– I nderuar doktor Dashamiri, ju përgëzoj për punën tuaj. Kam disa pyetje njëherësh dhe shpresoj të marr një përgjigje nga ana juaj. A mund të kesh njëkohësisht migrenë, lodhje nevrore, tension të lartë, reumatizëm, zmadhim të tiroides dhe mungesë jodi? A mund t’i ketë një njeri të gjitha këto sëmundje? Ju lutem, më ktheni një përgjigje. Faleminderit.
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – Faleminderit që më keni shkruar dhe më drejtoheni për problematikat me shëndetin tuaj. Më vjen keq që nuk arrij ta perceptoj gjendjen dhe pyetjen tuaj në mënyrë krejt racionale, por më duhet t’ju them se është e mundur që të gjitha sëmundjet e mësipërme të ekzistojnë te një i sëmurë; mbase edhe më shumë se kaq. Le ta shohim në një prizëm tjetër referimin tuaj dhe le të ngremë një pyetje: A mundet që një sëmundje e caktuar e tiroides t’i japë gjithë këto sëmundje të tjera si komplikime të sajat? Mund të themi që po, sepse siç e kemi përmendur edhe herë të tjera, kjo gjendërr kontribuon për të mbajtur në normë shumë funksione të organizmit. Do t’ju këshilloja që si fillim të kemi një diagnostikim të mirë të të gjitha sëmundjeve tuaja dhe pastaj të hartojmë planin e mjekimit tuaj afatshkurtër e afatgjatë dhe duhet të keni gjithmonë parasysh se është më e vështirë të mjekosh shumë sëmundje sesa një të tillë. Kjo, edhe për shkak të efekteve anësore që u shtohen vetë medikamenteve, kur përdoren disa grupe të tilla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *