Të gjithë e dimë se futja e fizkulturës në stilin e jetesës është një nga hapat më të mëdhenj që mund të bëjmë për të përmirësuar shëndetin tonë. Një nga format më të thjeshta (dhe më pak të kushtueshme) të fizkulturës është vrapi apo ecja. Shumë njerëz zgjedhin ose njërën, ose tjetrën. Ata që ecin, thonë se vrapi mund të dëmtojë trupin, ndërsa ata që vrapojnë, thonë se ecja nuk quhet fizkulturë e mirëfilltë. Cili nga dy aktivitetet është më i mirë?

 

Cilat janë të mirat e ecjes?

Ecja mund të jetë një mënyrë shumë e thjeshtë për të përmirësuar formën fizike, është e përshtatshme për njerëzit e çdo moshe e peshe dhe mund t’ju sjellë përfitime të mëdha. Në fakt, në një studim të kohëve të fundit, të bërë nga universiteti i Anglisë Lindore, u zbulua se ecja në grup mund të pakësonte shkaqet që rrezikojnë jetën. Studimi tregoi se njerezit që merrnin pjesë në një grup ecjeje, patën një rënie të dukshme të presionit të gjakut, ritmit të zemrës, dhjamit në trup, peshës dhe kolesterolit. Shumë mbresëlënëse! Studimi zbuloi gjithashtu se njerëzit që ecnin në grup kishin një qëndrim më pozitiv ndaj fizkulturës në përgjithësi, ndërkohë që ecja shërbente si katalizator për të mbajtur edhe qëndrime të tjera të shëndetshme. Përveç kësaj, një nga përfitimet e ecjes në grup ishte se të jep mundësi për t’u shoqërizuar (keni provuar ndonjëherë të bisedoni ndërkohë që vraponi?).

 

Cili sport djeg më shumë kalori?

Kur vjen puna te djegia e kalorive për një kohë më të shkurtër, vrapi fiton, por ka mënyra për të shtuar djegien e tyre me anë të ecjes, për shembull, me të ashtuquajturën Ecje Nordike (me shkopinj si të skive), gjatë së cilës vihen në përdorim 90% të muskujve të trupit dhe digjen 40% më shumë kalori sesa gjatë ecjes së zakonshme. Ecja Nordike është veçanërisht e mirë për njerëzit me probleme të kyçeve, ose për ata që fillojnë nga e para fizkulturën. Ajo gjithashtu mund të vazhdohet edhe pasi trupi juaj ju thotë se jeni shumë të moshuar për të vrapuar!

 

Po përsa i përket sigurisë?

Në këtë drejtim, është e drejtë të pranojmë se, në disa rrethana të caktuara, vrapi i dëmton gjunjët, meqë edhe impakti në ta është më i madh. Njihen problemet në gjunjë të vrapuesve, që shkaktohen nga lëvizja mes kupës së gjurit dhe kockës së kofshës. Megjithatë, sindroma e “gjurit të vrapuesit” ndodh më shpesh kur nuk ke bërë shumë vrap në të kaluarën, ose kur do të bësh shumë dhe menjëherë, prandaj fillojeni dalëngadalë dhe kështu do të rrezikoni më pak. Sigurohuni gjithashtu që të keni veshur një palë atlete të mira dhe jo një palë të vjetra që keni kohë që i keni blerë. Këto atlete nuk është e thënë të jenë shumë të shtrenjta, megjithatë njerëzit janë të ndryshëm, kështu që mbase ju keni nevojë për atlete speciale, pasi mund të keni këmbën me shumë hark, ose e kundërta, dystaban.

Vrapi është akuzuar se nxit artritin e gjurit (një problem që karakterizohet nga problemet me tendinat, dëmtimi i kërceve të gjurit dhe kockës), por një studim i fundit, ka zbuluar se vrapi bën të kundërtën, pra, të mbron nga një problem i tillë. Në këtë rast u morën në studim disa vrapues për një kohë mbi dyvjeçare dhe u zbulua se ata që vraponin rregullisht (3-4 herë në javë) reduktonin mundësinë për të pasur dhimbje të shpeshtë të gjurit, ose osteoartrit, në krahasim me ata që nuk vraponin rregullisht. Disa thanë se kjo mund të shpjegohet me faktin se vrapuesit kanë tendencë të jenë më pak mbipeshë (mbipesha ushtron shumë presion në gjunjët tanë). E dinit se çdo gjysmë kilogramë peshë e tepërt ushtron 2 kg më shumë forcë në gjunjë? Kur vraponi kjo forcë është edhe më e madhe, mbase deri në 8 herë më shumë se pesha trupore, ndërsa dyfishohet kur ecni. Megjithatë, gjunjët tanë kanë një shtresë mbrojtëse, që thith përplasjen dhe kjo përballon edhe forcën e ushtruar në to për kilometra të tëra vrapi. Për këtë arsye, shumica e specialistëve mendon se artriti shkaktohet më shumë nga trashëgimia dhe pesha e trupit, sesa nga lloji i fizkulturës që bëjmë.

 

Pra, do të zgjedhim ecjen apo vrapin?

Që të dyja llojet e sporteve përfaqësojnë përfitime për trupin tonë. Asnjëri prej tyre nuk është i destinuar t‘ju shkaktojë dëmtime në trup, nëse tregoheni të kujdesshëm. Në vend që të shqetësoheni për rreziqet relative të llojeve të ndryshme të sportit, më mirë zgjidhni një sport që ju pëlqen dhe që do ta vazhdoni për një kohë të gjatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *