“Maaamiiiii!”. Sa keq që gazetat nuk kanë zë për ta dëgjuar si tingëllon, por të gjithë ata që e kanë parë reklamën e Vodafone me mami Anilën dhe Enon, e kanë kuptuar tashmë më së miri, për kë po flasim. Eno i famshëm i reklamës, në të vërtetë, është Aleksandër Grami dhe batutat e tij me mamin, përveç frekuencës së përsëritjes së reklamës, i ndiqni edhe në shoun Apartamenti 2 XL. Ndërsa, në këtë intervistë mund të lexoni gjithçka mbi këtë djalosh: Si e ka emrin mami i Sandrit (pasi ajo nuk është Anila), si i ka marrëdhëniet Sandri me mamin e tij e shumë gjëra të tjera. Unë vetë kuptova që Sandri është një prej njerëzve më të qeshur që kam takuar (Mendoja se e mbaja vetë këtë rekord) :-)

 

Enkeleda Kurcani: – Aleksandër, si e gjete rrugën për tek Apartamentit 2XL?

Aleksander Grami: – Në të vërtetë, e gjetën ata rrugën për tek unë. Pasi u shfaq në ekran reklama e Vodafone me mamin, më erdhi një telefonatë nga Turjan Hyska dhe pas takimit, u vendos të isha pjesë e Apartamentit 2 XL. Unë kam pasur gjithnjë dëshirë të isha pjesë e Apartamentit, qëkur ka filluar. Më duket një format mjaft interesant, shumë modern dhe sportiv. Disa sezone më parë kam marrë pjesë në audicionet që zhvilloheshin për Apartamentin, por duke qenë edhe me studime, nuk mund t`i mbaja të dyja. Kur i shihja çunat në ekran, më pëlqenin shumë, i kisha si idhuj. E kam ndjekur që në kohën kur ishin edhe Ermali dhe Genti…

– Dhe si të pritën banorët aktualë të apartamentit?

– Më pritën me “Maaaaaamiiiii!!”…. (Qesh) Më pritën vërtet shumë mirë. Ka pasur raste kur Juli e Albano më kanë dhënë këshilla të shumta në lidhje me rolet episodike që kam pasur. Jam ndjerë tamam si në shpi. Rehat. Fakti që është spontan, e bën interesant shoun, por angazhimi im është më i pakët sesa i çunave që janë prej kohësh aty. Shpresoj që në të ardhmen, edhe unë të jem pak më shumë i angazhuar.

– Si je paraqitur në Apartament, si Eno apo si Aleksandri?

– Në puntatat e para jam paraqitur si Eno, me batutat e reklamës dhe gjithnjë dilja nga skena kur më merrte mami në telefon. (Qesh) Në këto puntatat e fundit jam shfaqur jo më si Eno i mamit, por si Sandri i Apartamentit. Një ndër materialet interesante ka qenë roli i një ministri që nuk dinte të vidhte dhe i kërkonte një prifti që ta mësonte… (Qesh)

– Aktrimi është vetëm pasion, apo edhe shkollimi yt ka ecur në drejtim të pasionit?

– Është një pasion shumë i madh, por nuk ka mbetur thjesht pasion. Unë mbarova tre vitet e para në Universitetin e Arteve për Regji Teatri, por kemi bërë edhe një lëndë që quhet Mjeshtëri Aktori. Jam drejt masterit tashmë.

– Cila ka qenë shkëndija që të ka bërë të pëlqesh aktrimin?

– Shumë aktorë të mëdhenj më pëlqejnë si De Niro, AL Paçino etj., por fiksim më ka mbetur Uill Smith. Kam qenë i vogël kur ndiqja “Uilli, Princi i Bell Air”, pastaj më vonë komedia “Hiç”, si edhe filmi “Në kërkim të lumturisë”. Kështu, nisi të zgjerohej gama e filmave që më pëlqenin nga ky aktor dhe e mblodha mendjen, do bëhem aktor dhe pikë! (Qesh) Mami nuk e ka pas me qejf që unë të filloja aktrimin, por tani është mbështetësja ime më e madhe.

– Ke provuar edhe Stand Up komedi, me sa di…

– Ah, po, kjo ka qenë një ndër eksperiencat e bukura që kam përjetuar. Pronari i një lokali në Durrës, më telefonoi dhe më tha se kishte një projekt dhe donte që ta diskutonim bashkë. Ideja ishte për të realizuar një Stand Up Komedi në lokalin e tij. Kështu, nisi puna, u bënë afishimet, unë bashkë me një mikeshën time përgatitëm materialet dhe realizuam natën e parë të Stand Up Komedi. Tema ishte, gjeje pak… “Mammmmiii”. Gjithçka u lidh mes Enos së reklamës dhe Sandrit në jetë; mes mamasë së Enos dhe mamasë së Sandrit. Ishte një natë e suksesshme, që u pasua edhe nga një natë tjetër Satnd Up Komedi me temë “Femrat”. Nuk qe aq e suksesshme sa e para, por nuk ishte keq. Tani, po presim të realizojmë edhe natën e tretë, ku tema do të jetë “Djemtë, sa të poshtër janë!”… (Qesh)

– Ti, Sandri, je çun deti… jeton në Durrës apo në Tiranë?

– (Qesh) E bukur kjo! Po, jam çun deti. Aktualisht, familja ime jeton në Durrës, ndërsa unë, që prej vitit që fillova studimet, jetoj në Tiranë. Por, ditën e parë që kam pushim, me vrap në Durrës. Afër detit, afër mbretit!

– Në të gjitha fotot, të sheh me dhëmbët jashtë. Po përgatit ndonjë reklamë për pasta dhëmbësh apo je tip i qeshur në përgjithësi?

– Nëse më vjen ofertë për një reklamë të tillë, nuk do t’i thoja jo! (Qesh) Kështu është natyra ime, , më pëlqen të qesh, t’i shoh të tjerët duke qeshur dhe mbi të gjitha, t`i bëj të tjerët për të qeshur. Njerëzit, sikur ndriçojnë kur qeshin. Në fakt, mua më pëlqen shumë komedia. Në shkollë, kur ishim duke punuar me ndonjë tragjedi, i prishja provat se bëja të tjerët për të qeshur. Pse të mos qeshim?! Përcjell pozitivitet. Ka edhe nga ato raste kur e them diçka edhe seriozisht e prapë qeshin dhe më thonë, “ty nuk të besojmë”. Por, nuk do qesh kaq shumë që të më marrin njerëzit më seriozisht, se nuk jam ai karagjozi që mendojnë. Një profesor imi në shkollë thoshte “Të gjithë qeshim me kllounin, por askush nuk e di si është ai brenda.”

Përse u zgjodhe pikërisht ti për reklamën me mamin?

– Pse u zgjodha unë, nuk e di, por kompania që ka përgatitur reklamën, vinte vit pas viti në shkollë dhe krijonte dosje për studentët. Unë e kisha plotësuar këtë dosje. Një ditë të bukur, më marrin në telefon dhe më thonë që isha përzgjedhur. Bëra provën, ku krejt spontanisht më doli ajo batuta: “Mamiiiiii”, si thirrore. Siç duket, ishte pëlqyer dhe u vendos që do të isha unë Enoja. Jam kënaqur shumë gjatë xhirimeve.

– Eno dhe mami Anila, një lidhje e pandashme! Po Aleksandri, si i ka marrëdhëniet me mamin?

– Janë shumë të mira, me mamin jam shumë i lidhur. Babi është marinar dhe shpesh është në det, ndaj mami ka qenë më e pranishme në shtëpi. Jam shumë i lidhur, por nuk është ajo marrëdhënie si te reklama. Ndonjëherë janë ca tema për të cilat mamatë të bezdisn, si për shembull, gocat (qesh) ama e imja nuk të bezdis, nuk të shqetëson. Nuk e kam pasur kurrë frikën e të dalit para prindit. Kam qenë i drejtë dhe i sinqertë me ta. Sigurisht, ka pasur gjëra që i fshihja, por jo të tilla që të më prishin punë me prindërit.

Nuk rrezikon që pas kësaj reklamës, të të thërasin “çun mami”?

– Shumë herë më thërrasin “çuni i mamit” ose Eno. Kur bëra Stand up Komedi, që në puntatën e parë, u tregova që nuk kam asnjë lloj lidhjeje me Enon apo çunin e mamit, por reagimi i njerëzve në rrugë është i paparë. Më shohin, me njohin dhe fillojnë t’i bien me bërryl njëri-tjetrit, pëshpërisin mes tyre dhe, sa largohem unë, fillojnë “maaamiiii!”. (Qesh) Nuk di si të reagosh; po e ktheve kokën, thërrasin më fort ngaqë i dëgjove; po nuk e ktheve, thërrasin “mamiiiiii” derisa ta kthesh… Nuk di ç`të bëj. Ore, nuk ha dot një byrek në rrugë se thonë: “Ua, çuni mamit ha byrek!” (Qesh)

– Në profilin tënd në Facebook, një mikeshë dhe një mik kanë hedhur një foto duke folur në telefon, në banderolat e reklamës ku je dhe ti…

– Ajo vajza është shoqja ime e ngushtë, Ina Kaçi; jemi rritur bashkë, e kam si motër. Ishte surprizë e bukur! Më vonë filluan ta bëjnë edhe të tjerë. Ndërsa histori e bukur ka qenë me një shok shkolle. U gjendëm të dy rastësisht para banderolës së reklamës. Ai po më bënte këto pyetjet e zakonshme: “Ç`kemi, ç`ke bërë ndonjë gjë?” dhe unë që drejtoj gishtin nga banderola e i them: “Ja, kam bërë këtë!”. Sheh ai nga banderola dhe më thotë: “Çfarë, po merresh edhe me grafik dizajn?!”. (Qesh) Pastaj, u sqaruam.

– Po mamaja jote, si ka reaguar pasi është shfaqur reklama?

– Fjalia e parë: “Të keqen e çunit! Po ti, pse nuk more mamin tat për reklamë?”. (Qesh) Gëzonte që merrte telefonata nga njerëzit, të cilët e uronin për mua.

– Mund ta dimë emrit e mamit, që të mos e njohim si Anila e reklamës?

– Po, patjetër, Margarita e ka emrin mami im…

– E mban me ofertë telefonin mami Margarita?

– Po, e mban, në fakt, po shyqyr, nuk është si te reklama. E kemi bërë me marrëveshje që pasi unë të kem mbaruar punët, e marr vetë. Ama, kur jam në Durrës dhe rri deri vonë, më merr në telefon që të mos vonohem shumë.

– Si do të reagoje në të vërtetë nëse mami të merr në telefon kur je me të dashurën dhe të thotë se të ka bërë kek?

– E sigurtë që do ishte telefoni i fikur; jo mami, po të mos më shqetësonte asnjë njeri.

– Të bezdis telefoni apo njerëzit që të marrin orar pa orar?

– Duke qenë në lëvizje Tiranë-Durrës, më marrin të dyja palët e shoqërive dhe miqtë. Jam tip që flas në telefon dhe kjo më lodh edhe vetë ndonjëherë. Në përgjithësi, nuk bezdisem.

– Cila është përgjigjja e parë që thua në telefon?

– Para reklamës nuk e mbaj mend, varet nga personi; mbas reklamës, kur jam në rrugë, nuk them dot alooo, se i kam gati batutat. Edhe kur më merr mami në të vërtetë, nuk i them “o maaa!”. (Qesh)

– Çfarë zileje ka telefoni yt?

– Këngë hip-hop, në përgjithësi. Ka raste që vë Çelentanon.

– Cili është numri që merr më shpesh në telefon?

– Numri i të dashurës, pastaj shoqërinë…

– Po mamin?

– Sigurisht, mamin, babin dhe motrën.

– Mami e di që ke të dashur apo do ta marrë vesh nga intervista?

– Jo, ajo nuk e di! Do ta gris këtë ku është pjesa me të dashurën.

Ç’markë telefoni ke? Je nga ata persona që nuk të zë gjumi natën pa marrë Iphone 6-n për shembull?

– Jo, nuk jam ashtu. I phone kam, por ma bënë dhuratë. Më pëlqejnë telefonat, teknologjia, por nuk jam i fiksuar. Para këtij kisha një Nokia dhe ishte më mirë se kishte tastierë dhe jo me prekje.

– Është faji i nepsit apo i mamit që je pak buçko?

– Nuk jam tip nepsqar, por vdes për ëmbëlsira!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *