Kur mjekët e kapin herët kancerin e zorrës së trashë, ai mund të kurohet. Kanceri është pasojë e rritjes së qelizave jonormale në indet që veshin zorrën e trashë dhe është i përhapur si te burrat, ashtu edhe te gratë. Në SHBA, për shembull, në vdekjet e shkaktuara nga kanceri, ky kancer zë vendin e dytë.

 

Çfarë janë polipët?

Kanceri i zorrës së trashë shpesh fillon me një polip (mish i huaj, i padëmshëm, që rritet në indet që veshin zorrën). Dy tipet më të zakonshme të polipeve të zorrëve janë adenomat dhe polipet hiperplastikë. Ata formohen kur ka probleme në mënyrën se si qelizat rriten dhe riparojnë shtresën veshëse të zorrës. Shumica e polipeve janë të padëmshëm, por disa mund të bëhen kancerozë. Heqja e tyre e hershme parandalon sëmundjen.

 

Faktorët e rrezikut që nuk mund t’i kontrollosh

Rreziku për të vuajtur nga kanceri i zorrës së trashë varet nga historiku i familjes dhe stili i jetesës. Ja, faktorët që janë jashtë kontrollit tonë:

– Mosha. Shumica e njerëzve që sëmuren prej tij, janë mbi 50 vjeç

– Polipët dhe sëmundja e kolitit

– Historiku familjar, domethënë, kur personi ka pasur të tjerë me këtë sëmundje në familje

– Ka pasur në familje të sëmurë me kancer gjiri apo vezoresh

 

Faktorët e rrezikut që mund t’i kontrollosh

Ju mund të kontrolloni disa faktorë që shtojnë rrezikun për këtë lloj kanceri. Përpiquni të evitoni këto:

– Konsumim i madh i mishit të kuq apo të përpunuar, si edhe gatimi në temperatura të larta.

– Obeziteti (sasi e madhe dhjami rrotull belit, në bark, etj.)

– Mungesa e fizkulturës

– Duhanpirja

 

Cilat janë simptomat?

Kanceri i zorrës së trashë nuk ka simptoma të hershme. Për këtë arsye, duhet bërë kontrolli i shpeshtë. Nëse ai zbulohet shpejt, ka më shumë gjasa që të kurohet. Kur sëmundja përkeqësohet, mund të shihni gjak në jashtëqitje, ose të keni dhimbje në bark, një ndryshim në jashtëqitje (si kapsllëk, apo diarre), një rënie të pashpjegueshme në peshë, apo lodhje. Kur shfaqen këto simptoma, tumori është zmadhuar dhe është më e vështirë për t’u trajtuar.

 

Analizat për gjetjen e kancerit

Për ta zbuluar sëmundjen sa më herët, duhet bërë kontroll i zorrës së trashë, kolonoskopi. Kolonoskopia bëhet duke futur një tub të hollë me një kamera në zorrë, për të parë gjithë zorrën e trashë dhe rektumin (pjesën e fundit të zorrës). Me anë të kësaj analize, kanceri jo vetëm zbulohet herët, por edhe parandalohet, duke hequr polipet, si në figurë.

 

Kolonoskopia virtuale

Kolonoskopia mund të bëhet edhe me skaner, për të treguar një model 3D të zorrës së trashë. Kjo analizë mund të tregojë polipet ose probleme të tjera, pa futur kamera në trup. Dizavantazhi i saj kryesor është se, nëse doktori sheh polipe, përsëri keni nevojë për një kolonoskopi për t’i hequr ato. Doktori mund t’ju sugjerojë të bëni skanerin çdo 5 vjet.

 

Klizëm me barium

Në këtë rast, futet në zorrë sulfat bariumi dhe specialisti e sheh zorrën me anë të rrezeve X. Kjo është një mënyrë tjetër për të gjetur polipët, tumoret ose ndryshime të tjera në zorrë. Ashtu si në kolonoskopinë virtuale, nëse gjenden parregullsi në zorrë, doktori do t’i heqë ato me një kolonoskopi normale. Doktori mund t’ju japë të bëni klizëm me barium, çdo pesë vjet.

 

Sigmoidoskopia fleksibël

Në vend të kolonoskopisë, doktori mund t’ju këshillojë të bëni Sigmoidoskopinë fleksibël. Në këtë rast, një tub i hollë futet në rectum dhe në një pjesë të zorrës. Tubi ka në fund një dritë të vogël dhe një kamera, që tregojnë praninë e polipëve apo kancerit. Nëse doktori thotë se është testi i duhur për ju, atëherë ju duhet ta përsëritni çdo 5 vjet.

 

Analiza e feçeve

Analiza për qeliza gjaku e feçeve dhe ajo imunokimike mund të tregojnë nëse keni në jashtëqitje qeliza gjaku, të cilat mund të jenë shenjë kanceri. Nëse doktori  mendon se është analiza e duhur për ju, mund të bëni një test të tillë çdo vit, në mënyrë që të mos keni nevojë për kolonoskopi apo sigmoidoskopi.

 

Analiza të ADN-së

Një analizë e re, e quajtur Kologard, bëhet për të kërkuar qeliza gjaku, apo ADN-je në feçe. Nëse ajo i gjen, përsëri keni nevojë të bëni kolonoskopinë. Sido që të jetë, kjo analizë është ende e re dhe bëhet vetëm në disa vende të botës.

 

Diagnostikimi i duhur

Nëse analizat tregojnë për mundësinë e një tumori, hapi tjetër që duhet bërë është biopsia. Gjatë kolonoskopisë, doktori heq polipët dhe mund të marrë nga zorra inde që duken të dyshimta. Ekspertët i studiojnë këto inde me mikroskop për të parë nëse janë kanceroze.

 

Stadet e kancerit

Ekspertët e klasifikojnë në stade kancerin e zorrës së trashë, për të parë se deri ku është përhapur. Stadet më të larta tregojnë se rasti është më serioz. Më shumë rëndësi sesa madhësia e tumorit, ka përhapja. Stadi i ndihmon doktorët për të vendosur për tipin e trajtimit që duhet të merrni:

  1. Stadi 0. Tumori ndodhet vetëm në indet që veshin zorrën e trashë.
  2. Stadi 1. Tumori është rritur sa është prekur edhe muskuli i zorrës.
  3. Stadi 2. Tumori është rritur sa ka prekur shtresën e jashtme të zorrës.
  4. Stadi 4. Kanceri ka prekur një ose disa noduj limfatikë të zonës
  5. Stadi 5. Kanceri është përhapur në zona të tjera të trupit, si në mëlçi, mushkëri, apo kocka.

 

Përqindja e mbijetesës

Sigurisht, ajo varet nga stadi i tumorit. “Përqindja e mbijetesës në 5 vjet” tregon se sa për qind e njerëzve të sëmurë jetojnë 5 vjet ose më shumë, pasi janë diagnostikuar. Stadi 1 ka 74% mundësi, ndërsa stadi 4 ka, vetëm 6%.

 

A ndihmon ndërhyrja kirugjikale?

Ndërhyrja kirurgjikale ndihmon shumë në stadet e hershme të tumorit. Në stadet e mëpasme, përveç në të pestin, doktorët duhet të heqin tumorin dhe indet rrethuese. Nëse këto tumore janë të mëdha, mund të hiqet një pjesë e zorrës së trashë, apo e rectumit. Nëse ai ka prekur mëlçinë, mushkëritë, apo organe të tjera, atëherë ndërhyrja kirurgjikale rrallë mund të bëjë punë, por mund të ndihmojë në reduktimin e simptomave.

 

Luftimi i kancerit në stadet e përparuara

Kanceri mund të shërohet në disa raste, edhe sikur të ketë prekur nodujt limfatikë (stadi 3). Trajtimi, zakonisht, bëhet me operacion, rrezatim dhe kimioterapi. Nëse kanceri rikthehet dhe prek organe të tjera, atëherë është më e vështirë të shërohet, por rrezatimi dhe kimioterapia përsëri mund të reduktojnë simptomat dhe t’ju ndihmojnë të jetoni më gjatë.

 

Të bën të ndjehesh keq kimioterapia?

Ilaçet e reja të kimioterapisë sjellin më pak probleme për të sëmurin. Ka edhe ilaçe që të ndihmojnë të kontrollosh të vjellat.

 

Heqja me radiovalë

Kjo metodë përdor nxehtësinë e madhe për të djegur tumoret. Ato udhëhiqen nga skaneri; doktori fut një si gjilpërë në tumor dhe në zonën rrethuese. Kjo lloj metode mund të shkatërrojë disa tumore që nuk hiqen dot me operacion, si për shembull, në mëlçi. Krahas kësaj metode, mund të bëhet edhe kimioterapia.

 

Parandalimi i tumorit me dietë

Ju mund të merrni masa për të ulur mundësitë e kancerit të zorrës së trashë. Hani në mënyrë të shëndetshme, bëni fizkulturë dhe kontrolloni sasinë e dhjamit në trup. Këto zakone parandalojnë 45% të kancereve të zorrës së trashë. OBSH këshillon një dietë me fruta dhe perime, pa shumë mish të kuq dhe të përpunuar edhe me drithëra integrale, në vend të atyre të rafinuara. Kjo do t’ju ndihmojë të keni një peshë të shëndetshme.

 

Parandalimi i tumoreve me fizkulturë

Të rriturit që janë aktivë, duket se kanë një armë të fuqishme kundër kancerit të zorrës së trashë. Në një studim, njerëzit që ishin aktivë kishin 24% më pak mundësi të kishin kancer sesa ata që nuk ishin aktivë, s’ka rëndësi se çfarë bënin, punonin apo luanin. Shoqata Amerikane kundër Kancerit këshillon të bësh fizkulturë 5 ose më shumë ditë në javë, për të paktën 30 minuta në ditë. Nëse bëni sport intensiv, mund të bëni 20 minuta, 3-4 ditë në javë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *