Një risi në fushën e mjekësisë që do të shërbejë për të përmirësuar jetën e diabetikëve. Bëhet fjalë për ngjitësin (patch) “inteligjent” me insulinë. Disa studiues në SHBA kanë krijuar ngjitësin e parë “inteligjent” me insulinë, i cili lëshon në lëkurë, në mënyrë automatike, sasinë e duhur të insulinës, për të cilën ka nevojë trupi te diabetikët. Ai është provuar te kafshët ku ka pasur shumë sukses dhe, nëse provat klinike do të jenë po aq të suksesshme edhe te njerëzit, atëherë pa dyshim do të hapet rruga për evitimin e “bezdisë së gjilpërave”.

Përveç kësaj, do të shmanget edhe rreziku i gabimeve njerëzore, të cilat, për shkak të gabimit në dozim, mund të shkaktojnë ndërlikime serioze, si verbim, amputimin e gjymtyrëve apo edhe vdekjen. Sigurisht, ngjitësi është ende në fazën e provave, por specialistët deklarojnë me optimizëm se ai do të jetë i gatshëm të përdoret nga njerëzit brenda dy-tre vjetëve, duke ndryshuar kryekëput mënyrën që përdorin diabetikët e tipit 1 për të përballuar sëmundjen e tyre.

Studiuesit e universitetit të Karolinës së Veriut, me në krye profesorin Zhen Gu, të Departamentit të Inxhenierisë Biomjekësore, që kryen zbulimin, deklaruan se bëhej fjalë për të parin ngjitës “inteligjent”, që mund të zbulojë në mënyrë të besueshme rritjen e nivelit të sheqerit në gjak dhe në vazhdim, të furnizojë trupin automatikisht me dozat e duhura të insulinës, në momentin e duhur. Ngjitësi në formë katrori, i cili nuk do të jenë më i madh se një monedhë, zotëron më shumë se 100 gjilpërëza mikroskopike në pjesën e tij të poshtme, që është në kontakt me lëkurën. Çdo mikrogjilpërë përmban brenda rezervuarë me insulinë dhe me enzimat që regjistrojnë nivelin e sheqerit në gjakun e të sëmurit. Me anë të një mekanizmi “inteligjent”, gjilpëra merr komandën që të lëshojë insulinën në momentin dhe sasinë e duhur, pa pasur nevojë të bëjë asgjë i sëmuri. Kur gjilpërat e ngjitësit lëshojnë insulinën në lëkurë, pacienti ndjen një si pickim mushkonje. Provat klinike, që janë bërë te kafshët dhe më saktë te minjtë, treguan se te minjtë që vuanin nga diabeti, niveli i sheqerit vajti në normë brenda 30 minutave dhe qëndroi kështu deri në 9 orë. Në krahasim me këtë, minjve që nuk u ishte vënë ngjitës, u desh t’u bëhej injeksion me insulinë shumë më herët. Studiuesit deklaruan se në vazhdim, ngjitësi do të bëhej edhe më “inteligjent”, sepse do të jetë e mundur të dozohet në përputhje me peshën e të sëmurit dhe rezistencën e tij ndaj insulinës. Qëllimi i shkencëtarëve është që i sëmuri të ndërrojë ngjitës një herë në disa ditë.

Nga diabeti vuajnë mbi 387 milionë njerëz në gjithë botën, ndërsa në vitin 2035 llogaritet që ky numër të arrijë në 592 milionë.

 

 

Disa pyetje që nuk keni guxuar t’i bëni për jashtëqitjen

 

Dalja jashtë është një nga funksionet fiziologjike dhe normale të trupit, megjithatë ne ndjehemi paksa në siklet kur flasim për të. Kështu, shpesh nuk guxojmë t’i bëjmë doktorit disa pyetje që janë të rëndësishme për ne. Ja, si u përgjigjet specialisti disa dyshimeve që mund t’i keni edhe ju…

 

– Është e vërtetë se, nëse nuk del jashtë çdo ditë, mund të grumbullohen në trup helme të rrezikshme?

– Ky është një mit aq i përhapur, sa disa njerëz janë të fiksuar që të dalin jashtë çdo ditë, bile shkojnë deri aty sa të përdorin laksativë. Në fakt, zorra e trashë është e aftë të luftojë bakteret dhe është puna e saj të heqë qafe helmet. Përveç kësaj, ka gjasa që ju jeni më në rregull sesa mendoni. Nëse dilni jashtë tri ose më pak herë në javë, kjo është shenjë kapsllëku. Kështu pra, mos u shqetësoni shumë nëse dilni jashtë çdo dy ditë, ose nëse nuk keni dhimbje, nëse nuk jeni shumë kaps, ose nuk keni ndryshime në shpeshtësinë e daljes jashtë.

– Kemi dëgjuar që jashtëqitja duhet të dalë në formë S-je…

– Pavarësisht nga fjalët që keni dëgjuar, jashtëqitja normale del në forma të ndryshme, si në formë salçiçeje, gjarpri, me kthesa, etj. Pamja e saj varet nga sasia e fibrave që keni konsumuar, nga sasia e ujit, si edhe nga fakti se sa shpejt lëvizin ushqimet në zorrën tuaj të trashë. Nëse jashtëqitja juaj del e hollë si laps për shumë javë, duhet të shkoni te doktori sepse kjo mund të jetë shenjë e një problemi gastrointestinal (GI), domethënë, e aparatit tretës.

– A mund të shkaktojë marrje mendsh dalja jashtë?

– E keni ndjerë veten ndonjëherë plot energji dhe eufori pasi keni dalë jashtë? Kjo e ka një arsye. Dalja nga trupi e një sasie të madhe feçesh mund të stimulojë nervin vagus në tru, i cili shkakton një ulje të rrahjeve të zemrës dhe presionit të gjakut. Kështu pra, dalja jashtë mund t’ju bëjë të keni marrje mendsh.

– Sa orë kalojnë nga e ngrëna deri në daljen jashtë të atij ushqimi?

– Trupit zakonisht i duhen 1-3 ditë për të nxjerrë jashtë ushqimin që keni ngrënë. Tretja është një proces i ngadalshëm. Zakonisht, duhet të kalojë një ditë para se ushqimi të përfundojë në tualet dhe tretja e tij e plotë mund të kërkojë deri në tre ditë. Sigurisht, ushqimi kalon shumë më shpejt nëse keni diarre. Në këtë rast, trupi juaj mund të mos jetë i aftë të thithë shumë lëngje dhe substanca ushqyese. Ja përse, njerëzit me diarre që zgjat, rrezikohen nga çhidratimi dhe mungesa e substancave ushqyese.

– Çfarë e bën jashtëqitjen të pluskojë në ujë?

– Gjatë tretjes së ushqimit në zorrë krijohen gazra, si hidrogjen apo metan. Këto gazra e bëjnë jashtëqitjen më pak të dendur dhe kështu, ajo mund të pluskojë. Nuk është gjë shqetësuese, por nëse kjo gjendje vazhdon më shumë se dy javë, duhet të flisni me doktorin, sepse mund të keni ndonjë problem në thithjen e ushqimeve, për shkak të sëmundjes celiake ose ndonjë problem tjetër GI.

– Jashtëqitja duhet të ketë gjithmonë ngjyrë kafe?

– Jashtëqitja e shëndetshme mund të ketë shumë ngjyra, si e verdhë, jeshile, e kuqërreme, etj. Shkaku i ngjyrës së pazakontë janë ushqimet apo ilaçet që mund të merrni. Për shembull, domatet apo panxhari mund ta bëjnë jashtëqitjen të kuqe, spinaqi dhe perimet jeshile, lëngu i rrushit ta errësojë si në të zezë. Ndryshimet e ngjyrës që përbëjnë problem janë ato të shkaktuara nga gjaku (jashtëqitja bëhet e kuqe apo e zezë), problemet me mëlçinë (ajo është e bardhë ose gri), ose diarreja (jeshile).

– Kur duhet vajtur te doktori, atëherë?

– Kur jashtëqitja juaj është e zezë, si e ngjitshme, me sekrecione, duhet të shkoni te doktori, sepse kjo mund të jetë shenjë e gjakut, ose e dëmtimit të stomakut apo zorrëve. Në përgjithësi, gjaku del me ngjyrë të zezë, sepse tretet. Kini parasysh se nganjëherë, ngjyra e zezë vjen nga ushqimet që konsumoni, prandaj nuk ka nevojë të shkoni që me herën e parë.

– Sa herë gjatë ditës nxjerr mesatarisht gazra një person?

– Mbyllni hundën: 14 herë në ditë! Shumica prej nesh pra gromësijnë ose nxjerrin gazra nga anusi, 14 herë në ditë. Gazrat shkaktohen zakonisht nga ajri që thithim kur hamë apo pimë, ose nga sheqernat e patretura në sistemin tretës. Duhet të shkoni te doktori nëse keni rregullisht gazra, të shoqëruara me fryrje sepse mund të jeni intolerantë ndaj laktozës, ose të keni një tjetër çrregullim të sistemit tretës.

– Është e vërtetë se, për sa kohë ha shëndetshëm, jashtëqitja nuk duhet të mbajë erë të keqe?

– Sigurisht që jo, jashtëqitja duhet të mbajë erë të keqe! Ajo përmban shumë gjëra, si ushqime të patretura (të ngjashme me perimet e kalbura), gazra, baktere, ujë dhe kripëra. Shumica e baktereve janë të mira, sepse ndihmojnë tretjen, por në jashtëqitje mund të ketë edhe disa viruse dhe baktere të këqija. Është era e keqe ajo që na paralajmëron t’i qëndrojmë larg jashtëqitjes.

– A ndihmojnë kumbullat për të dalë jashtë?

– Si shumë fruta dhe perime që kanë shumë fibra, kumbullat nxisin lëvizjet e rregullta të zorrëve. Kumbullat kanë edhe sasi të lartë sorbitoli, një sheqer natyral që vepron si laksativ. Studimet kanë treguar se ato i ndihmojnë më shumë sesa ilaçet njerëzit që vuajnë nga kapsllëku.

– Cila mund të jetë origjina e gjakut në jashtëqitje, ose në letrën higjienike?

– Shkaku më i zakonshëm janë hemorroidet, të shkaktuara nga enjtja e enëve të gjakut në zorrë apo anus, të cilat acarohen dhe nxjerrin gjak kur del jashtë. Njollat e gjakut në letrën higjienike mund të shkaktohen edhe nga çarje të holla në anus. Zakonisht, të dyja këto që thamë më lart largohen vetë, megjithatë, për çdo dalje gjaku është mirë të kontrolloheni nga mjeku. Nganjëherë gjaku del edhe kur fshihesh shumë fort. Përpiquni të fshiheni më lehtë, ose të përdorni një letër më të butë.

– Kemi dëgjuar se bëhet transplant fekalesh. Është e vërtetë?

– Po, gjatë një transplanti fekalesh, feçet e dhuruesit injektohen në zorrën e trashë të pacientit dhe në më shumë se 90% të rasteve, bakteret e shëndetshme të dhuruesit fillojnë të rriten në zorrën e trashë të pacientit. Këto bakterie më pas eliminojnë nga zorra bakteret e këqija, të quajtura Clostridium difficile ose C. diff.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *