E lexuat gazeten Intervista sot? Kishte shume intervista interesante apo jo? Por e dini se kishte edhe shume personazhe qe nuk i intervistuam dot? Ja, disa nga ata…

EDI RAMA
Përsëri këtë javë deshëm të intervistonim kryeministrin tonë, Edi Ramën, por nuk mundëm… Deshëm ta takonim se na bëri përshtypja deklarata e tij se, që tani e tutje, do të dënohen me burg edhe ata punëdhënës që marrin në punë njerëz të pasiguruar. U shtua pra, edhe një arsye tjetër për të shkuar prapa hekurave: burgu për mospagesën e Sigurimeve Shoqërore! Se, deri tani kishim: Burg për shkeljet e rregullave të qarkullimit, burg për vjedhjen e energjisë, burg madje edhe për fukarenjtë që nuk kanë të paguajnë energjinë…
E kuptojmë se kryeminsitri ynë do të vendosë shtetin dhe shteti nuk mund të vendoset pa treguar forcën e tij në zbatim të ligjit, por ne deshëm të pyesnim zotin Rama: A e di ai se shteti ka edhe detyrë, jo vetëm të detyrojë popullin të zbatojë ligjet, por edhe të ndihmojë ata që nuk kanë mundësi të ecin në një hap me të tjerët? A e di ai se shteti ka detyrë edhe “të mbajë me bukë” ata që nuk kanë mundësi e para të strehohen, ushqehen dhe paguajnë energjinë, apo ujin?! Edhe kjo është detyrë e shtetit, ashtu siç është edhe burgosja e atyre që nuk paguajnë energjinë! Pse nuk e zbaton zoti Rama këtë detyrë të shtetit para se të tregojë forcën e tij edhe me jetimët dhe pleqtë?! A e di zoti Rama se sa është asistenca sociale? Po pensionet? A të del me aq para sa marrin pleqtë e të papunët edhe të blesh bukë e ilaçe, edhe të paguash dritat e ujin? A nuk duhet që ai, përpara se të hapë “dyert” e burgjeve, të hapë “dyert” e shtetit për këto kategori njerëzish…

LULZIM BASHA
Disa pyetje për energjinë deshëm t’i bëjmë këtë javë kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ndoqëm me shumë vëmendje fjalën e tij, tek fliste për “gjendjen e dëshpëruar ku janë sot mijëra familje e qytetarët shqiptarë për shkak të faturave abuzive dhe malit abuziv me kamatëvonesa abuzive për shkak të faturave abuzive”, siç tha ai. Ai i mori në mbrojtje këta njerëz, i “këshilloi” apo “urdhëroi” të mos paguajnë, por nuk tha asnjë fjalë për ata që s’kanë paguar, jo për shkak të abuzimeve të CEZ, por thjesht, sepse nuk kanë dashur të paguajnë, sepse kanë vjedhur, thënë më troç. Po ata, çfarë duhet të bëjnë, zoti Basha? Nuk duhet të paguajnë as ata?
Pastaj, a e dini ju, zoti Basha, se të kujt kohe janë këto “fatura abuzive”. Mos i takojnë ato kohës së qeverisjes se PD-së, kur çmimi i energjisë u rrit nga 4.5 në 7.7 lekë e deri në 13.5 lekë për bizneset?! A e dini ju se borxhet e CEZ nga faturat e papaguara deri në fund të vitit 2013, shkonin në 600 milionë euro?! Tani që i mori vesh këto, ç’mund të na thotë ai: Duhet paguar, apo nuk duhet paguar…?

SALI BERISHA
“Këto janë ulërima nga një i sëmurë psikik i shtruar në zyrën e kryeministrit të Shqipërisë që qetëson akceset, aurat, fugat e psikozës së tij, duke bërtitur i disekuilibruar çdo orë të ditës, madje edhe pas mesnate; burg, burg, burg e hekura për shqiptarët!”. E kuptuat, besoj, nga fjalori profesional, se këto rreshta i ka shkruar një mjek dhe pikërisht, zoti Berisha. Edhe këtë javë, ai u mor përsëri me sëmundjen e Edi Ramës, depresionin bipolar, me kartelën klinike e ilaçet që merrte ai në psikiatri etj. etj.
Mirë se për një politikan shqiptar kjo mënyrë sjelljeje është “normale”, por a është normale për një doktor që i është betuar Hipokratit edhe për sekretin mjekësor? A është humane kjo gjuhë për një mjek? Si do të ndjehej ai sikur Edi Rama, ose ndonjë tjetër të bënte të njëtën gjë me të duke i përmendur sëmundjet që kishte, apo ka? Eshtë i sigurtë zoti Berisha se ai nuk ka patur dosje mjekësore, apo se dosja e tij është zhdukur bashkë me doktorin e tij? Ja, këto deshëm t’i pyesnim zotit Berisha!

JOZEFINA TOPALLI
Na shtyu për t’i marrë një intervistë zonjës Jozefina Topalli një satus në Facebook i gazetarit Gjergj Zefi. Ja, ç‘shkruante ai: “Aferdita Haka – Çoku është sot drejtoresha e arsimit në qarkun e Shkodrës. Afërdita është e bija e sigurimsit Shyqyri Çoku (lexo At Zef Pllumi, “Rrno për me tregue”). Asnjë nga eksponentët e PD-së në qytet nuk guxon të denoncojë veprimet e saj të paligjshme, pasi i ati është akoma gjallë dhe ua di pseudonimet…” Çfarë mendon zonja Jozefinë për këtë, si shkodrane që është? A është e vërtetë? Kaq shumë spiunë të Sigurimit ka, ose ka patur në PD-në e Shkodrës? Po ajo, e njeh personalisht këtë sigurims të dalluar që paska punuar kaq mirë dhe e paska tejkaluar planin e rekrutimeve?

TONI BLER
Te enjten erdhi prapë në Tiranë ish-kryeministri britanik, Toni Bler. Ai u prit në Kryeministri nga Edi Rama, në një takim të paparalajmëruar. Deshëm ta takonim zotin Bler, që të davarisnim pak misterin e vizitave të tij të shpeshta në Tiranë e sidomos, për pagesën e tij. Thuhet se ai është këshilltar i qeverisë shqiptare që prej ardhjes në pushtet të së majtës, ndërkohë që nuk është bërë asnjëherë e qartë nëse ai paguhet për këtë gjë, apo jo? Dhe, nuk është kuriozitet i sëmurë ky, apo jo? Ne, thjesht, duam të dimë se ku shkojnë paratë e taksave që i paguajmë shtetit…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *