– Kam një laptop që ma kanë sjellë nga jashtë, por i bie shumë shpejt bateria. Në fillim mbante më gjatë, tani pas një viti, as gjysëm ore nuk mban. Unë, ndërkohë që punoj në të, e lë të karikohet. Mos vallë duhet të marr bateri të re? Si ta ruaj atë, që të mos dëmtohet kaq shpejt?
– Shumë vetë ankohen që tashmë nuk punojnë dot në laptop, po nuk e vunë në karikim. Kjo, sepse bateria është dëmtuar nga vetë ju, nga disa veprime të cilat duheshin evituar. Së pari, nuk duhet lënë në karikim bateria e laptopit ndërkohë që punoni. Ky veprim nuk këshillohet, pasi sipas specialistëve të kësaj fushe, është vërtetuar që kjo gjë redukton ndjeshëm jetëgjatësinë e baterisë. Prandaj, kur e dini që bateria juaj ka rënë, nuk mban shumë gjatë, atëhere më mirë hiqeni fare dhe punoni vetëm me ushqimin që vjen direkt nga korenti. Ndërkohë, kur të mbaroni punë me laptopin, vendoseni sërish baterinë dhe vëreni në karikim, por mos punoni në të gjersa të ketë mbaruar procesi i karikimit. Ja disa rregulla bazë që të mos keni rënie të baterisë para kohe dhe që ajo të mos dëmtohet:
– Së pari, kini parasysh që bateria nuk duhet të lihet të shkarkohet plotësisht. Për një bateri të tillë, shkarkimi gjer në fund, mund të jetë shumë i dëmshëm. Për të shmangur këtë gjë, shumë laptopë fiken automatikisht kur karikimi shkon në 5 %, në mënyrë që të mos dëmtohet bateria. Por, ju mos prisni që karikimi të shkojë gjer në 5 %, mund t’i merrni masat përpara. Kur të shikoni që karikimi ka shkuar 10 %, vendoseni menjëherë në karikim.
– Së dyti, mos e lini ndezur laptopin nëse nuk jeni duke punuar në të, sepse në këtë mënyrë, bateria shkarkohet vetvetiu dhe mund të arrijë në fazën fatale që përmendëm më sipër, në shkarkim të plotë, gjë që e dëmton shumë atë. Në rastin tuaj, do t’ju thoja ta kontrolloni laptopin tuaj te një inxhinier elektronik, që të vërtetojë atë çfarë thoni ju, nëse është dëmtuar bateria apo ka diçka që nuk shkon me laptopin.
Advertisement