Ruajini fëmijët nga otiti!
Masat që duhen marrë dhe të gjitha komplikacionet që vijnë prej tij

Otiti është një nga sëmundjet më të përhapura te fëmijët. Dy fëmijë në tre vuajnë prej tij para moshës 3 vjeç. Shkaqet kryesore janë ndotja, por sidomos qarkullimi i viruseve në shkolla dhe kopshte. Si mund të evitohen dhe sidomos, ç‘duhet bërë që të mos përsëriten? Për këtë, lexoni intervistën e mjekut specialist ORL…

– Pse otitet janë kaq të shpeshta te fëmijët?
– Është e vërtetë që otiti është një sëmundje që prek sidomos fëmijët e vegjël. Janë të rrallë të rriturit që vuajnë prej tij. Arsyeja pse është kaq i shpeshtë te fëmijët është e thjeshtë: Ata sëmuren shpesh nga rrufa. Në fëmijëri, funksionimi i tubit të Eustashit (që lidh veshin e mesëm me fytin) nuk është shumë efikas dhe zihet shpesh. Si rezultat, sa herë që fëmija sëmuret nga rinofaringiti apo rrufa, tubi i Eustashit rrezikon të preket. Sekrecionet që përmbajnë plot bakterie ose viruse grumbullohen në vesh dhe e infektojnë atë. Kjo ndodh më shpesh te fëmijët e moshës 6 muaj-3 vjeç dhe sidomos gjatë vjeshtës e dimrit, kur edhe rrufat janë më të shpeshta. Në raste të tjera, një mosfunksionim i tubit të Eustashit, mjedisi rrethues favorizues, si për shembull vajtja e fëmijës në çerdhe apo kopsht, nëse prindi pi duhan në shtëpi, favorizojnë sëmurjen me otit.
– Cilat janë llojet e otiteve?
– Janë dy, me origjinë virusale, ose bakteriale. Këto dy lloje otitesh nuk trajtohen në të njëjtën mënyrë. Trajtimi me antibiotikë është efikas vetëm për otitet me origjinë bakteriale. Idealja do të ishte një analizë me mbjellje e sekrecioneve të veshit, për të parë nëse otiti është me origjinë bakteriale, apo virusale dhe vetëm më pas të fillohet trajtimi. Megjithatë, në shumicën e rasteve, nuk ndodh kështu. Në fakt, është e mundur që mjeku nga vizita e tij të kuptojë nëse është otit virusal apo bakterial. Në rastin e një otiti bakterial, temperatura është e lartë, dhimbjet të forta dhe timpani i veshit, me qelb ose i çarë. Kur otiti është bilateral, domethënë në të dy veshët, ai është me origjinë bakteriale. Në rastin e otitit virusal, gjendja e fëmijës është më e mirë.
– Çfarë ndërlikimesh mund të sjellë otiti?
– Një otit, megjithëse është i shpeshtë te fëmijët e vegjël, duhet marrë gjithmonë seriozisht. Në fakt, ai mund të sjellë ndërlikime:
a. Kur infeksioni përparon dhe përhapet, mund të shkaktojë një meningit.
b. Ai mund të provokojë një mastoidit: Kavitetet e veshit të mesëm komunikojnë të gjitha mes tyre. Duhet menduar për një mastoidit kur otiti nuk shërohet brenda kohës së duhur, kur fëmija nuk shton në peshë, si dhe kur vazhdojnë problemet me tretjen e temperatura.
c. Ai mund të shkaktojë probleme me dëgjimin (të shpeshta), kur otiti nuk diagnostikohet në kohën e duhur. Duhet ditur se me çdo otit, fëmija humbet pak dëgjimin, gjatë kohës që është sëmurë. Kur shërohet, dëgjimi rikthehet në normalitet.
d. Otiti i lëngshëm është një ndërlikim që ndodh shpesh pas disa otiteve të përsëritura. Pas një otiti akut, lëngu qëndron pas timpanit, duke shkaktuar ndonjëherë një humbje të pjesshme të dëgjimit.
e. Ndërlikimi më i shpeshtë është rikthimi dhe përsëritja e otiteve.
– Çfarë është paracenteza?
– Paracenteza ka qenë për një kohë të gjatë trajtimi më i shpeshtë i otiteve dhe më i frikshmi për fëmijët. Bëhet fjalë për shpimin e timpanit të veshit nga mjeku me qëllim evakuimin e sekrecioneve të grumbulluara. Sot ajo përdoret gjithmonë e më rrallë dhe me anestezi të përgjithshme. Praktikohet kur otiti u reziston ilaçeve për uljen e temperaturës ose antibiotikëve. Ajo qetëson menjëherë dhimbjet, por antibiotikët gjithnjë e më efikasë e kanë bërë të panevojshëm përdorimin e saj.
– Çfarë këshillash do të jepnit për evitimin e otiteve?
– Në rastin e otiteve të përsëritura, mjeku duhet të kërkojë faktorët favorizues të këtyre përsëritjeve:
a. Faktorë anatomikë, si mishi i huaj në hundë. Mund të bëhet fjalë edhe për një keqformim.
b. Faktorët e mjedisit. Fëmijët e qytetit janë më të ndjeshëm ndaj otiteve sesa fëmijët e fshatit, sepse ndotja luan rol negativ. Edhe jeta në kolektivitet favorizon përsëritjet e otiteve.
c. Duhanpirja pasive: Mos pini kurrë duhan pranë fëmijëve. Përfitoni nga lindja e fëmijëve për të lënë duhanin! Në shtëpi, ose veturë, mos pini kurrë duhan para fëmijës.
d. Nëse mundeni, prisni moshën 3 vjeçare për ta çuar në kopësht, ose në përgjithësi, kufizoni në maksimum qëndrimin e fëmijës në kolektiv. Nëse keni mundësi, zgjidhni çerdhen apo kopështin me më shumë hapësirë, pasi afërsia me fëmijët e tjerë luan një rol të rëndësishëm.
f. Ushqimi me qumështin e nënës duket një mënyrë e mirë për të parandaluar otitin.
e. Kujdesuni që të mos vuajë nga vjellja e ushqimit, që mund të irritojë mukozat.
g. Është e rëndësishme t’ia fshini rregullisht hundët fëmijës dhe t’ia pastroni ato me ujë fiziologjik, sapo e zë rrufa.
– Çfarë është dhe kur përdoret një diabolo?
– Diabolo ose jojo është një tub i vogël që vihet në timpanin e veshit për të evakuar lëngjet që formohen në vesh, kur tubi i Eustashit nuk luan rolin e tij. Është një lëng pak i trashë që qëndron në tubin e Eustashit, që bëhet gjithnjë e më viskoz dhe nuk mund të drenazhohet. Parimi është i njëjtë me atë të një kutie konserve. Kur ju bëni një vrimë, lëngu nuk rrjedh; kur bëni dy, ai del. Me një fjalë, diabolo bën të mundur evakuimin e sekrecioneve, bashkë me mikrobet që ato përmbajnë.
– Kur duhen përdorur antibiotikët?
– Jo gjithmonë, bile më pak sesa përdoren sot. Otitet te fëmijët janë infeksione shumë të shpeshta dhe nëse përdorim antibiotikë çdo herë, do të krijohej rezistencë. Bakteriet mësohen me këta antibiotikë dhe bëhen gjithnjë e më të forta dhe rezistente, kështu që antibiotikët humbasin efikasitetin dhe duhen përdorur antibiotikë më të fuqishëm. Ky është një rreth vicioz. Për më tepër, antibiotikët i gjejmë gjithandej tani. Për shembull, edhe te mishi që hamë ka gjurmë antibiotikësh. E gjitha kjo ndikon në rezistencën bakteriale.
Mjeku duhet të ndjekë këto rekomandime: Trajtim me antibiotikë për fëmijët nën dy vjeç dhe të presë 48 orë para se të japë antibiotikë për një fëmijë mbi dy vjeç, me përjashtim të rasteve kur ekziston ndonjë faktor serioz. Nëse pas 48 orëve, situata nuk përmirësohet, atëhere mund të jepen antibiotikët. Në shumicën e rasteve, otitet vijnë duke u përmirësuar, qofshin ato bakteriale apo virusale.
– Po vaksinat?
– Dy janë vaksinat që këshillohen, ajo kundër Hemophilus influenzae dhe kundër pneumokokut. Në fillim ato kishin si qëllim parandalimin e meningiteve, por shumë studime kanë treguar efikasitetin e ryre në parandalimin dhe ndërlikimin e otiteve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *