E lexuat gazetën Intervista këte javë? Kishte shumë intervista interesante apo jo? Por e dini se kishte edhe shumë personazhe qe nuk i intervistuam dot? Ja, disa nga ata…

BUJAR NISHANI

Intervistën e parë për këtë vit deshëm t’ia bënim Presidentit tonë, zotit Bujar Nishani, por nuk mundëm. Ai, as nuk na ftoi në pritjen e dhënë për gazetarët e as nuk iu përgjigj kërkesës sonë për intervistë. Arsyen e di ai… Ndofta nuk i pëlqejmë ne, ndofta nuk i kanë pëlqyer pyetjet tona. Në fakt, ne mendojmë se është e para, sepse pyetjet që deshëm t’i bënim atij këtë radhë, ishin shumë interesante: Deshëm ta pyesnim për mustaqet. Jo se përse i hoqi dhe kush e shtyu për t’i hequr? Deshëm ta pyesnim për diçka tjetër: Si e shpjegon ai faktin që, ndryshe nga ç‘ndodh me presidentët anembanë globit, që ditët e para të vitit flitet e diskutohet për urimin tradicional që mbajnë ata në TV, për idetë që ata hedhin, për të ardhmen e vitit që hyn etj. etj., sivjet, për fjalimin e këtij tonit, nuk u fol asnjë fjalë. Të gjithë folën e shkruan për mustaqet e Presidentit e asnjë për be, nuk foli për urimin e tij. Si e komenton zoti President këtë? E kanë fajin gazetarët që merren me mustaqet, apo ai nuk tha ndonjë gjë për të qenë?! Mendojmë se ka qenë kjo e dyta, sepse vjet, nëse e mbani mend, të gjithë u morën me fjalimin e Presidentit. Apo ndodhi kështu sepse ai na kujtoi ato kartolinat e vjetra me vargjet: Fryu era që përjashta, tundi perdet e mëndafshta…”? Ja, për këto deshëm ta pyesnim Presidentin tonë të nderuar…

SAIMIR TAHIRI
Nuk mundëm të takonim këtë javë as Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai, këto ditë, doli në konferencë shtypi dhe, duke folur për arritjet e policisë gjatë vitit të kaluar, me mburrje deklaroi se ishin mbledhur 47,1 për qind më shumë armë zjarri dhe 76 për qind më shumë fishekë se në kohën e Berishës. Po kështu, tha ai, numri i vrasjeve është ulur në masën 10.4%. Gjithashtu, ka pasur, sipas tij, më pak krime kundër pronës, më pak vjedhje me armë e 37 vdekje më pak në aksidentet rrugore. Jemi dakord me gjithë shifrat e dhëna nga ministri, por shifrat, edhe pse duken si kokëforta e që nuk hanë diskutim, nuk janë gjithnjë të tilla. Ja, për shembull, pse nuk tha ministri se sa aksidente janë bërë këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar, por përmendi vetëm numrin e të vdekurve? Po të plagosurit, po dëmtimet, janë më shumë, apo më pak se një vit më parë?! Nejse, nuk është kjo ajo për të cilën deshëm ta pyesnim ministrin. Një shifër tjetër na bëri përshtypje: Ajo e telefonatave në numrin 129, në numrin e policisë. Ministri tha se gjatë vitit 2014 janë regjistruar rreth 192 088 thirrje nga publiku, apo 19% më shumë se një vit më parë. Dhe këtë ai e tha si gjë pozitive, duke u justifikuar me besimin në rritje të qytetarëve tek uniformat blu. Në fakt, mendojmë se kjo tregon të kundërtën, zoti ministër, tregon se sa të rrezikuar janë njerëzit, tregon se me sa shumë krime e rreziqe përballen ata. Janë rreth 22 telefonata në orë të bëra në numrin e policisë mesatarisht gjatë vitit, zoti ministër? E dini ju, zoti ministër, se pas çdo telefonate është një zemër që dridhet, një njeri i kërcënuar nga një i papërgjegjshëm, hajdut, apo kriminel? E kuptoni, besoj, zoti ministër, se sa të qetë janë njerezit në Shqipëri e se si është rendi këtu?! Nuk pushon zilja e policisë, zoti ministër…

EDI RAMA
As kryeministrin Edi Rama, nuk e takuam dot këtë javë. Deshëm ta uronim për Vitin e Ri, por edhe ta pyesnim se kur do ta fillojë protestën për rritjen e çmimit të energjisë. Sepse, e mbani mend, ai ka pas deklaruar në Facebook se do të protestonte edhe ai nëse çmimi i një kilovatore do të rritej mbi 22 %. Dhe, çmimi u rrit, fiks 23.3 për qind (Të paktën për shumicën e familjeve që harxhojnë më pak se 300 kvv)… Se, në radhë të parë, Rama, si socialist që është, mendon për më të varfërit, për shtresat në nevojë, që përpiqeshin të kursenin sa më shumë korent e të mos e kalonin kufirin e 300 kvv të lirë, apo jo?

ADRIATIK LLALLA
A e di Prokurori ynë i Përgjithshëm se prokuroria e Peshkopisë ka vetëm një makinë? A e di Prokurori ynë i Përgjithshëm se ajo makinë është provë materiale e një procesi dhe, ngaqë është pa dokumente, nuk mund të lëvizë jashtë Peshkopisë? A e di Prokurori ynë i Përgjithshëm se në ngjarjet e rënda, prokurorët duhet të shkojnë menjëherë në vendin e krimit dhe, sa herë u duhet makina, ata përdorin makinat private ndërsa, kur nuk kanë makinë, e lypin atë poshtë e lart?! A e di Prokurori ynë i Përgjithshëm se për të shkuar në Burrel, ku prokuroria e Peshkopisë mban të ndaluarit, prokurorëve u duhet të marrin furgonin, ngarkuar me dosjet e hetimit, që janë tepër sekrete? A e di Prokurori ynë i Përgjithshëm se pothuajse e njëjtë është gjendja edhe në rrethet e tjera? A mund të luftohet krimi kështu, zoti Llalla?!

LULZIM BASHA
Kur e botoi për herë të parë në faqen e tij të Facebookut atë shprehje, ne menduam se ishte gabim, “lapsus”, por, jo, ai e botoi përsëri… Ja, çfarë shkroi zoti Basha këtë javë: “Kur gishti tregon hënën, budallai tregon gishtin. Përkeqësimi ekonomik, papunësia, rritja e çmimeve dhe varfëria janë reale e jo shpikje të opozitës… Nuk ia hedh dot Vajmedeti duke e bërë popullin për budalla e duke sulmuar opozitën.”. Po i drejtohemi për herë të fundit: A do të na e shpjegojë zoti Basha këtë punën e gishtit, hënës dhe budallait se ne dhe lexuesit, nuk e marrim vesh se ç’do të thotë? Apo atij nuk i kishte dalë ende pija e Vitit të Ri kur po shkruante atë status?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *