EDI RAMA
Natyrisht që zotin Rama do ta përgëzonim për fitoren e tij, po të kishim mundësi ta intervistonim këtë javë. Nuk i thonë shaka. Ka fituar plot 46 bashki nga 61 që ishin gjithsej. Madje, koalicioni i drejtuar nga ai ka, ka marrë edhe rreth 300 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e 2013-ës. E vetmja vërejtje që do t’i bënim zotit Rama do të ishte për thirrjen që u bëri ai shqiptarëve ditën e fundit të fushatës. E mbani mend si tha? “Shkoni në votime se kush nuk voton, nuk ka të drejtë të ankohet!”. “Po mosvotimi nuk është ankesë, zoti Rama?!”, deshëm ta pyesnim ne atë. A nuk tregon edhe abstenimi që njerëzit janë të pakënaqur?! A nuk është edhe kjo një shenjë proteste që punët nuk janë mirë?! Pastaj, pse doni patjetër që njerëzit të marrin pjesë të gjithë në votime? Jeni të bindur që do të votojnë për ju?! Apo jeni të sigurt që, ashtu siç kanë bërë shpesh shqiptarët kohët e fundit, do të zgjedhim mes dy të këqiave dhe do të votojnë të keqen më të vogël, domethënë, juve?! Kështu do vazhdojmë ne shqipot, duke zgjedhur mes të këqinjve?! Shpresojmë që jo. Shpresojmë që të ndryshojë diçka për mirë dhe kështu duket. Se, kësaj here, njerëzit nuk e dëgjuan zotin Rama për të votuar masivisht. Votuan rreth 300 mijë më pak se më 2013-ën. E morët vesh këtë, zoti Rama? Si mendoni, nuk votuan se janë të pakënaqur, apo kanë ikur nga Shqipëria? Cilado që të jetë përgjigjja juaj, mendoj se kjo pyetje duhet t’ju vërë në mendime…

LULZIM BASHA
Edhe pse kryetari i PD-së, Lulzim Basha, këtë javë është personazh i rubrikës satirike të Kaso Kosës, ne deshëm t’i merrnim edhe një intervistë serioze atij. Na bëri shumë përshtypje deklarata e tij pas zgjedhjeve, prandaj… Edhe me ju, të dashur lexues, besoj se ka ndodhur kështu, apo jo? Edhe ju, besoj, u habitët kur dëgjuat atë që, me një fytyrë të ngrirë dhe pa atë buzëqeshjen e tij që e mban gjithnjë ngjitur në buzë, tha se, zgjedhjet e 21 qershorit janë një fitore e madhe për Partinë Demokratike, se, sipas tij, kjo parti në këto zgjedhje është ringritur. Si mund të flitet për fitore kur nga 61 bashki, opozita e drejtuar nga zoti Basha ka fituar vetëm 14?! Ku e shikoni fitoren këtu ju, zoti Basha, deshëm të pyesnim? Apo te numri i votave?! Di t’i bëjë llogaritë zoti Basha? Në 2013-ën, kur partinë e kishte zoti Berisha, për PD-në votuan 680 mijë shqiptarë, ndërsa tani, 470 mijë, pra, 210 mijë më pak… Apo, në fjalimin e tij ai imitoi atë udhëheqësin afrikan që i tha popullit të tij: “Kur e mora unë pushtetin, vendi ynë ishte në prag të greminës. Tani, ne bëmë një hap përpara…”!

SALI BERISHA
Deshëm të intervistonim këtë javë edhe zotin Sali Berisha, por nuk mundëm. Atë deshëm ta pyesnim për diçka që na bëri përshtypje teksa lexonim gazetën e partisë së tij, “Rilindja Demokratike”. Gjatë këtyre ditëve, pasi ndodhja vrasja e oficerit të Reneas, kjo gazetë ka patur në faqen e parë vetëm shkrime kundër policisë, shkrime ku flitet për terrorin në Lazarat, terror i shkaktuar jo nga banditët, por nga policia, sipas gazetës. Interesant është fakti se gjithë artikujt ku flitet për këtë terror të policisë, gabimet e saj, etj. janë marrë nga statuset e zotit Berisha në Facebook. Dhe nuk i merren pjesët ku ai mbështet policinë, por pjesët ku flet për lazaratasit e traumatizuar, për policë që hedhin nga shkallët nusen shtatzënë etj. Pse ndodh kështu? Pse gazeta nuk shkruan asnjë fjalë në mbështetje të policisë, por vetëm e kritikon atë? Çfarë do të thoshte zoti Berisha për këtë?

HALIM KOSOVA
As kandidatin e PD-së për zgjedhjet bashkiake, zotin Halim Kosova, nuk e takuam dot këtë javë për t’i marrë një intervistë. Ne deshëm ta përgëzonim për fushatën e tij të qytetëruar, shumë ndryshe nga ato që kemi parë deri më sot, pa sharje e sulme të kundërshtarit, pa përmendur komunizmin e Enver Hoxhën, por duke u marrë me njerëzit, me problemet e hallet e tyre. Por, në fund fare, deshëm ta pyesnim edhe për diçka për të cilën na erdhi shumë keq. E kemi fjalën për çastin që ai deklaroi humbjen dhe përshëndeti për fitoren madje edhe kundërshtarin e tij, zotin Veliaj. E vutë re se ai ishte fare vetëm në ato momente?! Asnjë, as zoti Lulzim Basha, ish- kryetari i bashkisë, as nënkryetarët e saj e asnjë nga drejtuesit e PD-së nuk e shoqëroi atë në ato momente. Pse ndodhi kështu? Pse e lanë vetëm në fund të fushatës? Apo kështu është ndjerë ai gjatë gjithë fushatës? Ja, një përgjigje të sinqertë të kësaj pyetjeje do të donim nga zoti Kosova këtë javë…

GENT STRAZMIRI
Deshëm të intervistonim këtë javë edhe deputetin e PD-së, Gent Strazimiri, por nuk mundëm. Na bëri përshtypje deklarata e tij në Facebook, pas zgjedhjeve, se “Një bandë kriminale nuk mund të neutralizohet me votë”. Na lindi shumë pikëpyetje kjo deklaratë. Së pari, për cilën bandë e kishte fjalën, për PS-në, apo për PD-në?! Se kjo pyetje, duke u nisur nga debatet e shumta që janë bërë për dekriminalizimin, shkon për të dyja partitë… Së dyti, a e di zoti Strazimiri se, në demokraci, e vetmja mënyrë për të hequr një parti nga pushteti, për të marrë pushtetin, pra, ështe vota?! Të gjitha mënyrat e tjera, përfshi edhe drurin që hëngri ai në parlament nga deputetët e PS-së, janë të dënueshme nga ligji?! Dhe, dënimi për thirrje të tuilla është me gjobë, deri edhe me burg…

(Gazetën “Intervista”, të plotë, mund ta blini online, që ditën e daljen në treg, vetëm për 89 cent, në: http://www.pressreader.com/albania/intervista, ndersa në Greqi, në kioskat ku shitet shtypi i huaj. Nëse nuk e gjeni në kiosken pranë jush, na dërgoni një sms në 6938691274)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *