– Bazuar në kërkimet shkencore, është dëshmuar se grupi i gjakut të cilin ne e trashëgojmë ndikon shumë në formimin e karakterit tonë dhe mënyren si i përjetojmë apo i shprehim emocionet tona. Gjithnjë në bazë të kërkimeve, duke parë grupin e gjakut, është krijuar një profil individual psikologjik i çdonjërit prej nesh. Jo më kot, ka shumë persona, sidomos aziatikët, që i bëjnë lidhjet në çift duke u bazuar te grupi i gjakut, me mendimin se kjo lidhje do të jetë e lumtur, afatgjatë dhe e shëndoshë për krijimin e familjes. Por, çfarë thuhet për personat që kanë grupin e gjakut A?
– Personat që mbartin këtë grup gjaku, janë cilësuar përgjithësisht shumë inteligjentë, por në të shumtën e rasteve, në marrëdhënie me të tjerët, duken persona të “ftohtë” dhe tejet indiferentë. Kjo nuk është e vërtetë, sepse këtë cilësi ata e përdorin më shumë për vetëmbrojtje, duke qenë se realisht, janë persona shumë të ndjeshëm, emotivë dhe në të njëjtën kohë, persona të rregullt dhe të disiplinuar. Janë shumë profesionalë, i përkushtohen shumë familjes dhe marrin përgjegjësi për çdo gjë. I kuptojnë shumë të tjerët, por në të njëjtën kohë, edhe presin shumë prej të tjerëve. Janë të njohur si organizatorë shumë të aftë dhe janë të saktë në punë, së cilës i përkushtohen me seriozitet shumë të madh. Problemi i tyre është se kanë shumë cilësi të mira, ama nuk ekspozohen para të tjerëve, nuk i bëjnë reklamë punës dhe cilësive të tyre, prandaj edhe shpeshherë, nuk vihen re nga të tjerët, lihen të vetmuar dhe të mënjanuar njëkohësisht. Shpesh, meritat e tyre i gëzojnë të tjerët, sepse ata nuk e tregojnë atë çfarë kanë bërë, nuk janë mendjemëdhenj, çdo gjë e bëjnë për veten e tyre apo për të tjerët, por pa pasur qëllimin që të marrin lëvdata apo ta bëjnë sa për sy e faqe.
– Në lidhje me familjen dhe partnerin/partneren, si meshkujt, ashtu edhe femrat e grupit të gjakut A, janë persona liberalë. Ata e respektojnë shumë partnerin me të gjitha cilësitë e tij/saj, por shpesh kjo gjë mund të keqinterpretohet dhe të merret si dobësi. Duke qenë shumë emotivë, kur dashurojnë vërtet, personat e grupit të gjakut A jepen me mish e shpirt dhe për hir të dashurisë, mund ta lënë të lirë partnerin/partneren duke rrezikuar edhe humbjen. Nuk jepen lehtë në dashuri, por vetëm kur janë të sigurtë që janë ndjenja të vërteta dhe nuk shkelet krenaria e tyre. Femrat e grupit të gjakut A, janë nëna shembullore që kujdesen shumë për fëmijët e tyre, i inkurajojnë në jetë, por në të njëjtën kohë, edhe kërkojnë shumë prej tyre, gjë që ndonjëherë mund dhe të intepretohet si “zënie fryme” nga ana e fëmijës. Ndërsa meshkujt e grupit A, në pamje të parë nuk duhen shumë tërheqës për femrën, por vlerat e tyre zbulohen kur rri më gjatë me ta. Cilësi e tyre është besnikëria martesore dhe përkushtimi ndaj familjes. Kur arrijnë të krijojnë familje, ata përqendrohen totalisht aty dhe kontribuojnë shumë për të. Përgjithësisht, meshkujt e grupit A, gjejnë bashkëshorte që i inkurajojnë shumë në jetën e tyre profesionale dhe bashkëshortore.