Në një vizitë njëditore me UNICEF në kampin e refugjatëve Zatari, Jordani, aktorja turke Tuba Büyüküstün, e famshme për rolin e saj në “Diamante dhe dashuri”, u takua me vajzat siriane të cilat i kanë ikur luftës 4-vjeçare në vendin e tyre.

Në një nga tri shkollat ​​e drejtuara nga UNICEF-i në kamp, ​​Büyüküstün iu bashkua një kursi arti, ku bisedoi me Omaimën 14-vjeçare nga Dera e Sirisë jugore. Omaima i tha asaj se me gjithë sfidat që duhet të përballojë duke jetuar në Zatari, ajo është e vendosur të përfundojë studimet e saj dhe të bëhet mjeke.

“Më mahniti forca dhe karakteri i këtyre vajzave. Shumica kanë jetuar si refugjate për më shumë se 2 vjet, por shpresat dhe ëndrrat e tyre për të ardhmen vazhdojnë të jenë të forta”, tha Büyüküstün.

Rreth 15.000 fëmijë sirianë ndjekin shkollat në Zatari. “Tuba u ka sjellë buzëqeshjen qindra fëmijëve këtu në Za’atari sot. Ajo është një model pozitiv për fëmijët në të gjithë rajonin. Ne shpresojmë që vizita e saj t’i frymëzojë më tej fëmijët sirianë për të realizuar ëndrrat e tyre në jetë”, tha Robert Jenkins, përfaqësues i UNICEF-it në Jordani.

Aktualisht, rreth 622,000 refugjatë sirianë janë regjistruar në Jordani, më shumë se gjysma e të cilëve janë fëmijë. Tuba Büyüküstün, fituese e disa çmimeve kombëtare dhe kandidate për Çmimin Ndërkombëtar Emmy, u emërua në 2014, Ambasadore e Vullnetit të Mirë, nga UNICEF Turqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *