Qafa e mitrës ndodhet mes mitrës dhe vaginës.

Ajo formohet nga një paret i trashë rrotull një unaze, që quhet kanali cervical.

Qafa bën komunikimin e vaginës me pjesën e brendshme të mitrës.

Andej kalojnë spermatozoidët, për të fekonduar vezën. Në momentin e lindjes së fëmijës, qafa e mitrës zgjerohet, derisa hapet krejtësisht në momentin që del fëmija.

Gjinekologu, gjatë vizitës, ekzaminon qafën e mitrës duke përdorur një speculum. Ai sheh vetëm pjesën e jashtme të qafës, atë që është në vaginë. Është ajo që quhet eksokol…

Dagnostikimi i dëmtimeve të qafës, para shfaqjes së kancerit

Qafa e mitrës është normalisht e veshur me një mukozë rozë dhe të lëmuar. Ndodh që mukoza të paraqesë dëmtime që duhen diagnostikuar dhe trajtuar, sepse mund të ndodhë që ato të transformohen në kancer.

Faktorët favorizues

Ekzistojnë faktorë favorizues për shfaqjen e kancerit, ku ndër më të njohurit janë: Shtatzanitë e shumta, marrëdhëniet seksuale në moshë të hershme, numri i shumtë i partnerëve dhe pirja e duhanit.

Kanceri i qafës së mitrës zhvillohet duke u nisur nga një infeksion me virusin e papilomavirusit (HPV). Vetëm disa tipe të HPV mund të shkaktojnë kancerin dhe, megjithëse janë të shumta gratë e reja që preken prej tij, për fat të mirë, të shumta janë edhe ato që e heqin qafe në mënyrë të natyrshme. Megjithatë, ndodh që te disa gra, ky virus të shkaktojë dëmtime të mukozës së qafës, që më pas kthehen në kancer.

Kanceri i qafës së mitrës zhvillohet heshturazi

Kanceri i qafës së mitrës nuk shfaq simptoma në fillim të zhvillimit të tij. Mund të keni leukorre (sekrecione të bardha), një dispareuni (dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale), pastaj metrorragji (hemorragji në mes të ciklit) spontane, ose në momentin e marrëdhënieve seksuale… Në shumicën e rasteve, ai zbulohet me anë të analizës së Pap-testit. Ajo duhet të jetë periodike, çdo tre vjet, nga mosha 25 vjeç e deri në moshën 65 vjeç. Dy analizat e para duhen bërë me një interval një vit, pastaj çdo tre vjet, nëse dalin normale. Këto janë këshillat “zyrtare”, por shumica e mjekëve dhe gjinekologëve preferojnë t’i bëjnë një herë në vit, për të evituar mundësinë e zhvillimit të kancerit ndërmjet kësaj periudhe. Edhe nëse qafa e mitrës duket e shëndetshme, mjeku e bën analizën. Është një analizë shumë e thjeshtë, që konsiston në marrjen e disa qelizave mbi qafën e mitrës, me një shkop me pambuk. Pastaj qelizat vihen në një lamelë ose flakon, për t’u çuar më pas në laborator.   

Kur qelizat dalin anormale, duhet bërë një biopsi, pra, një marrje qelizash nga indi cervikal. Biopsia bën të mundur njohjen e tipit të qelizave të prekura dhe dallimin e thellësisë së prekjes së mukozës nga tumori. Nën qeliza ekziston një vijë, që quhet membrana bazale. Nëse qelizat kanceroze nuk e kalojnë membranën bazale, kanceri është shumë sipërfaqësor. Nëse e kanë kaluar këtë membranë, quhet kancer invaziv dhe trajtimi bëhet ndryshe.


Bilanci i përhapjes

Kur bëhet diagnostikimi i kancerit, ciladoqoftë madhësia e tij, duhet kërkuar një shtrirje e mundshme e tij në indet që ndodhen pranë, si në mitër, vaginë, fshikëz, kanalet urinare (uretrat), veshkat, zorrën e trashë, një përhapje në ganglionet limfatike, ose metastaza në distancë, që janë të vonshme në këtë kancer.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *