Nga unë, Flamur Bërdëllima, urime për ju:
– Që ke shumë miq, këtë e di fort mirë, i dashur Cim Babasi. Po, që të të duan fort edhe nga krahët e tjerë politikë, kjo më ngroh edhe më shumë. Më i goditur m’u duk përcaktimi i Muharrem Xhafës: “Ata (Babasët) janë si fis, njerëz shumë fisnikë”. Të uroj fort, i dashur miku im Çimi, ty, stafin, po edhe ata punonjësit e klubeve aty pranë, gjithashtu, shumë mikpritës.
– Ti gjithnjë më befason, i dashur Kadri Morina. Me bustet e figurave të shquara shqiptare që sponsorizon, në Shqipëri, Rumani e gjetkë, por tani del se restoranti yt “Piazza” paska përgatitur edhe drekën e Papa Françeskut, gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Të pashë edhe ty me djalin, në foto me Hirësinë e tij. Për nder, je shqiptar i madh Kadri Morina. Urime!
– Uroj modestisht vajzen time Sarën, për fillimin e studimeve në UT (dega Juridik). Ishallah ndjek, shembullin e Ledios, që e ka nderuar veten dhe prindërit, me rezultatet në Informatikë. Edhe një herë urime, Sara ime e shtrenjtë!
– Kalojnë nganjëherë 2-3 javë që nuk e takoj. Po, kur e takoj, sytë më mbushen me gëzim. E kam “shoqe” qëkur ishte 4 vjeçe. Tani është tetë dhe është në klasë të dytë. E bukur ka qenë gjithnjë, por tani i ka rënë një nur i ri. Po sa trime! Po sa vrapon! Vrapo, e dashur Ajli, vrapo drejt jetës! Urime!
– Motivi për këtë urim është një dhe buron nga ai që ne e quajmë “Mall për njeriun e mirë”. Them se është normale. U bënë kohë e kohë pa u parë. Të uroj shëndet ty, kolegëve, punonjësve dhe miqve. Përqafoji fort gocat e shkëlqyera që ke, i dashur miku im Akile Zisi, aty te “Zaiss”.
– Kjo që do të them tani, lidhet me një ndjenjë sa habie, sa edukimi, për mjediset e TBU (Tirana Biznes University). Nga jashtë, duket disi modest, por interieri i saj, të mrekullon. Klasa dhe laboratore plot ajër, piktura të goditura, ngjyra të qeta. Për programin nuk diskutohet dhe për nivelin gjithashtu, përderisa është një ekip aktor, që drejtohet nga skrupulozi Artan Hoxha. Urime nga zemra për këtë vit shkollor dhe më tej!
– Sa herë udhëtoj për në Veri, kafen e parë e pi në restorantin “Shpresa-AL”. Aty bëhen shumë gjëra bashkë, hapësira, gjelbërimi, shërbimi, furnizimi me karburant, por këtë radhë pashë një detaj të ri: Në çdo tavolinë (jashtë lokalit) kishte nga një zile elektrike që lexonte “Call”. Pra, që klienti të mos çohej nga tavolina po veç t’i binte ziles që të vinte kamarieri. Ku të shkon mendja, i dashur miku im Lush Osmani! Të lumtë, për nder!
– Mirsa, kjo vajzë e Bikes, qenka fejuar. Motra ime i ka dhënë mësime baleti kur ishte e vogël. Pyes: Sa shpejt ikën vitet dhe të uroj bukuroshe, u bëre për fejesë! Të uroj fort nga zemra!
– Një telefonatë nga Shëngjini, nga pronari i lokalit “Gurbetlliu” (me “G”), më lumturoi të mërkurën e kaluar. Edhe mua, edhe Arqilenë, shoferin. Ishte pronari ku unë kisha bujtur dhe nuk më kish harruar. Rrofsh, njeri i mirë! Dihet që edhe një telefonatë mund të të bëjë të lumtur, për ca orë, për ca ditë! Urime!
– Të pashë përsëri Artemisa (Balushka) në Vizion plus, në një emision për raportet moshore dhe intelektuale mes brezave. M’u duk sikur ishe në ndonjë nga ato ëndrrat tronditëse të shqetësuara, plot me angështi dhe alarme, kur të duket sikur do biesh në humnerë, kur papritur shfaqet një Zanë! E, moj Balushka! Pse je kaq e bukur?! Pse më kujton atë vargun “Misa mos kalo nga varret, se të vdekurit i ngjalle”. Të përqafoj, o Zot, sa fort!
– Rrethanat e kanë prurë që të mungojë në Durrësin tim të dashur, qytetin e njerëzve punëtorë dhe të mençur. Dhe këtu të nënkuptoj edhe ty, i dashur Elidon Rugia, aty te firma “Koral”. Po, si thotë fjala, Zoti është i madh dhe do na bëhet mbarë. Ndërkohë nga zemra të uroj “Puthi fort kalamajtë dhe qofsh përherë i lumtur, ti djalë punëtor, zemërflori!”. Edhe një herë, urime.
– Vëllanë e vogël ta shoh përditë, e dashur Hiljana. Ose vetëm me topin e tij, ose përdore, me atë gocen 3 vjeçe, duke qenë vetë 5 apo 6. Po ti, ti ku je “tretur, më ke humbur”? Ti, bashkë me atë bjonden me flokët e gjatë si në filmat hollivudianë?! Sidoqoftë, kudo qofsh, të uroj të jesh mirë me atë qetësinë dhe ecjen aq të bukur. Puthe fort mamin ti Hiljana, në hilen e shëndetit dhe bukurisë vajzërore, e bukur, si zambaku i prillit!
– Quhet Rina. Shet bukë, këtu në dyqanin e Bikes. Buken e shet, kurse buzëqeshjen e ngrohtë dhe mirësjelljen e dhuron, kjo vajzë (grua) kaq e këndshme. Urime Rina.
– Në fund ëmbëlsira. U takuam kalimthi i dashur Nard Ndoka, sepse kishe punë. Po, për fat, nuk është “kalimthi”, respekti ynë për njëri-tjetrin. Të uroj gjithë të mirat, mik i mirë me zemër të madhe!
– Më vjen së brendshmi, që sa herë kaloj nga Fushë-Kruja të të bëj një telefon ty Gjon Bardhi, kryetar i Bashkisë. Pse? Është e thjeshtë dhe e admirueshme. Je trim, je i ndershëm, mban llafin, ke vizione për zhvillimin e qytetit. Mbeç kështu, përherë, miku im i vjetër, Gjon Bardhi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *