një skandal si Uotërgejti?! Se, nuk i thonë shaka në fakt: Të përgjohet Presidenti!…

 

SAIMIR TAHIRI

Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, këtë javë deshëm ta intervistonim në lidhje me 22 Jaguarët e rinj që qeveria ka vendosur të sigurojë për veten e saj. Dhe për këtë, meqë ato makina janë për funksionarët e lartë, ka ngarkuar Gardën e Republikës, e cila varet nga zoti Tahiri.

A janë të nevojshme këto makina për të cilat do të shpenzohen çdo vit rreth 500 mijë euro, deshëm ta pyesnim, së pari, zotin Tahiri?! Ose më troç: duheshin ato makina përpara, ta zëmë, disa ambulancave, apo makinave zjarrfikëse? Se, deri më sot, kemi dëgjuar shumë raste kur njerëzit po vdesin se s’ka ambulanca, apo për shtëpitë po digjen se s’ka zjarrfikëse, por s’kemi dëgjuar të mbesë në rrugë asnjë ministër për faj të makinës, apo jo!? Pastaj, nuk mund të blejnë makina më të thjeshta qeveritarët tanë, por duhet patjetër që të ndenjurat t’u rrinë në makina që kushtojnë 50 mijë euro?

Ndërkohë, Qeveria këtë javë u mburr se duke marrë me qira ato makina (ndryshe nga Berisha, që i blinte) kursehet rreth 140 mijë euro, sepse sipas portalit të qeverisë “Transparenca.al” tani harxhohen në vit 636.392 mije euro për mirëmbajtjen e 22 veturave dhe, duke u marrë të reja, do shpenzohen rreth 500 mijë. Jemi dakord me këtë, por a e kanë bërë llogari, zotërinjtë qeveritarë se sa harxhon qeveria në një vit për një makinë? As më pak e as më shumë, por 29 mijë euro?! E dini ç‘do të thotë të harxhohen 29 mijë euro për mirembajtjen e një makine në vit?! A nuk e kuptoni zotërinj qeveritarë që këto shifra janë të fryra artificialisht dhe çdo shifër që krahasohet me to është e vogël? A nuk e kuptoni se shumë nga ato para nuk shkojnë për mirëmbajtje, por në xhepat e ministrit a të njerëzve rrotull tij? Ashtu siç jemi të sigurtë se do të shkojnë në xhepat e tyre edhe një pjesë e atyre lekëve që do të jepen për makinat e reja… Me 29 mijë euro, zotërinj ministra, mund të blesh një makinë të re, nga ato që kërkoi Papa Françesku për të ardhur nga Rinasi në Tiranë dhe e ke shërbimin falas për 3 deri në 5 vjet. Ndërsa me 500 mijë mund të blihen 17 të tilla në vit… I kanë bërë këto llogari ata?! Apo po t’i bënin kështu, nuk do të fusnin gjë në xhep?

 

LULZIM BASHA

Zoti Lulzim Basha, kryetar i PD-së, na bëri kurioz këtë javë me deklaratën e tij se ka arritur të bëjë më shumë se një milion euro para se të hynte në politikë dhe, sikur të mos ishte i pasur, ai nuk do t’i futej fare politikës. Si i ka bërë këto një milion euro zoti Basha, deshëm ta pyesim? Vetëm duke punuar katër vjet për UNMIK-un në Kosovë?! Aty ka fituar 250 mijë euro në vit, ose 20 mijë e 800 euro, në muaj, pa llogaritur shpenzimet e jetesës, udhëtimeve etj.?! Sikur nuk hahet kjo! Ashtu sikurse nuk hahet edhe ajo ç‘ka thënë se, kur ishte student, ka punuar si këshilltar juridik në firmat private holandeze, se, edhe sikur ta marrim të mirëqenë këtë, ato lekë që ka fituar kur ishte student, atij, së paku, do t’i mjaftonin për të jetuar e vazhduar shkollën.

Ndaj e pyesnim publikisht: Ato 1 milion euro kanë ardhur nga fitimi i ndonjë llotarie, nga ndonjë “pisllëk” i kohës kur ishte ministër, janë lekët e VEFA-s ku kanë qenë punësuar njerëzit e gruas së tij, apo është marrë me ndonjë veprimtari ilegale që sjell fitime jo të vogla si droga dhe prostitucioni, për të cilat Holanda është e shquar? Këto pyetje do të donim t’i bënim zotit Basha pas përfundimit të emisionit “Dritare”, por nuk mundëm…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *