Zotin Eduard Selami e takuam menjëherë pas përfundimit të votimit për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së.

Kaso Kosa: – Zoti Selami, a mund të na jepni impresionet tuaja për mbarësinë e këtyre zgjedhjeve dhe për kandidimin tuaj për postin numër dy të partisë?
Eduard Selami: – Së pari, duhet t’ju sqaroj juve si gazetar dhe nëpërmjet jush, opinionin, se kandidimi im për postin numër dy të partisë nuk u bë nga zoti Basha, por u bë personalisht, me urdhër të Doktorit. Ai më rehabilitoi në parti, ai më bëri deputet, nga ai i kam të gjitha beneficet që kam fituar në këtë një vit e gjysëm, qëkur jam kthyer nga Amerika…
– A nuk ishte Doktori ai që ju ndoqi nga PD-ja para 18 vjetësh dhe ju nuk guxuat të vinit këtu dhjetë vjet me radhë?
– Vërtet ai më ndoqi, por fajin e kisha unë, që guxova dhe dola përpara Doktorit. Kur e kuptova që shefi ka gjithmonë të drejtë, i dërgova një letër në të cilën i tregova hallin që kisha…
– Çfarë halli?
– Halli i punës. Unë nuk kisha e nuk kam asnjë profesion përveç ca njohurive në filozofi. Në Amerikë, punova për vite të tëra si furnitor makinash me karburant, madje për atë dreq karburanti edhe u ndava nga gruaja ime, Pegi, se ajo kishte alergji nga era e benzinës që mua nuk më hiqej për qamet nga trupi, sado që bëja dush pas çdo turni dhe hidhja parfume nga ato firmatot.
– Çfarë i kërkuat Dotorit në letrën tuaj që nga Amerika?
– Kur e pashë mirë se ç’ishte Amerika, i dërgova letër Doktorit dhe i kërkoja falje që guxova dhe propozova gjëra që atij nuk i pëlqenin. Iu zotova se po të më pranonin përsëri në parti, do të zbatoja mësimet e tij dhe të partisë me kokën ulur. Doktori, me zemërgjerësi, më fali dhe më ktheu, siç u kthye Arben Imami, Preç Zogaj, Genc Pollo, Neritan Ceka e shumë të tjerë.
– Doktori gjithmonë i ka shpërblyer të penduarit…
– E falënderova nga zemra sepse pas ardhjes nga Amerika, isha i papunë dhe nuk kisha kokërr leku as për bukë e jo më për të siguruar një apartament të thjeshtë për të fjetur. Doktori, për gati tetë muaj, më liroi një zyrë në selinë e PD-së dhe atje vura një krevat që të flija. Gjatë fushatës së 2013-s nuk ia kalova keq, sepse ngado që veja për takime me elektoratin, jo vetëm merrja dieta nga partia, por veteranët e PD-së, sa më takonin, më qerasnin me dreka e darka gjithë dashuri e mallëngjim. Vetëm pas zgjedhjeve kur u bëra deputet, e mora veten ekonomikisht dhe tani po laj borxhet që u kam miqve e shokëve.
– Nga ju veteranët, shumë pak ngelën në kryesinë e partisë. Nuk ka besim kryetari i ri ndaj jush apo?
– E vërteta është ndryshe. Kryetari i partisë, nëpërmjet dorës së Lulit, eleminon ata që në vitet e fundit i vunë shkopinj nën rrota dhe donin ta eleminonin. Luli vetëm sa firmos ato që urdhëron Doktori dhe flet e lexon ato që shkruan Doktori.
– Pra, qenka e vërtetë që kryetar faktik i PD-së është Berisha, siç edhe e akuzojnë kundërshtarët e tij politikë?
– Pa dyshim, ai është kryetari dhe ai do të jetë sa të ketë jetë. Ai e ka deklaruar këtë edhe publikisht. Ne deputetët e partisë e kemi emëruar Doktorin kryetar të parlamentit demokrat jashtë parlamentit dhe brenda SHQUP-it.
– Si ndodhi që ju nuk fituat dot për Sekretar të Përgjithshëm, por nuk u bëtë as nënkryetar?
– Unë nuk do të kandidoja për asnjë post, sepse Doktori ka plane më afatgjata për mua të cilat, sot për sot, nuk dua t’i bëj publike, por e gjitha u bë me qëllim që të eleminohej Alibeaj, të cilin nuk e do as Doktori, por as Luli. Futja ime në kandidim i ndau votat në tre pjesë. Ato vota që mora unë, bënë të mundur që Ristani të dilte në krye.
– Partia juaj do të futet në zgjedhjet lokale, megjithëse nuk e njeh reformën territoriale?
– Doktori e ka menduar edhe këtë variant. Ashtu siç bëri Ramiz Alia në zgjedhjet e para pluraliste, me rininë, bashkimet profesionale, organizatën e gruas, edhe partia jonë do të përfaqësohet nga shoqatat dhe organizatat OJF, siç janë sindikatat e pavarura që varen nga Gëzim Kalaja, ata të LGBT që varen nga Altin Goxhaj, të persekutuarit e vërtetë që varen nga Fatmir Hoxhaj, organizata e grave greviste të dhunuara, që kanë kryetare Nertila Qafëzezin, shoqata e romëve që punojnë në bashkinë e Tiranës dhe janë vartës të Enos. Veç këtyre OJF- ve, kryetari i grupit parlamentar, Edi Paloka do të organizojë edhe tre shoqata të reja për llogari të partisë, si ajo e të dënuarve për vjedhje të energjisë elektrike, shoqata e atyre që u janë prishur ndërtimet pa leje dhe shoqata e mësuesve jashtë profili dhe që do të pushohen këtë muaj nga puna. Sikur vetëm votat e këtyre shoqatave të marrë partia jonë, Shqipëria bëhet blu.
– A mendoni se hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, do ta dëmtojë partinë tuaj? Apo ato janë zhdukur tërësisht, siç flitet?
– Përkundrazi, partia jonë nga hapja e dosjeve do të dalë më e pastër dhe më e fortë se kurrë. Dosjet origjinale i ka Doktori në shtëpi dhe ia jep Fevzos ndonjë sa për ilustrim, në emisionin e tij. Ndërsa dosjet e tjera, miku ynë i ndjerë Gazidede, i përpunoi ashtu siç deshi Doktori dhe tashmë ato kanë brenda gjithçka mendonte Doktori për të gjithë kundërshtarët e tij politikë, si brenda, edhe jashtë partisë. Për shembull, në qoftë se ka qenë një spiun me pseudonimin “Penicilina”, apo “Reanimatori”, “Dizenjatorja” apo “Korani”, ato nuk u përkasin më atyre të vërtetëve, por atyre që nuk donte Doktori. Kështu që, po u hapën, goditja do bjerë mbi kundërshtarët e Doktorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *