Fillimet e tij janë shumë të hershme, që në vitin 1986, kur gazetarët sportive numëroheshin me gishtat e një dore. Pas viteve ‘90 ka qenë i pari nga brezi i ri i atëhershëm, që i hyri rrugës së komentimit në televizion të ndeshjeve të futbollit dhe të basketbollit, por figura e Kostandin Grillos është shumëplanëshe edhe si menaxher futbolli, pa lënë mënjanë atë të gazetarit sportiv. Në një prononcim interesant për gazetën “Intervista”, ai shpjegon për lexuesin tonë gjëra shumë interesante, duke nisur nga ardhja e futbollistit të parë të huaj në Shqipëri, te transferimet e para të futbollistëve shqiptarë pas viteve ‘90 drejt Perëndimit, por edhe shumë detaje të tjera pikante…

Mejdan Zhivani: – Kostandin, ju keni transmetuar të gjitha ndeshjet e Botërorit nga ekrani i TVSH-së, por ndeshjen finale e transmetuat direkt nga stadiumi “Marakana”. Na thoni pak për emocionet që përjetuat…
Kostandin Grillo: – Duhen shumë orë për të folur për Brazilin, por ky ishte një eveniment që çdokush ka zili ta përjetojë, aq më tepër në një vend ku gjithçka lidhet me futbollin. Aty bashkoheshin të gjitha ekstremet, por mbi të gjitha, të bënte përshtypje dashuria e paparë për futbollin, pavarësisht se skuadra e vendit nuk ishte në finale.
– Çfarë ju ka bërë përshtypje më shumë nga ky Botëror?
– Botërori u cilësua si më i miri i shekullit dhe unë kam përshtypje të shkëlqyera, aq me tepër kur edhe një ditë përpara fillimit u fol për një bojkot të mundshëm të ndonjë skuadre (siç ishte Kameruni), por siç e ndoqëm që të gjithë, ai i kaloi parashikimet. Për mendimin tim, ishte shumë më lart se ai i 4 viteve më parë në Afrikën e Jugut…
– Shumë ju njohin si komentator dhe shumë, si menaxher futbolli. Cilin profesion keni më për zemër?
– Hobi im është komentimi, për të mos thënë se më është bërë sëmundje… Në të gjithë botën, gazetarët sportivë janë nga pak edhe menaxherë, duke qenë se kanë kontakte të përhershme dhe të drejtpërdrejta me skuadrat, presidentët e klubeve dhe futbollistët, kështu që mendoj se këto dy profesione janë të lidhura me njëra-tjetrën.
– Duke u ndaluar tek e shkuara… Mos ka qenë përbërja juaj familjare ajo ka ndikuar në afrimin tuaj te sporti?
– Po, është shumë e vërtetë. Në fëmijëri, ashtu si të gjithë bashkëmoshatarët e mi, ndiqnim në radio Ismet Bellovën, profesorin e madh me zërin e veçantë dhe brilant. Unë pata fatin të ndiqja ndeshje direkt në stadium pasi futesha në kabinën e komentatorit falë kushëririt tim, Vladimir Grillos, kësaj ikone të TVSH-së dhe të komentit shqiptar. Ai më merrte prej dore dhe më fuste në atë kabinë që ishte rreptësisht e ndaluar të futeshe në atë kohë. “Shttttttttttttt!”, më thoshte. S’duhet të bëja as “gëk as mëk”. E merrni me mend vetë si duhet të sillesha kur shënohej gol, sidomos në ndeshjet ndërkombëtare. Fati, gjithashtu, e deshi që unë të isha djali i shkrimtarit më të madh për fëmijë, me 120 botime, Odise Grillos, që ishte një tifoz i madh sporti, sidomos futbolli dhe boksi. Në fisin tim kisha Kristofor Grillon, një nga kryeredaktorët e gazetës së atëhershme “Sporti Popullor” dhe Kozma Grillon, publicist, profesor e alpinist i shkëlqyer. Pra, ndikoi familja ime sportive dhe e lidhur me botën e gazetarisë.
– Si e kujtoni fillimin e karrierës suaj?
– Një ditë të bukur, aty nga viti 1986, Bashkim Tufa, ky gazetar i shquar sportiv, më hapi dyert e gazetës “Sporti Popullor”, si bashkëpunëtor i përhershëm. Atje ishte shkolla ime e madhe… Besnik Dizdari, pena e madhe e gazetarisë sportive dhe publicistikës sportive, Nexhat Gjuzi, kryeredaktor dhe një njeri i shkëlqyer e shumë profesionistë të tjerë si Baku Gjoni (i ndarë nga jeta), Kastriot Ahmataj, Albert Karanxha dhe miku im Robert Papa, Ramadan Bigza e të tjerë. Aty unë shkruaja përjavë dhe më pas, çdo ditë.
– Por ju keni një eksperiencë të madhe edhe në median vizive…
– E vërtetë! Isha i pari që komentova rubrikën “Euro-gol” çdo të hënë nga kanali “Euro-Sport” dhe pak nga pak fillova të komentoja edhe ndeshjet e futbollit. Komentet e para të mia në televizion kanë qenë ndeshjet e kampionatit të NBA (basketbollit amerikan). Në vitin 1990-91, Robert Papa ishte në detyrën e drejtorit të TVSH-së dhe ai u bë shtysë kryesore, që unë të nisja punë këtu. Ndërkohe kisha bashkëpunuar edhe me ideatorin e emisionit radiofonik “Nga njëra ndeshje në tjetrën” me një tjetër emer të madh të gazetarisë sportive, Ahmet Shqarri. Pak nga pak u futa në botën e TVSH-së, duke patur në krah ndihmën e çmuar të Ylli Pepos, Dhimitër Gjokës, por edhe Gëzim Litës, Andrea Nathanailit si dhe të Arjan Bakirit të paharruar që është ndarë nga jeta përpara disa vitesh. Në vitin 1998, kur filluan kanalet private, nisa te Tv Klani e më pas te Top Channel, si komentator i parë. Për pak kohë kam punuar edhe te Tv Arbëria, Tele-Sport dhe Tring-Sport.
– Gjatë kësaj periudhe, keni komentuar edhe në shumë vende të Europës apo botës…
– Po, nga Italia, ndeshjen e Ligës së Kampionëve Bajern-Valencia, finale të UEFA-s, finalet e kampionatit botëror 2010 e 2014, finalen e kampionatit europian 2012 nga Kievi e shumë të tjera. Gjithashtu, edhe ndeshjet e ekipit tonë përfaqësues nga shumë vende të Europës.
– Në karrierën tuaj si menaxher, cili ka qenë futbollisti i parë që ka firmosur një kontratë transferimi me firmën tuaj?
– Futbollisti i parë, transferimin e të cilit e kam kryer i vetëm, ka qenë Arben Milori, ish-futbollist i shquar i Dinamos dhe përfaqësueses së Shqipërisë, nga kampionati ynë në Superligën e kampionatin helen, në 1991-92. Kam qenë pjesë e transferimeve të Alfred Ferkos te Panahaiki e Patrës dhe shumë futbollistëve të tjerë shqiptarë, që kryesisht u larguan në drejtim të Greqisë.
Kam punuar edhe në shumë vende të tjera europiane, duke bërë lëvizje të shumta të futbollistëve shqiptarë dhe të huaj. Isha njeriu kryesor në transferimin e talentit shkodran Armando Vajushi nga Vllaznia te Liteksi i Lovechit (Bullgari). Vlen për t’u përmendur sjellja e futbollistit të parë të huaj në Shqiperi, brazilianit Edu, në sezonin 1996-97, nga Qiproja te Lushnja, si edhe e trajnerit Mario Kempes, ish-kampion i botës, po te kjo skuadër, në të njëjtin vit. Do të shtoja edhe kalimin e ish-portierit të kombëtares shqiptare, Arian Beqaj, te Ofi i Kretës, nga Partizani, po më 1997, apo Alban Bushit nga Apollon i Athinës te Liteksi, Altin Haxhi nga Panahaiki i Patrës te Liteksi i Bullgarisë, por edhe mjaft transferime të tjera nga njëri kampionat në tjetrin.
– Ç’mendim keni për futbollin shqiptar dhe për merkaton e futbollistëve?
– Futbolli shqiptar, fatkeqësisht, është në nivele amatoreske; s’ka organizim, s’ka kushte, s’ka pothuajse asgjë nga futbolli europian, duke përfshirë edhe merkaton e transferimeve që tani është shndërruar në një rrumpallë të vërtetë. Mbi të gjitha, futbollit shqiptar i mungon liga, jemi i vetmi vend në Europë pa ligë… një tragjedi e vërtetë!
– Sa e vështirë është të negociohet me presidentët shqiptarë për transferime apo afrime lojtarësh?
– U bënë shumë kohë që nuk jam marrë me transferime lojtarësh brenda kampionatit shqiptar, pasi siç thashë, këtu nuk ekzistojnë rregullat e trasferimeve. Që nga viti 2011, jam lidhur më tepër me futbollin qipriot, duke kryer profesionin tim.
– Po, për kombëtaren shqiptare e De Biazin, ç’mendim keni?
– Kombëtarja shqiptare ka mbetur në vendnumëro, ose ka bërë edhe hapa mbrapa. Kam qenë një nga njerezit që kam këmbëngulur për të patur një trajner të huaj në fillmet e saj, por sot kam ndryshuar mendim, duke qenë se kemi ndërruar shumë trajnerë të huaj si Brigel, Dosena, Barica, Ari Haan, i ndjeri Kuzhe dhe tani De Diazi, që për mua është një nga trajnerët më të dobët që ka patur kombëtarja jonë. Asnjëri prej tyre nuk ka grumbulluar më tepër pikë se ish-trajnerët shqiptarë që kanë qenë, mendoj, më të suksesshëm se të huajt, përfshirë Shyqyri Rrelin, Bejkush Birçen, Neptun Bajkon, Astrit Hafizin, apo edhe ndonjë tjetër. Mendoj se ka ardhur koha të vendosim një trajner shqiptar (kemi trajnerë shumë të mirë, me përvojë dhe eksperiencë të mjaftueshme), duke i paguar me shuma që ata të ndjehen sa më komodë në punën e tyre dhe që mund të marrin sa gjysmat e atyre shumave që janë dhënë për të huajt. De Biazit nuk i duhej rifreskuar kontrata sepse nuk realizoi objektivat dhe ai, në drejtimin e skuadrës përfaqësuese, ka aktivizuar një numër rekord futbollistësh, mbi 70 të tillë, besoj.
– A mendoni bastet kanë ndikuar në prishjen e imazhit apo të cilësisë së futbollit?
– Bastet e kanë prishur futbollin dhe kjo sëmundje që po e shkatërron atë, duhet ndalur urgjentisht.
– Është krijuar edhe Kombëtarja e Kosovës, për të cilën ka opinione pro dhe kundër…
– Kombëtarja e Kosovës do të hapë një tjetër faqe dhe kam besimin më të fortë se përfaqësuesja kosovare do të jetë shumë shpejt elitare, duke qenë se futbolli kosovar, ka qenë pjesë e një prej shkollave më të shquara të futbollit europian, asaj të ish-Jugosllavisë.
– Cila është skuadra juaj e preferuar?
– Në Shqipëri, që në moshë të vogël, kam qenë tifoz i ish-17-Nëntorit (Tiranës së sotme), ndërsa në futbollin botëror, jam fans i Hollandës.

Nga afër, me Kostandinin
– Sa ndikon familja juaj në profesionin tuaj?
– Familja, është e privuar nga shumë gjëra, por gjithsesi, udhëtimet më tepër i kryej me bashkëshorten time, Ledian. Për ne që merremi me futbollin, koha e lirë është me pikatore, për të mos thënë fare.
– Ku ju pëlqen t’i kaloni pushimet, në mal apo në det?
– Unë kam lindur në Himarë buzë detit dhe pa dyshim, lidhja ime shpirtërore është me të…
– Ushqimi i juaj i preferuar…
– Jam ballkanas 100 %, si në të ngrënë, ashtu edhe në fushat e tjera.
– Cili është pasioni tjetër, veç futbollit?
– Leximi dhe kryesisht, literaturë sportive, por edhe mësimi i gjuhëve të huaja. Flas shkëlqyeshëm gjuhën greke, e cila është edhe gjuha e nënës sime, serbo-kroatisht, duke përfshirë edhe bullgarishten, anglisht, si dhe jam në fazën e perfeksionimit të gjuhës portugezo-spanjolle.
– Për ta mbyllur…
– Faleminderit që më rezervuat një pyetje të fundit të lirë, pasi dua të flas pikërisht për gazetën “Intervista”. Jam nga të parët që kam marrë pjesë si intervistues, që në daljet e para të saj, ndaj dua t’i uroj gazetës “Intervista”, edhe 200 vite të tjera, duke e falënderuar në mënyrë të veçantë për këtë vlerësim dhe respekt, duke më përfshirë tashmë, në të intervistuarit e saj..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *