QOFTE E MBUSURPërbërësit:

Mish viçi të grirë, 600 gramë

Patate të grira, 2 copë

Qepë, 2 kokrra

Ermik (miell i bluar trashë), 100 gramë

Vezë të ziera, 3 kokrra

Hithra ose lëpjetë, sipas dëshirës

Gjalpë, 100 gramë

Hudhra (në kimë), 6 thelpinj

Kripë e piper të zi, sipas dëshirës

Miell peksimadhesh, sipas dëshirës

Majdanoz, borzilok

Ujë për kimën, 100 miligramë

Djathë kaçkavall për spërkatje, sipas dëshirës

 

Përgatitja:

E vendosim mishin e grirë në një tas voluminoz. Hedhim atje patatet e grira, qepën e hudhrat e grira, ermikun, ujë, kripë dhe piper. Shkrijmë në zjarr gjalpin (mirë është në banjo uji) dhe e trazojmë mirë me dorë derisa të bëhet një masë homogjene që nuk ngjitet në gishtërinj. Vezëve të ziera u heqim lëvoret dhe i grijmë në copa jo shumë të vogla. Qepën, po të duam, e skuqim. Grijmë hithrat e njoma (ose lëpjetët). Në një dërrasë hedhim masën e mishit për ta punuar dhe për ta bërë qofte. I shtrijmë me dorë për t’i hapur vend kimës së përgatitur, të cilën e hedhim në mënyrë të barabartë mbi “petën” e mishit të grirë. E mbledhim petën e mishit dhe krijojmë me secilën nga një role të vogël. I skuqim paksa në zjarr sa të ngjirizen në të dy anët e pastaj i spërkatim me djathë të grirë dhe peksimadhe. I vendosim në tavë dhe i vëmë në furrë për t’i pjekur. Furrën e nxehim në 200 gradë dhe i lëmë atje për 20 minuta. I servirim me çdo garniturë që duam, me makarona, pilaf, sallata, etj. Mund t’i servirim edhe me salcë beshamel ose çervish të zakonshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *