Të gjithë e njohin këngëtaren bukuroshe nga Shkodra, Barbana Dini, për sharmin dhe elegancën që sjell ajo në klipet e saj, pa lënë pas talentin në muzikë. Ajo vjen në këtë intervistë për të na treguar diçka më shumë për veten, ashtu siç nuk e keni parë apo lexuar më parë. Barbana tregon për ëndrrat dhe dëshirat që ka pasur kur ishte ende fëmijë, për realizimin e tyre, për këshillat e mamasë e sidomos për marrëdhënien me vëllain, Ergin, një këngëtar që ka marrë rrugën e bukur të suksesit, sigurisht, me mbështetjen e motrës, që si çdo motër për vëllain e saj, do bënte gjithçka që ai të arrinte majat. E kujdesshme në jetën e saj private, Barbana ka ditur përherë të shfaqë vetëm vlerat si artiste, pa i përzier këto dy fusha…

Fabjola Kuburi: – Barbi, nga ke qenë gjithë këto kohë që nuk je shfaqur për publikun tënd?
Barbana Dini: – Gjatë kësaj periudhe, angazhimet e mia muzikore kanë ecur normalisht, megjithëse kam zgjedhur të jem disi e distancuar nga bota mediatike, pasi ka qenë një nga ato momentet e reflektimit, për t’u rikthyer fuqishëm në tregun muzikor. Tashmë, jam e mbushur me energji pozitive dhe frymëzim. Shumë shpejt vjen në treg edhe kënga ime më e re, e shoqëruar me një klip për të cilin kujdesi është deri në detaje dhe që shpresoj që publiku ta dojë e ta këndojë po aq sa këngët e mia të tjera.
– Kur jemi të vegjël, kemi shumë ëndrra. Disa i realizojmë e disa të tjera mbeten të parealizuara… Ty, të janë realizuar të gjitha ëndrrat e fëmijërisë?
– Jam person shumë këmbëngulës dhe punoj shumë për ato gjëra që vërtet i dua, ndihem e lumtur dhe e plotësuar në këtë aspekt. I kam realizuar të gjitha, fatmirësisht.
– Nuk të ka mbetur asgjë për të realizuar?
– Tashmë, ëndrrat unë i quaj synime dhe kam disa të tilla. Me punë, këmbëngulje dhe këmbë në tokë, jam e bindur që do t’i arrij.
– Shpesh, gjërat vijnë atëhere kur nuk i kërkojmë. Ti, të tuat, i ke kërkuar apo i ke lënë të vijnë vetë?
– Pjesërisht. Është e vërtetë që disa gjëra vijnë në momentin që nuk i kërkojmë, por jo kur nuk punojmë apo nuk i synojmë.
– I ruan me fanatizëm gjërat e tua?
– Sigurisht, gjërat e mia janë të miat. Të tuat, mbaji për vete! (Qesh)
– Nëse për një ditë të vetme do të ishe dikush tjetër, kush do doje të ishe dhe ç’gjë do ta ribëje, pasi nuk e ke bërë si Barbana?
– Ndihem shumë mirë me veten dhe s’e kam menduar kurrë këtë gjë. E dua punën time, jetën që bëj dhe çdo gjë që më rrethon. Jam e bekuar në këtë pikë. Jam Barbana dhe Barbana dua të jem gjithmonë.
– Është e vërtetë se femrat e bukura e kanë më të lehtë ta gjejnë dashurinë apo ndodh e kundërta?
– Dashuria nuk ka recetë, është çështje ndjesie, jo bukurie. Madje, do thoja që dashuria në të shumtën e rasteve nuk ka të bëjë fare me bukurinë, por me alkiminë. Nëse përshtatesh, bukuria mbetet një stimul më shumë.
– Çfarë mund ta zhgënjejë Barbana Dinin?
– Njerëzit jokorrektë dhe mosmirënjohës.
– Po kur zhgënjehesh, e kalon shpejt?
– Jam person me një intuitë mjaft të mirë, që në shumicën e rasteve më ndihmon të mos zhgënjehem apo të mos çuditem më pas dhe si rezultat, jam e përgatitur e i marr me sportivitet.
– Kur acarohesh, kujt ia nxjerr inatin?
– Kujtdo që kam afër… (Qesh)
– Domethënë, të iki unë?!
– Jo, jo, tani nuk jam e acaruar, përkundrazi, aq po më shijon kjo kafeja me ty! (Buzëqesh)
– Jemi gjithnjë në zbulim të vetes. Çfarë ke zbuluar diçka të re së fundi?
– Hëm, s’e di. Ti, çfarë ke zbuluar te vetja?! (Qesh) Është e vërtetë që jemi gjithmonë në zbulim të vetes dhe çdo ditë mësojmë për veten gjëra që më parë na janë dukur si të huaja.
– Komplimentet i duan të gjithë, por ti, si i merr ato?
– I marr si vlerësim, herë objektiv e herë subjektiv, megjithatë e rëndësishme është që të bëjnë të ndihesh mirë.
– Cili ka qenë komplimenti më i bukur që ke marrë dhe që nuk do ta harrosh asnjëherë?
– Komplimentet më të bukura janë ato që kanë të bëjnë me vlerat e mia si person, por edhe vlera profesionale.
– Sot është e vështirë të veçohesh në një treg të vogël me aq shumë këngëtare dhe ti ia ke arritur! Për cilët elementë kujdesesh më shumë?
– Është e vërtetë që kemi një treg të tejmbushur, por koha është treguesi më i mirë. Jam tip që u kushtoj shumë rëndësi edhe detajeve më të vogla. Kujdesem për çdo gjë.
– Cila është për ty kënga që mund të quhet me plot gojën, një himn dashurie?
– Ka plot hite botërore që i kanë rezistuar kohës dhe mund të konsiderohen të tilla. Janë aq shumë, sa nuk di cilin të veçoj më parë.
– Kur të shijon më shumë muzika?
– Në verë, në plazh, muzika kthehet në dashuri më vete, ashtu siç është në të vërtetë.
– Nga kush do të doje të merrje një ftesë për kafe dhe kë do të refuzoje?
– Nuk e di, nuk kam ndonjë dëshirë të veçantë. Do të refuzoja çdo njeri që s’ka asgjë të përbashkët me mua.
– Je tip që e merr e para iniciativën apo pret ta marrin të tjerët?
– Nuk jam person që marr iniciativa, pasi nuk më pëlqejnë surprizat.
– Mamatë gjithmonë japin këshilla, si kur jemi fëmijë, ashtu edhe kur rritemi. Çfarë të përësrit ende sot, mamaja jote?
– Tashmë e kam kaluar atë fazë, por mamin e kam pasur dhe e kam mbështetje shumë të madhe në çdo hap.
– Kur ndodh të marrësh ndonjë kritikë nga mami?
– Kur rri pa ngrënë. (Qesh)
– Meqë edhe vëllai këndon, me siguri, në shtëpinë tuaj vetëm këndohet… apo jo?
– Për këtë do ishte më mirë të pyesni fqinjët, sepse ne jetojmë me muzikë dhe pa orare! (Buzëqesh)
– Ti dhe Ergi jeni shumë të lidhur. Ai e ka nisur karrierën pas teje, por është goxha i suksesshëm. Tani ështe Ergi i Barbanës apo Barbana e Ergit?
– Për mua, familja është gjithçka, pjesë e pandashme e imja dhe kemi një lidhje të jashtëzakonshme. Ergi është i Barbanës, por edhe Barbana është e Ergit. Unë e kam mbështetur Ergin dhe do të vazhdoj ta mbështes që të ecë në rrugën që e dashuron dhe i është futur me synimin për të arritur qëllimet që ka. Është i talentuar dhe talenti i tij është vënë re nga të gjithë, kështu që unë nuk kam ç’të them më shumë.
– Çfarë ka marrë Ergi nga ti?
– Me Ergin jemi tipa të ndryshëm, por kuptohemi shumë mirë. Ndoshta për shkak të dashurisë për muzikën…
– U trembesh gabimeve?
– Jo, mundohem të gaboj sa më pak të jetë e mundur dhe të mësoj.
– Në ditët e sotme, sinqeriteti më tepër të prish apo të rregullon punë?
– Varet nga situata dhe personat. Përgjithësisht, merret për dobësi.
– Më shumë e ndjek fatin apo të ndjek ai?
– Po, jam person që më ndjek fati, unë nuk e ndjek kurrë.
– Ma bëj një mbyllje me zë shkodre, si shkodrane të bukur që të kemi?
– Faleminderit për intervistën, gjithmonë kënaqësi, naqe ! (Qesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *