Është verë dhe prurjet në muzikë nuk mungojnë, madje janë në një nivel shumë të lartë. Në këto prurje nuk kishte si të mungonte edhe këngëtarja Amarda Arkaxhiu, e cila nuk ka shumë që ka prezantuar klipin e saj të ri, një bashkëpunim me Muharrem Ahmetin. “Loca loca” titullohet kënga dhe klipi është realizuar nga Max Production. Ja, ç’tregon Amarda për këtë bashkëpunim dhe gjëra të tjera…

 

Fabjola Kuburi: – Çfarë gjen të vecantë tek bashkëpunimet?

Amarda Arkaxhiu: – Kam qenë gjithmonë e mendimit që kur bashkëpunojnë dy këngëtarë patjetër nxjerrin në dritë diçka të bukur si ” Loca loca” (Buzëqesh). Ndodh kështu se në bashkëpunim gërshetohen dy zëra, apo dy rryma të ndryshme që i japin larmi e bukuri këngës,

– Çfarë do të thotë të bashkëpunosh me një këngëtar si Muharrem Ahmeti, që qëndron në majën e muzikës tallava?

– Muharremi është realisht maja e rrymës që këndon, është ajka e saj dhe këtë nuk mund ta mohojë askush. Është një këngëtar që publiku e do shumë dhe unë e kam mik dhe koleg prej shumë kohësh …

– Sa e gjen veten në tekstet e këngëve që këndon?

– Që ta këndosh një këngë në nivelin e duhur dhe me elementët e duhur, duhet të përfshihesh në të, të bëhesh njësh me të, prandaj, unë gjithnjë  mendoj sikur teksti është për mua. Vetëm kështu arrij që t’i interpretoj ashtu siç duhet. Uroj t’ia kem arritur….

– Ti je rritur në skenë. Sa ka marrë Amarda nga muzika dhe sa i ka dhënë asaj gjatë kësaj kohe?

– Është e vërtetë që unë jam rritur në skenë, kam kënduar që fëmijë, sepse kam qenë pjesë e grupeve kulturore të vendlindjes time, Kavajës, dhe, edhe pse familja me aq sa mundej më mbështeste, duke pasur parasysh si ka qenë edhe mentaliteti atëherë, unë ia arrita të realizoj ëndrën time. Më besoni, më shumë kam dhënë sesa kam marrë, por edhe ajo që kam marrë në këmbim nuk ka qenë e pakët. Duartrokitjet dhe vlerësimi i publikut janë gjëra të çmuara për mua.

– Të jesh personazh publik, ka më shumë pozitive sesa negative?

– Ka anë negative, por edhe pozitive. Këto të fundit janë më të shumtat…

– Për shembull?

– Ke privilegje që të bëjnë të ndihesh mirë, por nga ana tjetër duke qenë e njohur duhet të jesh më e kujdesshme, më e kufizuar në përditshmëri dhe jo vetëm.

– Mendimin e kujt merr sa herë që merr vendime të rëndësishme, apo i beson vetëm intuitës tënde?

– Kam një mike shumë të mirë me të cilën këshillohem gjithmonë, më bashkëshortin gjithashtu këshillohem, por nuk më mungon as intuita.( Buzëqesh)

– Kush ndikon më shumë në karrierën tënde?

– Publiku është ai që ndikon në karrierën e çdo këngëtari, publiku është ai që të vlerëson ashtu siç duhet dhe të tregon nëse një punë e jotja është e arrirë apo jo.

– Si do të doje të identifikohej imazhi yt si këngëtare? A ia ke arritur ta kesh këtë?

– Do doja të identifikohesha si Amarda që këndon me shpirt dhe me dashuri, ashtu siç jam në të vërtetë dhe ashtu siç më ka identifikuar edhe publiku.

– Mendon se bukuria është një ndër shtytësit më të rëndësishëm drejt një karriere të suksesshme?

– Është një plus në karrierë, është një element i rëndësishëm, por zëri dhe talenti janë ato që të dallojnë nga të tjerët. Bukuria është fizike, zëri është shpirtëror, është universal.

– Mendon se një fytyrë e bukur fsheh edhe një shpirt të bukur?

– Në rastet më të shpeshta po, por ka pasur raste që një fytyrë e bukur ka pasur një shpirt jo aq të bukur, kështu që duhet marrë si relative kjo gjë.

– Cilat janë përkujdesjet që i bën më së shumti vetes?

– Merrem shumë me veten sepse është një detyrë dhe respekt për veten që çdo femër duhet ta ketë, jo vetëm këngetaret.

– Si do të ishte një ditë ideale për ty?

– Të fle pak më shumë gjumë se, duke qenë e angazhuar në mbrëmje të ndryshme, ato më marrin një pjesë të mirë të gjumit,  të marr Henrin, djalin tim për dore dhe të dal të shëtis me të. Ai më mbush gjithë jetën time, ma bën aq të bukur.

– Djali yt Henri tashmë është rritur pak më shumë, e ke më të lehtë të punosh tani?

– Po, është rritur tani dhe e kam pak më të lehtë për t’ju përkushtuar muzikës më shumë, por Henri është kënaqësi më vete kështu që nuk më ka shkaktuar ndonjëhere vështirësi. Ka dashur më shumë përkushtim sepse ishte më i vogël, por tani ka filluar të kuptojë më shumë, madje mërmërit edhe ndonjë melodi të ndonjë kënge nga të mijat.(Qesh)

Si arrin ti bashkërendosh punën me familjen? A duhet sakrificë e madhe?

– Është sakrificë, por nëse nuk sakrifikon, nuk merr dot rezultate. Nëse e dëshiron vërtet diçka gjen kohë për të bërë gjithçka.

– Sa përqind bukuria dhe sa vullneti për të punuar, mendon se favorizojnë për të arritur sa më shumë?

– Vullneti dhe talenti përbëjnë përqindjen më të madhe, pastaj bukuria ka një përqindje të vogël që mund ta quaj bonus.( Buzëqesh)

– E ke të rëndësisshme të jesh “in” me tendencat e fundit?

– Më thuaj, kush nuk e ka?! Një femër që është edhe person publik duhet të jetë gjithmonë “in” me tendencat e fundit sepse thashë, përkujdesja për veten është gjë shumë e rëndësishme.

– Për çfarë ndodh të pendohesh më shpesh?

– Nuk ndodh qe të pendohem shpesh sepse i bëj gjërat me vetëdije, por ndonjëherë pendohem që nuk kaloj më shumë kohë me familjen

– Çfarë mbetet akoma parësore për ty këto kohë?

– Familja, por edhe muzika sepse ajo përbën një pjesë të madhe të jetës time.

– Mendon se ka receta që tregojnë si të jesh e suksesshme?

– Jo, ka punë dhe dashuri për atë që bën. Kjo të bën të suksesshëm apo të suksesshme.

– Pavarësisht vjedhjeve që bëhen në internet, albumi është diçka që mbetet. Ke menduar të realizosh një album? Nëse po, çfarë do të përmbajë ai?

– Kjo pjesa e shkarkimeve në internet, e zbeh pak rëndësinë e albumeve, ndoshta prandaj është bërë tashmë lançimi i këngëve single, një këngë – një klip.

– Ka këngëtare, përfshirë dhe ato botërore, të cilat i mbeten besnike një kompozitori. Po me ty si ndodh?

– Mua më mjafton që pjesa që do më japë kompozitori të jetë e bukur dhe të më ngjisë mua për ta kënduar, nëse është kjo gjë për mua është gjithçka OK.

– Si të duken eksperimentet që bëhen sot me rrymat muzikore?

– Jemi me të drejta të plota dhe çdokush ka të drejtë të eksperimentojë dhe të gjejë drejtimin e tij, qoftë në muzikë apo profesion tjetër.

– Je e martuar me një “american boy”. A ke menduar të bësh një këngë në anglisht?

– Po dhe do ta bëj pikërisht për t’ja dedikuar atij dhe për ta falendëruar në njëfarë mënyre për faktin që e kam në jetën time dhe për mbështetjen që më jep në karrierë.

– Angazhimi yt më i shpeshtë është të kënduarit “live” në ambiente të ndryshme. Çfarë të duket e veçantë gjatë atyre netëve?

– Është kënaqësi më vete të jesh pjesë e gëzimeve familjare, urimet e tyre, duartrokitjet, përqafimet dhe këndimi bashkë me mua i këngëve të mija është vleresimi më i mirë për mua.

– Sa natyrë ekspresive e konsideron veten?

– Me raste jam, por mundohem edhe të jem e përqëëndruar.

– Çfarë do të doje të ishte e shkruar në t-shirt tënd?

– “ I love Henry”.

Cfarë do të sjellë Amarda pas këtij klipi?

– Ka shumë gjëra të bukura në vijim, prisni?! (Buzëqesh)

– Do të ketë së shpejti edhe ndonjë bashkëpunim tjetër?

– Mund të them vetëm që do ketë, por nuk them dot se me kë. Kaq këtë herë. Amarda e do publikun e saj dhe e falendëron për mbështetjen dhe duartrokitjet që i jep.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *