– Dr. Demiri, ju kam parë në një televizion duke folur për dobitë e agjërimit, por kam ende një pyetje për ju… Ju lutem të më shpjegoni një gjë: Çfarë i gëzon këta agjëruesit? Ku e gjejnë ata gjithë atë fuqi durimi që rrinë pa pikën e ujit në pellgun e vapës?! Me dashuri, Elisabeta.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: E nderuara Elisabeta, nuk mund të mos i përgjigjem letrës suaj pa ju falënderuar më parë! Megjithëse ka kaluar koha e agjërimit, ka nga ata që mbajnë akoma ditët që i kanë të munguara. Tani që po e lexoja letrën, më erdhi për të qeshur sepse dje isha i pranishëm në një dialog të tillë: Një miku im, pedagog, i tha nipit të tij agjërues, besimtar: “Sa fatkeq që të shoh more djalë pa ujë në gjithë këtë vapë!”. Nipi buzëqeshi dhe ia ktheu: “O dajo, fatkeqë jeni ju që nuk agjëroni e jo ne!”. Miku im pedagog qeshi dhe m’u drejtua: “A e sheh more profesor se çfarë mendjeje kanë këta?!”, mirëpo u çudit nga admirimi që unë shfaqa për djalin 18 vjeçar, nipin e tij, të cilit dhe ku, ndër të tjera, i thashë se agjërimi është shëndet, disiplinë, vetëpastrim i organizmit nga “helmet” dhe tepricat, dhjamrat, është vetëpërmbajtje, është ta vësh trurin nën “komandë” dhe truri të komandojë bukur trupin, është jetëgjatësi, është shpëtim nga droga, duhani, alkooli etj. Ai më pa në sy dhe më tha: “Për atë Zot, aq mirë e ke ti! Unë jam lazaratas e banoj prej 6 dekadash në Tiranë, por po të kisha para, do të ndërtoja një xhami në mes të Lazaratit, sepse droga po na e merr në qafë brezin e ri, kurse besimtarët as nuk mund t’i shtrojë, as nuk mund ta përdorin e as e tregtojnë dot atë, as duhanin, as alkoolin, as bixhozin, as kurvërinë, as, as…”. U kuptuam shumë mirë me kolegun tim, por ai përsëri shtoi: “Dakord, po përse gjithë kjo vuajtje, plot një muaj agjërim në pikun e vapës!”. “Kjo është një “vuajtje” e bukur për të shmangur shumë vuajtje të tjera, ia ktheva unë. Ti vetë më ke thënë se neve, edhe ushtria apo zbori na kanë bërë mirë, apo jo?”, qesha unë dhe qeshëm të tre. I thashë këto, e nderuara Elisabeta, jo për të treguar dobitë e agjërimit, sepse ato janë provuar gjatë mijëra-vjeçarëve dhe as shkencëtari më i zot ateist, nuk i hedh dot poshtë, por t’i thashë këto sepse askush më bukur sesa vetë agjëruesi nuk e ndjen e nuk e kupton gëzimin dhe kënaqësinë e agjërimit, aq sa besimtarët mezi e presin këtë muaj të shenjtë dhe i merr malli pasi ai ikën. Po të ishte vërtet aq shumë vuajtje, si do të thoshim ne, ata i merr malli për “vuajtjet”(?!). Me siguri, ju, si lexuese e kulturuar, këto i dini, por kërkoni nga unë një shpjegim disi më “shkencor” dhe unë do të përpiqem t’jua jap atë. Fjala është për besimin dhe besimtarin. Besimi është ligji themelor i jetës. Raporti ndërmjet besimit dhe suksesit është: 50:50, që do të thotë se aq sa do të besosh në aftësitë e tua aq edhe do të kesh sukses. Kjo ndodh sepse mendimi që e formulon besimin, krijon edhe energjinë e caktuar. Ata që duan të kenë suksese të larta, duhet të kenë edhe besim të madh. Por, ku ka besim më të madh sesa besimi te Zoti? Kështu, pra, besimtari e kupton se gjithçka që ka të bëjë me agjërimin është çështje vullneti e zbatimi. Ai që agjëron, i ka vënë vetes një qëllim që ai e konsideron të rëndësishëm e me shumë vlerë. Prandaj ai është në gjendje që bashkë me besimin, të manifestojë edhe aftësi shumë të mëdha përpunuese e duruese, ndaj mos u çuditni të ndodhë edhe kështu: Ai që agjëron, të ketë më pak etje apo vapë në të njëjtin vend me dikë tjetër që nuk agjëron. Është vërtetuar shkencërisht se vetë besimi, duke qenë frymëzues, bën që veprat e mëdha dhe veprimtaria e madhe të arrihen dy herë më shpejt dhe më lehtë. Ja çfarë ka thënë Gëte i famshëm: “Dëshirat tona janë parandjenja të aftësisë, të cilat gjenden te ne dhe janë kasnecë të asaj që jemi në gjendje të bëjmë”. Çdo dëshirë e arsyeshme mund të plotësohet pasi kufijtë e saj janë të prekshëm, mjafton që të fillojmë diçka e ta duam atë që bëjmë. E gjithë vështirësia e agjëruesit është vetëm në dy-tri ditët e para, sa të dilet nga ajo që ne psikologët e quajmë “zona e rehatisë” dhe pastaj “dhimbja” nuk është më dhimbje, por frymëzim e kënaqësi. Të gjithë ata që agjërojnë, e ndjejnë këtë frymëzim dhe energji, aq sa shkruajnë edhe poezi apo këndojnë më shumë ndjenjë “ilahi”, edhe pse thuhet se nuk këndohet me barkun bosh. Kur kam studiuar në Londër për agjërimin dhe dobitë e tij, më kanë folur jo vetëm një profesor i imi me origjinë turke, por edhe shkencëtarët perëndimorë ose jo religjiozë: Besimi është aq i rëndësishëm sa ndikon edhe në shërimin e sëmundjeve. Për këtë, nuk do të zgjatem sepse kam folur në përgjigjet e mëparshme se si i shëron “feja” sëmundjet, tamam siç vepron sugjestioni apo autosugjestioni i fuqishëm që induktojmë te klientët ne psikologët (po të jemi të “zotët) me psikoterapi apo hipnoterapi. Kur çiklisti Amstrong 7 herë kampion bote doli me kancer dhe shpalli se do ta shëronte veten, askush s’e besoi, por kur ai pas 1 viti rezultoi pa kancer, të gjithë doktorët u mahnitën. Ai pra, me ndihmën e psikologut dhe të gruas, bëri atë që s’mund ta bënte e tërë doktorata e botës, sikur të mblidheshin të gjithë bashkë. Ndaj ne doktorët u themi të sëmurëve se duhet të bëhemi të tre së bashku, unë, ti dhe ilaçet, që sëmundja të zhduket. Besimi pra është shumë i rëndësishëm për shërimin e sëmundjeve, por duhen edhe ilaçet (preferoj ato bimoret) të cilat edhe me fe janë quajtur si “sebepi” i mirë për shërim, pasi nuk ka sëmundje që të mos ketë edhe ilaçin. Krijuesi, ashtu siç i krijoi sëmundjet, ka krijuar dhe “antisëmundjet” te vetë njeriu dhe te barnat, të cilat duhet të dimë si t’i gjejmë e si t’i përdorim. Besoj se u sqaruam.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *