– Më kanë dhuruar një bimë bonsai. Ju lutem, më thoni si të kujdesem për të, sepse s’ia kam idenë fare. Xhensila.
– E nderuar Xhensila, bonsai e ka prejardhjen nga Kina dhe ndryshe quhet dhe pema e jetës. Ajo është simbol i forcës dhe i jetëgjatësisë. Për herë të parë, kultivimi i bonsait është bërë në Kinë dhe vetëm në shekullin e 10-të është shfaqur në Japoni. Bonsait janë bimë të “ajrit të lirë”, që do të thotë se nuk mbahen të mbyllura në banesa, por as shumë diell nuk duan. Shumë familje i mbajnë edhe brenda në dhomë, por është mirë që herë pas here t’i lini në ajër të pastër dhe jo shumë në kontakt me diellin. Bonsai shartohet nga maja e pemës, jo nga poshtë, ndryshe thahet. Po ta vini re, ajo vjen duke u holluar nga maja. Ndërsa përsa i përket ujitjes, nuk ka ndonjë rregull të veçantë, por varet nga kushtet klimaterike. Mënyra më e mirë është që ju ta shikoni vetë me gishtin e dorës nëse ka nevojë për ujë ose jo. Nëse shikoni se plehu në vazo është i thatë, atëherë ujiteni pemën e vogël. Në rast të kundërt, jo. Megjithatë, nëse nuk jeni e qartë me këtë informacion, mjafton të shkoni te një vend ku shiten bimë të tilla dhe të merrni gjithë informacionin që ju duhet për kujdesin ndaj saj.
Advertisement