Operacioni i dhëmballëve të pjekurisë

Dhëmbët e pjekurisë janë dhëmballët e fundit

që dalin në gojë nga mosha 17-18 vjeçare, nga ku vjen edhe emërtimi “dhëmbë pjekurie”.

Dentistët i quajnë edhe “numri 8”, pasi janë të tetët në rresht duke e nisur numërimin nga mesi. Shumica prej nesh kanë katër dhëmbë pjekurie, megjithatë, ka që kanë një, dy, tre dhe nganjëherë, asnjë. Nganjëherë, ato nuk dalin dhe është e vështirë heqja, që bëhet me ndërhyrje kirurgjikale. Lexoni më poshtë intervistën me stomatologen tonë Dr Ersida Calja në lidhje me to…

– Dr Ersida, pse duhen operuar dhëmballët e pjekurisë?

– Ato operohen vetëm në rast problemesh, patologjish të ndryshme, si për shembull: Janë në pozicion të keq, bëhen shpeshherë vatër infeksioni, ose gjatë një trajtimi ortondocie (për rregullimin e pozicionit të dhëmbëve në gojë).

– Ku bëhet operacioni?

– Zakonisht, në kabinetin e dentistit. Në këtë rast, ai mund të bëjë heqjen e dhëmballëve dy nga dy dhe në të njëjtën anë të gojës me anestezi lokale (që ka përparësitë e saj). Nganjëherë procedohet edhe në heqjen e katër dhëmballëve të pjekurisë njëherësh, me një operacion të vetëm, por kjo bëhet me anestezi të përgjithshme, në një klinikë ose spital. Para ndërhyrjes, bëhen disa analiza: Radiografia panoramike e nganjëherë, një skaner i nofullave. Nëse programohet anestezia e përgjithshme, bëhet një konsultë me anestezistin, paraprakisht.

– Çfarë bën kirurgu dentist?

– Kohëzgjatja e ndërhyrjes është në funksion të vështirësive të hasura. Zakonisht, zgjat 1 orë ose 1 orë e gjysmë. Dentisti bën një anestezi lokale, me gjilpëra në mishin e dhëmbëve, në nivelin e dhëmbit. Më pas, hap mishin, nxjerr rrënjën dhe dhëmbin nga kocka, pastron, dezinfekton dhe mbyll plagën.

Image may contain: one or more people and people sitting

– Çfarë ndodh pas operacionit?

– Këshillohet të mbahet një qese me akull për 10 minuta, çdo gjysëm ore. Dentisti i jep pacientit antibiotikët që duhet të marrë, analgjezikë kundër dhimbjes dhe anti-inflamatorë. Këshillohet pacienti të qëndrojë i qetë, të mos praktikojë një aktivitet fizik që shton punën e zemrës dhe, si pasojë, rrezikun e hemorragjisë. Duhen evituar edhe shpëlarjet e gojës, ushqimet ose lëngjet e nxehta, alkooli dhe duhani. Pas një jave shkohet përsëri te doktori për të verifikuar mbylljen e plagëve dhe heqjen e penjve. Nëse operacioni është bërë njëkohësisht te të katër dhëmballët e pjekurisë nën anestezi lokale, për disa kohë pacienti do t’i ketë faqet e enjtura dhe do ta ketë të vështirë të hajë.  

– Cilat mund të jenë ndërlikimet e mundshme?

– Megjithëse ato janë pak të mundshme, ekzistojnë. Mund të jenë të tipit infeksion, hemorragji, të kockës (thyerje e nofullës), ose nervore, duke shkaktuar një ndryshim të pjesshëm, ose të përgjithshëm të ndjeshmërisë. Nganjëherë ndodh të paraqitet një problem ndjeshmërire në majën e mjekrës pas ndërhyrjes, por në përgjithësi, ky shqetësim largohet vetë, pas disa javësh. Infeksioni rrezikon të shfaqet disa ditë pas ndërhyrjes, me një dhimbje, nganjëherë me temperaturë, ose një enjtje anormale në gojë… Në rast problemi, pacienti duhet të hyjë menjëherë në kontakt me dentistin që ka kryer operimin, që do të bëjë veprimet e duhura dhe do t’i japë trajtimin e nevojshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *