– Kam probleme me rënien e flokëve, ndaj doja t’i drejtohesha dermatologes suaj, zonjës Albana. Ju lutem, më thoni, cilët janë shkaktarët e rënies dhe si mund ta kuroj këtë problem që më ka zënë sepse po më shqetëson shumë? Pres një përgjigje nga ana juaj, faleminderit.

Dr. Albana Lufi, mjeke – dermatologe: – Rënia e flokëve është një patologji që haset shpesh në praktiken e përditshme të mjekëve dermatologë, duke shkaktuar kështu shpeshherë shqetësim mjaft të madh te pacientët. Vlen të theksohet që 1.7 % e popullatës zhvillon një formë të rënies së flokëve gjatë gjithë jetës. Rënia e flokëve, sigurisht, përbën një stres të madh për pacientët që vuajnë nga ky problem.

– Shkaktarët e rënies së flokëve janë të shumtë dhe ka disa forma kryesore të rënies së flokëve, pasi çdo formë ka shkaktarë të ndryshëm. Format kryesore të rënies së flokëve janë: Alopecia areata, e cila paraqet një rënie inflamatore të flokëve me vatra, me madhësi të ndryshme si pasojë e një procesi autoimun. Shkaqet janë të panjohura, por ndikojnë shumë faktorë: faktorët gjenetikë, stresi, çrregullimet endokrine, kryesisht të tiroides, vatrat infektive (tonsilit, sinusit, dhëmb i infektuar) dhe anemia.

– Përsa i përket trajtimit të rënies së flokëve, ai është i ndryshëm për çdo formë të rënies së flokëve. Filimisht, duhet të bëni një konsultë me mjekun dermatolog, i cili përcakton analizat specifike në varësi të formës së rënies së flokëve dhe pas përgjigjes së tyre është mjeku që vendos skemen e mjekimit. Ju duhet t’ia shpjegoni me detaje mjekut natyrën e rënies së flokëve tuaja, sepse duhet të nxirret një diagnozë e saktë. Rezultatet e mjekimit duhen parë pas 2-3 muajve. Në ata pacientë që i përgjigjen mjekimit, trajtimi shtrihet derisa të kemi përgjigje të pranueshme kozmetike, ndërsa tek ata që i përgjigjen pjesërisht, mund të ofrohet mjekim alternativ ose mund të bëhet terapi e kombinuar, duke shtuar një medikament tjetër të përshtatshëm. Në rëniet e flokëve me vatra ose alopecia areata, terapitë më shpesh përfshijnë injeksione të kortikosteroideve, krem me kortikosteroide, minoxidil, anthralin, imunoterapi topikale dhe fototerapi. Zgjedhja e një agjenti varet nga mosha e pacientit (fëmijët jo gjithmonë i tolerojnë efektet anësore), shtrirja e procesit (i lokalizuar ose i shtrirë) dhe preferenca personale e pacientit. Në rëniet e përgjithshme të flokëve ose në telogen effluvium, identifikimi i faktorëve dhe trajtimi i tyre në rastet e mundura së bashku me multivitaminat specifike që ndikojnë në rritjen e flokëve do të mundësonte një trajtim sa më efikas të pacientëve me këtë problem. Trajtimi i Alopecisë androgjenike te meshkujt përfshin: Minoxidil topical 2% dhe 5% dhe finasteridi oral 1mg/dite. Trajtimi i alopecise androgjenike te femrat përfshin: Minoxidil topical 2 % dhe 5 %. Terapia antiandrogenike me androgen receptor antagonist (cyproteron acetate, spironolactone, flutamid). Së fundi, ju përshëndes dhe jeni të mirëpritur për vizitë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *