Ankthi është një nga shfaqjet e stresit dhe një nga reagimet më të shpeshta njerëzore.

Ashtu si stresi, një nivel i moderuar i ankthit shërben për të stimuluar dhe motivuar,

por nëse është i fortë, mund të shkaktojë probleme, si fizike, ashtu edhe psikike.

Në nivele të larta, ai mund të bëhet edhe patologjik, pra, sëmundje. Ankthi lind kur një person ndjehet i kërcënuar nga diçka reale apo e mundshme dhe është një reagim natyral i vetëmbrojtjes që manifestohet me nervozizëm. Shkalla e ankthit varet nga fakti se deri në ç’pikë personi ndjehet i kërcënuar dhe i pambrojtur. Ka njerëz që jetojnë në një gjendje të vazhdueshme nervozizmi (ankthi bëhet tipar i personalitetit të tyre), ashtu siç ka të tjerë që e manifestojnë si përgjigje ndaj kushteve të caktuara. Ky lloj ankthi zhduket kur merr fund situata që e provokon…

Simptomat e zakonshme

Kur ankthi është në një gradë të zakonshme, pra, normale dhe shkaktohet nga një stimul i caktuar, mund të shfaqet “i fshehur” pas manive apo frikërave të ndryshme. Si mund t’i njohim ato? Ka disa gjeste tipike të këtij lloj ankthi si për shembull të luash me syzet apo unazën, të prekësh fytyrën, flokët, vazhdimisht, të mbulosh me dorë sytë, fytyrën apo gojën, etj. Megjithatë, këto gjeste mund të bëhen patologjike dhe të kthehen në fiksime, fobi, bile edhe kriza paniku dhe të bëjnë të ndjehesh keq. Ky angështim (shumë shqetësues për personin që e ndjen) shoqërohet zakonisht me ndjesinë që është e pamundur të bësh një jetë normale. Ata që e vuajnë, shfaqin sjellje të pazakontë në shoqëri, që i bën të dallohen nga pjesa tjetër e grupit: Lëvizin vazhdimisht në karrige, përdredhin flokët apo duart, pinë shumë duhan, ndjejnë një frikë të pazakontë për një kafshë të caktuar ose kontrollojnë shumë herë nëse kanë fikur mirë zjarrin apo nëse kanë mbyllur portën. Ankthi shfaqet edhe në nivelin fizik: Duart djersijnë shumë, rrahjet e zemrës përshpejtohen dhe frymëmarrja është me shpeshtë se zakonisht. Gjithashtu, formohet edhe një komb në stomak që i ndalon të hanë ose përkundrazi, u hipën uria papritur. Këto mani, të cilat në fillim janë një përgjigje normale ndaj një situate të pakontrollueshme, përbëjnë një problem kur pengojnë jetën normale.

Çfarë e shkakton stresin?

Atë e krijojmë vetë ne njerëzit, sepse stresi në vetvete nuk ekziston. Pse, në shoqërinë tonë, kur mirëqenia është më e madhe se kurdoherë, kemi më shumë stres se kurrë? Sepse na bombardojnë me idenë e trupit të përkyer, suksesit, pushtetit, rehatisë… dhe krijojmë një ideal që nuk ekziston në realitet. Përveç kësaj, trupi i njeriut është përgatitur për të përballuar situata të rrezikshme dhe kërkon sfida të reja për të parë nëse mund t’i përballojë apo jo. Njerëzit që bëjnë një jetë të rehatshme kërkojnë sfida të reja për të qenë të lumtur… Një gjë tjetër që e provokon stresin është edhe një fatkeqësi që mund të ndodhë… Te të rinjtë, ndarja nga lidhja e parë, te të rriturit, vdekja e një fëmije, divorci…

Ku ndikon stresi dhe ankthi?

Çrregullimet ndodhin kryesisht në trurin e përparmë, aty ku ndodhen edhe zonat e urisë, gjumit dhe lidhjeve seksuale. Për këtë arsye, stresi ndikon më shumë tek ushqimi, gjumi dhe epshi seksual. Në lidhje me këtë të fundit, burrat dhe gratë reagojnë krejt ndryshe përballë një situate stresante. Në përgjithësi, shkaktohet një konfuzion, si në nivelin personal (njeriu pyet veten: Nuk më pëlqen më seksi apo partneri?), ashtu edhe në nivelin e lidhjes (Nuk e kënaq më? Ka gjetur ndonjë tjetër?). Burrat kanë një impuls seksual që duan ta kënaqin shpejt, ndërsa grave stresi u ndërpret papritur dëshirën për kontakt seksual, bile edhe për afërsi fizike.

Praktika për ta frenuar

Njihen disa teknika për ta qetësuar. Për shembull, të marrësh frymë nga barku: Ulu rehat, vër dorën e djathtë në pjesën e sipërme të gjoksit dhe të majtën në pjesën e poshtme të barkut. Fillo të marrësh frymë dhe çoje te barku duke e kaluar nga gjoksi. Vër re se si dora e majtë zhvendoset sa herë që barku mbushet me ajër, ndërsa e djathta nuk lëviz. Një teknikë tjetër konsiston në imagjinimin sikur del jashtë trupit tënd: vështroje i ulur, i qetë. Imagjino pikat e tensionit, sikur i bën masazh trupit, ndërkohë që i dërgon vetes mesazhe pozitive (bëje një herë në ditë). Për të rifituar energjinë: Mbylli sytë dhe imagjino sikur sheh një dritë. Numëro ngadalë nga 10 në 0, ndërkohë që sheh dritën të ulë intensitetin në çdo numër (numri 0 është errësira) dhe pastaj numëro nga 0 në 10 duke u mbushur me dritë. Hapi sytë.

Terapi shtesë dhe kura natyrale

Janë të shumta dhe efikase, sepse rregullojnë emocionet. Të tilla mund të përmendim ilaçet homeopatike, akupunktura, refleksoterapia, etj.

Shumë persona që vuajnë nga ankthi mundohen ta lëhtësojnë duke konsumuar në formë të pakontrolluar ushqime, duhan, alkool apo droga, ose duke u larguar nga realiteti. Me anë të tyre, ata kërkojnë në mënyrë të pandërgjegjshme të eliminojnë terpicën e adrenalinës, por në realitet, provokojnë më shumë ankth. Ka disa elementë natyrale që janë efikasë kundër ankthit: Triptofani, një substancë që merret nga panxhari, një relaksues shumë efikas, valeriana, të cilën mund ta kombinojmë me lupulusin, lulja e pasionit dhe magnezi që ndihmojnë në relaksimin e mendjes dhe muskulaturës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *