Doktor Dashamiri, jam një zonjë 56 vjeçe nga Tirana dhe kam shumë shqetësime kohët e fundit, kryesisht marrje fryme, shtrëngim në fyt, pagjumësi etj. Këto ankesa ka rreth 6 muaj që sa vijnë e më shtohen, kohë e cila korespondon edhe me humbjen e një të afërmi në familjen tonë. Desha t’ju pyes a janë këto shqetësime të lidhura me tiroiden se më kanë thënë se tiroidja jep këto shqetësime?

Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – E nderuar zonjë, së pari desha, t’ju falenderoj për pyetjen tuaj, sepse pyetja juaj realisht përfaqëson një fenomenologji tipike për bluzat e bardha. Fenomeni që po diskutojmë ka të bëjë me faktin që shpeshherë shumë sëmundje të gjendrës tiroide manifestohen me ankesa dhe shqetësime të caktuara psikologjike, psikiatrike etj. Nga ana tjetër është po kaq i vërtetë fakti që shumë të sëmurë që vuajnë nga probleme psikologjike kërkojnë që t’ia “faturojnë” këto shqetësime mosfunksionimit të mirë të gjendrës tiroide. Ky fenomen i rëndomtë përbën një rebus për zgjidhje përpara çdo mjeku. Duke vazhduar shpjegimin në të njëjtën linjë, ju informoj se sistemi nervor dhe gjendra tiroide kanë një lidhje shumë të ngushtë me njëra-tjetren. Lidhja qëndron në faktin se hormonet e gjendrës tiroide stimulojnë proçese të shumta fiziologjike të trurit. Normalisht do të thotë që pa një tiroide normale truri nuk funksionon normalisht, nuk do të kemi individë me inteligjencë normale dhe aq më tepër nëse flasim për përshtatshmëri në raport me strese apo rrethana të caktuara të jetës si dhe në rastin tuaj.

Gjithashtu vlen të përmendet fakti që vetë sistemi nervor ushtron një lloj kontrolli mbi tiroiden. Mjafton ky shpjegim për të treguar sesa afërsi dhe lidhje të ngushta kanë këto dy struktura të organizmit.

Së dyti, pas këtij shpjegimi fiziologjik po rikthehem për të analizuar një pjesë të pyetjes tuaj: Fakti që ju këtë çrregullim e lidhni me një fatkeqësi familjare më bën të mendoj që shumica e shqetësimeve që paraqisni janë realisht klasike të një gjendje stresi, ankthi etj. Në vazhdim doja të shtoja këtu që diagnoza e diferencuar me disa sëmundje të tiroides kërkon me doemos në këtë moment që të kontrollohet niveli hormonal i gjendres tiroide dhe një ekografi të saj. Nëse do rezultojnë me problem atëherë mund të themi që çrregullimi që ju referoni mund të ketë origjinën te sëmundjet e tiroides, por nëse këto do rezultojnë normal mbetet që ju të mjekoheni thjeshtë për çrregullime të pastra ankthioze. Duke përfunduar, ju këshilloj që sido që të jetë burimi dhe shkaqet që kanë përshpejtuar këtë gjendje ju duhet ta merrni me sportivitet situatën. Duhet të bëni kujdesin maksimal në raport me dietën, stilin e të jetuarit, pa harruar këtu kontrollin e vazhdueshëm tek mjeku specialist. Të shkuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *