Kanita është konkurrentja më e vogël e festivalit të përvitshëm Kënga Magjike, por kjo nuk e ka penguar që të përfaqësohet denjësisht në një festival të rriturish, në bashkëpunimin me Leonora Poloskën. Kanita u bë e njohur në X Factor 2, ku spikati për aftësitë e saj në të kënduar dhe performancë. Në këtë intervistë, ajo tregon që edhe pse e vogël në moshë, ka një talent për t’u admiruar dhe përpiqet ta tregojë me çdo kusht për publikun e saj!

Fabjola Kuburi: – Kanita, ti je konkurrentja më e vogël në Kënga Magjike 2014, por ke një talent të madh. E ke të trashëguar pasionin për muzikën?
Kanita: – Eh, tashmë u mësova të jem më e vogla në çdo garë; edhe në X Factor isha më e vogla. (Buzëqesh) Të them të vërtetën, kjo më jep forcën dhe guximin që të punoj më shumë dhe ta sfidoj veten duke mos u bazuar te mosha. Ndoshta ngaqë vij nga një familje ku të gjithë merren me muzikë, kam trashëguar dhe unë talentin e të kënduarit bukur. Ia bëra një çikë qejfin vetes, ë? (Qesh) Ishin prindërit që zbuluan talentin tek unë dhe ata janë përkrahësit e mi më të mëdhenj. U jam shumë mirënjohëse dhe prandaj po punoj, që të mos i zhgënjej.
– Si u gjetët ti dhe Leonora në këtë bashkëpunim?
– Leonora Poloskën e njoh qëkur kam qenë shumë, shumë e vogël, sepse kemi lidhje familjare dhe pas pjesëmarrjeve të mia nëpër evente muzikore, lindi edhe ideja që të kemi një bashkëpunim. E vlerësoj shumë si këngëtare me potencial të mrekullueshëm.
– Kënga që prezantuat, është një këngë për nënën, apo jo?
– Po pikërisht, ndjenjë shumë e bukur kjo! Nëna është personi më i dashur, më për zemër i çdo fëmije e të rrituri, pa u marrë parasysh mosha.
– Kur u prezantuat në skenë, ishit veshur kuqezi të dyja. E kujt ishte ideja për kostumografinë?
– Shfrytëzoj rastin të përshëndes në këtë rast dizajneren tonë Ellena Lluka e cila u përkujdes për ne dhe normalisht, ideja ishte e saja, bazuar në tekstin e këngës.
– Ndjehesh e përkëdhelur si më e vogla e Këngës Magjike?
– Nuk e di, ndoshta po, ndoshta edhe jo. Fundja, gara është e njëjtë për të gjithë, ka emocionet e njëjta, ndjenjat e njëjta!
– Mos po përpiqeni që të ndiqni çifte në muzikë si Ardian Gaxha dhe Floriani?
– As në mendje nuk na ka shkuar një shembull i tillë, sepse ky bashkëpunim lindi pikërisht për Këngën Magjike e më pas, nuk i dihet.
– Na fol pak për Leonorën… si është të këndosh me të?
– Të këndosh me Leonorën është një ndjenjë e paparë, të këndosh me një zë të mrekullueshëm është kënaqësi, ndoshta ngaqë ka harmoni, dinamikë, lule të ndryshme, gjallëri, ka gjithçka. Aty pritet gjithçka! (Qesh)
– Çfarë ju lidh kaq shumë me njëra-tjetrën?
– Përfundimisht, mendoj se na lidh potenciali i zërit, cilësi që e kemi të dyja.
– Çfarë është për ty Kënga Magjike? Ti vetë, çfarë pret nga ky spektakël?
– Për mua, Kënga Magjike është evenimenti më i madh, më i ndjekur dhe më i mirë për muzikën shqiptare. Unë prisja vetëm reagimin e publikut, gjë që mora të dielën, kur prezantuam këngën me Leonorën. Kjo është e gjitha…
– Po ky festival, çfarë merr nga Kanita?
– Merr këngën, kënaqësinë e një teksti të bukur, një melodie të bukur. Merr kënaqësinë përmes këngës sime.
– Kanita, çfarë po mendon në këtë moment?
– Çfarë nuk po mendoj, por mendimet më mirë i shpreh me punë. Është gjëja që më pëlqen të bëj më shumë.
– X Factori ka qenë ai që të ka njohur me publikun. Ke nostalgji për atë spektakël?
– Oh, patjetër që po, këtë javë që isha në Tiranë, e ndjeva nostalgjinë edhe më tepër, por u ndjeva mirë, sepse takova Vera Grabockën e shumë të tjerë, që kisha goxha kohë që nuk i kisha parë.
– Si është Kanita në shkollë, mëson shumë apo mund të themi që është mirë?
– Jam shumë mirë më mësime. Duke pasur parasysh angazhimet e mia, mundohem që në asnjë moment të mos e lë anash shkollën e mësimet sepse për mua janë primare.
– Mësuesit, të kanë mbështetur në rrugën tënde drejt muzikës?
– Po, patjetër, ata kanë kuptuar dëshirën, pasionin e jetës sime, më përkrahin dhe i falënderoj shumë për këtë.
– Po shoqet dhe shokët e klasës do vijnë të të ndjekin te Kënga Magjike, nëse kualifikohesh në gjysmëfinale apo në finale?
– Tirana është pak larg e mundësitë janë të ndryshme, por mjafton ta ndjekin performancën time edhe nga ekrani. Më mjafton mbështetja e tyre, ndoshta edhe thjesht duke thënë: “Kanita, ishe e mrekullueshme”. Edhe kjo më bën të lumtur.
– Ke një emër shumë të bukur…
– Faleminderit shumë. Duhet falënderuar daja im, i cili më vuri këtë emër të bukur.
– Ti je vetëm 11 vjeçe dhe je goxha e njohur…
– Jam shumë e kënaqur, por do punoj edhe më tej që puna ime të vlerësohet apo më shumë, sepse në fund të fundit, është art, apo jo?
– Kur ecen në rrugë, a ndihesh vërtet e rëndësishme?
– Këtë ndjesi të japin vetë njerëzit, të cilët kërkojnë një foto apo pëshpërisin emrin tënd. Të mos flasim për komente të tipit: “Të lumtë”, “ke talent” e shumë të tjera. Kjo të jep forcë që të punosh pareshtur.
– Kush mendon se janë fansat e tu më të mëdhenj?
– Prindërit, në radhë të parë. Ata janë forca dhe mbështetja ime më e madhe!
– Ke ndonjë frikë kur del në skenë? Çfarë mendon kur del të këndosh?
– Nuk kam frikë, në të vërtetë kam vetëm emocione ngaqë mundohem dhe dua të jap maksimumin nga vetja ime, duke mos kursyer asnjë pikë nga Kanita.
– Po pas performancës, çfarë ndjen?
– Pas performancës, pres reagimin e publikut edhe kur ai duartroket. Ah, nuk ka ndjenjë më të mirë; aq e mirë është, sa nuk kam fjalë ta përshkruaj!
– Endrra jote me e madhe…
– Të vazhdoj me hapa të sigurtë dhe të shkoj lart e më lart. Dashtë Zoti!
– Kush mund të quhet idhull në muzikë, për ty?
– Ka këngëtarë të shumtë, muzikën e të cilëve e dëgjoj dhe e pëlqej. Nuk mund të lë pa përmendur të preferuarën e të preferuarave, Bijonse.
– Në cilin zhanër muzikor ndihesh më mirë kur këndon?
– Më pëlqejnë të gjitha zhanret, por ajo që mendoj unë se të jep mundësinë të shprehësh bukur emocionin, është balada…
– Çfarë do t’u thoje të gjithë atyre që të kanë mbështetur dhe vazhdojnë të të mbështesin?
– Familjen e falënderoj për përkrahjen dhe fansat për vullnetin, që më japin energjinë dhe mbështetjen e duhur që unë të punoj edhe më shumë e me plot dashuri. Nuk mund të lë pa falënderuar edhe Izet Megjitin, që më ka përkrahur gjatë gjithë kohës për të ecur përpara. Faleminderit të gjithëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *